7 Marsi është një nga festat tona më të bukura kombëtare. Dita e mësuesit, në kujtim të Mësonjëtores së parë në gjuhën shqipe që u hap në mars te vitit 1887 në Korçë. 7 Marsi është dita e gjuhës shqipe dhe dita e mësuesve patriotë, që me guximin e tyre mundën frikën e pushtuesit turk dhe bënë të mundur që në shkollat në Shqipëri të mësohet gjuha shqipe dhe të gjitha lëndët mësimore të zhvillohen në gjuhën shqipe, e jo në gjuhën turke.
Një vend nuk ekziston nëse nuk ekziston gjuha e tij, gjuha shqipe është identiteti ynë. Kjo festë na kujton cilit vend i përkasim, prandaj festohet nga të gjithë prindër dhe fëmijë.
Mësuese Gilberta Simoni na tregon për 7 marsin i saj në një intervistë për Radio Ejani.
CMG: Përshëndetje dhe urimet e mia për festën e 7 Marsit! Si e kujton këtë ditë?
Gilberta Simoni: Festa e 7 është jo vetëm festa ime, por edhe e prindërve të mi, motrës time, por edhe e të gjithë mësuesve të mi, si dhe e gjithë mësueve që japin mësim në gjuhën shqipe kudo në botë. Është përcaktuar në muajin mars sepse atëherë u hap Mësonjëtorja e parë në Korçë në vitin 1887. Unë mendoj se nuk është vetëm festa e mësuesit, por është festa e gjuhës shqipe sepse deri në atë moment gjuha shqipe mësohej fshehurazi për shkak të sundimit otoman. Ishin ata mësues që me guximin e tyre bënë të mundur hapjen e Mësonjëtores dhe mësimin e gjuhës shqipe haptazi. Marsi është festa e tyre, festa e guximit që ata patën për të hapur shkollat në gjuhën shqipe. Prandaj është një ditë që e kujtoj me shumë respekt dhe shumë dashuri dhe jo vetëm ne mësuesit për mësuesit e tjerë, por edhe nxënësit për ne.
CMG: Cila është e veçanta për ty në ditën e 7 marsit?
Gilberta Simoni: Nga gjithë dashuritë që janë, unë preferoj dashurinë e zemrës së një fëmije. Nuk ka si dashuria e tyre, është kaq e bukur, e kanë organizuar ditën e 7 marsit me detaje. Sapo hyn në klasë, ata e kanë shkruar urimin në kartolina dhe në dërrasën e zezë, kanë blerë lulet e preferuara, kanë bërë dedikim me fotografi në kornizë, fjalët që ata i kanë menduar me kohë për mësuesen, apo ndonjë dhuratë të vogël që kanë menduar për ditë të tëra bashkë me prindërit. Fëmijët ta mbushin atë ditë me kaq gëzim e dashuri saqë, ua fal që të gjitha çapkënllëqet që ata bëjnë gjatë një viti mësimor.
CMG: Si është puna e mësuesit sot?
Gilberta Simoni: Është bërë e vështirë puna e mësuesit në ditët e sotme, është sfidë më vete dhe fëmijët e kuptojnë mirë këtë gjë, por në 7 mars ata ia përkushtojnë këtë ditë vetëm mësuesit. Ka ditë të tjera për të diskutuar problematikat, në 7 Mars ka vetëm gëzim dhe fëmijët japin vetëm gëzim atë ditë.
CMG: Përse është aq i dashur ky profesion për ty, sepse ke thënë pak më parë që e dashuron profesionin e mësueses?
Gilberta Simoni: Unë nuk do e ndërroja profesionin tim me asnjë profesion tjetër, sepse është profesioni që ndërton të ardhmen. Të edukosh fëmijët është të edukosh të ardhmen tonë dhe kjo është gjëja më e bukur. Më vjen keq kur nuk vlerësohen mësuesit ashtu siç duhet, po kjo gjë mua nuk më tremb, por edhe shumë kolegë të mi për të vazhduar punën tonë. I uroj të gjithë mësuesit që e bëjnë punën me përkushtim, duke e nisur me prindërit e mi: Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën më të bukur për mësuesin!
CMG: Gëzuar 7 Marsin! Suksese në profesionin tënd kaq të bukur dhe fisnik të mësueses!
Heronjtë e kësaj dite janë mësuesit, “ Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë sonë”, ka thënë Guy Kawasaki.
Me falenderim dhe respekt për mësuesit që ndërtojnë të ardhmen ju urojmë, Gëzuar 7 Marsin!
Intervistoi: Sava Lena