Paraditen e së martës u organizua konferenca e shtypit e sesionit të parë plenar të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang iu përgjigj pyetjeve të medies.
Modernizimi i stilit kinez është realizimi i shoqërisë së begatë për të gjithë popullin në kohën moderne
Qin Gang u shpreh se modernizimi i përgjithshëm i një vendi me një popullsi mbi 1.4 miliardë banorë është një kauzë madhore e pashembullt në historinë e njerëzimit dhe ka rëndësi të madhe botërore. Modernizimi i stilit kinez ka zgjidhur shumë probleme të vështira në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, ka thyer mitin se "modernizim baras me perëndimorizim", ka krijuar forma të reja të qytetërimit njerëzor dhe ka sjellë një shembull të rëndësishëm për shumë vende në zhvillim. Ai tha se ky modernizim pasqyrohet në të paktën pesë drejtime.
Së pari, pavarësia dhe autonomia. Modernizimi i stilit kinez realizohet nëpërmjet zhvillimit sipas kushteve, kulturës e praktikës kineze. Suksesi i Kinës demonstron plotësisht se vendet e ndryshme kanë të drejtë dhe aftësi të plotë për të zgjedhur rrugën e vet të zhvillimit dhe të mbajnë fatet e tyre në duart e veta.
2. Populli në vend të parë. Modernizimi i stilit kinez është realizimi i shoqërisë së begatë për të gjithë popullin në kohën moderne, duke garantuar begatinë jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore. Një shoqëri që u shërben vetëm disa vendeve dhe disa njerëzve nuk është e modernizuar, një shoqëri ku të pasurit bëhen më të pasur e të varfrit më të varfër nuk është e modernizuar. Një shoqëri me zbrazëti shpirtërore dhe me mungesë morali e rendi nuk është e modernizuar. Vendet e ndryshme dhe popujt e ndryshëm duhet të kenë të drejta të barabarta të zhvillimit dhe të synimit të lumturisë.
3. Zhvillimi paqësor. Modernizimi i stilit kinez nuk varet nga lufta, kolonizimi a grabitja. Ai realizohet nëpërmjet këmbënguljes në paqe, zhvillim, bashkëpunim, përfitime të përbashkëta dhe harmoninë ndërmjet njeriut dhe natyrës. Kjo është një rrugë e re që ndryshon nga modernizimi perëndimor.
4. Hapja dhe përfshirja. Modernizimi i njerëzimit nuk duhet të realizohet në një mënyrë të vetme, por duhet të zhvillohet në mënyra të ndryshme. Duhet të ndiqen rrugët e përshtatshme për kushtet kombëtare dhe të bëhen shkëmbime të ndërsjella.
5. Bashkimi dhe përpjekjet. Përvoja e suksesshme e Kinës vërteton plotësisht se ndasia nuk sjellë shpresë, por vetëm përpjekjet e përbashkëta mund të grumbullojnë forcat. Nëse ekzistojnë konflikte partiake, fjalë të bukura e premtime të parealizuara, si edhe ndryshim politikash dita-ditës, plani s'mund të realizohet, sado i mirë të jetë.
Konflikti, sanksionet dhe presioni s'mund ta zgjidhin problemin e Ukrainës
VCG
Duke folur për problemet e Ukrainëse, Qin Gang tha se kriza e Ukrainës është një katastrofë që mund të shmangej. Kjo krizë ka arsye komplekse historike e praktike dhe është në thelb një shpërthim i madh konfliktesh në qeverisjen evropiane të sigurisë. "Ne gjithmonë bëjmë gjykime të pavarura mbështetur në natyrën e vetë çështjes. Kina nuk është as krijuese e as palë në këtë krizë dhe nuk i ka ofruar armë asnjërës palë në konflikt. Pse të fajësohet Kina, apo edhe të vendosen sanksione e të ushtrohen kërcënime ndaj Kinës? Ne nuk do ta pranojmë kurrë këtë!" theksoi ai.
Qin u shpreh se, ditët e fundit, u publikua dokumenti "Qëndrimi i Kinës për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës", ku paraqiten propozime si respektimi i sovranitetit të të gjitha vendeve, braktisja e mendësisë së Luftës së Ftohtë, armëpushimi dhe fillimi i bisedimeve të paqes.
VCG
Ai theksoi gjithashtu se tani kriza e Ukrainës ka hyrë në një udhëkryq. Ose duhet ndaluar zjarri e lufta, të rikthehet paqja e të ecet në rrugën e zgjidhjes politike, ose t'i hidhet benzinë zjarrit, të zgjerohet kriza dhe të futet ajo në një humnerë jashtë kontrollit. Konflikti, sanksionet dhe presioni s'mund ta zgjidhin problemin, por tani kërkohet qetësi e dialog. Procesi i bisedimeve të paqes duhet të fillojë sa më shpejt dhe duhet të respektohen shqetësimet e arsyeshme të sigurisë të të gjitha palëve, për të gjetur një strategji për arritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë në Evropë.
Evropa do të arrijë vërtet autonomi strategjike
Për marrëdhëniet kino-evropiane, Qin Gang u shpreh se marrëdhëniet midis Kinës e BE-së nuk drejtohen kundër, nuk varen ose nuk i nënshtrohen ndonjë pale të tretë. Pavarësisht se si zhvillohet situata, Kina e vlerëson gjithmonë BE-në si një partnere të gjithanshme strategjike dhe mbështet integrimin evropian. "Shpresojmë që Evropa të mësojë nga vështirësitë e luftës në Ukrainë dhe të realizojë vërtet pavarësinë strategjike dhe stabilitetin afatgjatë," tha kreu i diplomacisë kineze.
Akuza për "kurth borxhi" nuk mund t'i bëhet Kinës
VCG
Në konferencën e shtypit, Qin Gang u shpreh se nisma "Një brez, një rrugë" e propozuar nga Kina është një produkt publik i ofruar për tërë botën. Një produkt i tillë me cilësi të lartë, i qëndrueshëm dhe me përfitime të ndërsjella është përshëndetur gjerësisht, duke tërhequr deri tani pjesëmarrjen e tre të katërtave të vendeve të botës dhe 32 organizatave ndërkombëtare. Brenda dhjetë vjetëve, "Një brez, një rrugë" ka thithur investime me vlerë prej afro 1 trilion dollarësh, ka krijuar mbi 3 000 projekte bashkëpunimi dhe ka ofruar 420 mijë vende pune, duke ndihmuar afro 40 milionë veta të dalin nga varfëria.
Qin Gang u shpreh në vijim se akuza për të ashtuquajturin "kurth i borxhit" nuk mund t'i bëhet Kinës. Sipas të dhënave statistikore, afro 80 % e borxheve sovrane të vendeve në zhvillim lidhet me institucionet financiare dhe kreditorët komercialë, që janë burimi më i madh i borxhit të vendeve në zhvillim. Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e normës së interesit në ShBA shkaktoi largimin e kapitalit të huaj nga vendet e ndryshme, duke përkeqësuar problemin e borxhit të këtyre vendeve.