Tragjedia hekurudhore në Greqi/ Protestuesit dhe policia përleshen në tubimin në Athinë
2023-03-07 09:50:49

Foto nga VCG

Përleshje të dhunshme shpërthyen midis policisë dhe protestuesve jashtë Parlamentit grek, në Athinë, ndërsa mijëra persona morën pjesë në një tubim pas katastrofës më të rëndë hekurudhore në vend që u mori jetën 57 personave, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”.

Disa protestues i vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe hodhën kokteje molotovi, ndërsa policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës dhe granata turbulluese, duke pastruar sheshin “Sintagma” nga protestuesit brenda pak minutash.

Policia njoftoi se rreth 12.000 persona ishin mbledhur përpara Parlamentit për të kërkuar përgjegjësi për përplasjen e dy trenave ballë një javë më parë në afërsi të qytetit qendror të Larisës, që ka shkaktuar zemërim të gjerë.

Ata lëshuan qindra balona të zeza në qiell në kujtim të viktimave, me disa që mbanin në duar tabela ku shkruhej “Poshtë qeveritë vrasëse”.

Kryeministri grek u kërkoi falje familjeve të personave që humbën jetën në fatkeqësinë më të rëndë hekurudhore në vend.

“Si kryeministër, i detyrohem të gjithëve, por veçanërisht të afërmve të viktimave, të kërkoj falje. Për Greqinë e vitit 2023, dy trena që shkojnë në drejtime të ndryshme nuk mund të lëvizin në të njëjtën linjë dhe askush nuk e vëren”,- shkroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një mesazh drejtuar kombit.

Shefi i stacionit i implikuar në fatkeqësi, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, ka pranuar përgjegjësinë për aksidentin.

59-vjeçari, nëse akuzohet për vrasje nga pakujdesia, përballet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor. (Fatosi)