Kina ka besim dhe aftësi që do ta arrijë objektivin e treguesit të çmimeve të konsumit (CPI) në vitin 2023, u shpreh Li Chunlin, nënkryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, organi kryesor i planifikimit ekonomik të Kinës, në një konferencë shtypi të hënën. Objektivi për CPI-në është afro 3 % këtë vit, sipas një raporti të punës qeveritare të mbajtur nga kryeministri Li Keqiang.
Kina e ruajti CPI-në nën 3 % çdo muaj në vitin 2022 dhe CPI-ja mesatare ishte 2 % vitin e kaluar, në dallim të madh me inflacionin e lartë global, tha Li.
Ai bëri të ditur gjithashtu se prodhimi i grurit në Kinë ka qëndruar në mbi 650 milionë tonë për shumë vjet, kapaciteti i prodhimit të derrave është i mjaftueshëm, oferta e mallrave është e bollshme dhe furnizimi i energjisë elektrike është i sigurt e i besueshëm, gjë që tregon plotësisht se Kina ka një bazë të fortë për qëndrueshmërinë e çmimeve.
Për të stabilizuar më tej çmimet, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës do të ruajë furnizimin e mallrave kryesore, do të garantojë furnizimin e qëndrueshëm të energjisë dhe do të mbajë çmimet e qymyrit brenda një niveli të arsyeshëm, u shpreh nënkryetari i organit të lartë të planifikimit ekonomik të Kinës.(Xu Guang)