Kina deklaron objektivat shtetërore për zhvillimin ekonomik në vitin 2023
2023-03-07 15:36:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Për një kohë të gjatë, bota është përballur me një gjendje të ndërlikuar e të vështirë dhe palët e ndryshme po i kushtojnë vëmendje të madhe zhvillimit ekonomik të Kinës në vitin 2023. Tani në Pekin po zhvillohet sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës, ku janë shpallur objektivat e Kinës për zhvillimin ekonomik në vitin 2023, si GDP-ja, CPI-ja dhe deficiti. Këto shifra janë konsideruar si sinjale kyçe që jo vetëm do të luajnë rol drejtues për zhvillimin e Kinës, por edhe do të ndikojnë në lidhjet ekonomike e tregtare mes ekonomisë së 2-të të botës dhe palëve të ndryshme.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

GDP-ja do të rritet me rreth 5 %

 

Në raportin e punës qeveritare të mbajtur nga kryeministri kinez Li Keqiang vihet në dukje që në vitin 2023 rritja e GDP-së kineze do të jetë rreth 5 %.

 

Vjet ekonomia kineze pësoi goditje të shumta, si pandemia e COVID-19, dhe rritja e GDP-së arriti 3 %, që ishte më pak se objektivi i vënë në fillim të vitit. Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, pas përmirësimit të masave të kontrollit antiepidemik, shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare kanë parashikuar që ekonomia kineze do të shënojë mëkëmbje të fuqishme.

 

Anëtari i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Yu Yongding, është i mendimit që tani Kina ende ka hapësirë të madhe për politika makroekonomike dhe GDP-ja e vitit 2022 përbën një bazë të ulët, prandaj, nëse nuk ndodhin ngjarje të papritura, nuk do të ketë problem që ekonomia kineze të realizojë rritje mbi 5 %.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Shtimi i rreth 12 milionë vendeve të reja pune në qytete

 

Vitin e kaluar, në kushtet e shpërthimit të pandemisë, ngadalësimit ekonomik dhe ndërlikimit të gjendjes ndërkombëtare, niveli i punësimit në Kinë ruajti një gjendje të qëndrueshme. U shtuan rreth 12.06 milionë vende të reja pune urbane, duke e kaluar objektivin e përcaktuar në fillim të vitit.

 

Sipas raportit, në vitin 2023 do të shtohen rreth 12 milionë vende të reja pune në qytete, që është pak më i lartë se objektivi i vitit 2022 prej 11 milionë, dhe niveli i papunësisë në zonat urbane është përcaktuar në afro 5.5 %.

 

Në raportin e punës vihet gjithashtu në dukje që sivjet do të zbatohen në mënyrë praktike e të hollësishme politikat e punësimit dhe do t’i jepet më shumë përparësi punësimit të të rinjve, veçanërisht të të diplomuarve në shkollat e larta, dhe do të garantohet më mirë niveli i jetesës bazë të njerëzve.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Objektivat mbi konsumin dhe deficitin, 3 %

 

Sipas raportit të punës të qeverisë kineze, në vitin 2023, rritja e treguesit të çmimit të konsumit (CPI) do të ruhet në rreth 3 %, sa vitin e kaluar.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë që në dhjetë vjetët e fundit rritja e CPI-së në Kinë është ruajtur në rreth 2 %, i cili është një nivel i ulët. Në vitin 2022, kur e gjithë bota përballonte nivelin rekord të inflacionit për 40 vjetët e fundit, Kina mbajti nivel të qëndrueshëm të CPI-së.

 

Ndërkohë, në raport, edhe objektivi i deficitit është caktuar në 3 %, që është pak më shumë se objektivi i vitit 2022, afro 2.8 %. Ky është një sinjal që Kina do të shtojë më shumë forcën e efektivitetin e politikave të saj fiskale.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë që në pesë vjetët e fundit, niveli i deficitit është kontrolluar brenda 3 % dhe niveli i borxhit qeveritar në afro 50 %. Të dyja janë nën “vijën e alarmit” sipas standardit ndërkombëtar.

 

Lidhur me çështjen nëse do të shtohen rreziqet me rritjen e deficitit, drejtori i Institutit të Studimeve Fiskale të Kinës Liu Shangxi analizon që rreziqet fiskale nuk varen nga niveli i deficitit, por nga prirja e rritjes ekonomike. “Po të shohim prirjen e ardhshme, nëse me ngritjen e përshtatshme të deficitit mund të nxitet rritja ekonomike, rreziku fiskal nuk rritet, por ulet,” thotë Liu.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sivjet do të nisë punë qeveria e re kineze. Përveç objektivave ekonomike, publiku u kushton shumë rëndësi edhe masave të Kinës për hapjen me botën e jashtme. Sivjet është 45-vjetori i Reformës e Hapjes. Në fillim të këtij viti, ka pasur shumë shenja që tregojnë se Kina po i kushton forca të mëdha hapjes me nivel të lartë, si organizimi i delegacioneve tregtare në vendet e huaja për eksplorimin e bizneseve dhe zgjerimin e tregut.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në vitin e ri, Kina, duke përmbushur shpresat e palëve të ndryshme, do të riaktivizojë me fuqi të plotë mekanizmin e saj të ekspozitave dhe panaireve, me një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, si panairi i konsumit, ekspozita e importit CIIE, panairi i Guangzhou-t dhe panairi i shërbimeve. (Jiang Lei)