Projekt-vendimi i qeverisë për auditimin teknik të ndërtesave të vjetra dhe shqetësimi qytetar
2023-03-07 09:52:00

Ndërtime të vjetra në Tiranë (Foto Tirana Post)

Ndërtime të vjetra në Tiranë (Foto Tirana Post)

Duke marre shkas nga shqetësimet e qytetarëve, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj dhe Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli dolën me një deklaratë për mediat, lidhur me projektvendimin e qeverisë për auditimin teknik për të gjitha objektet të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.

Enkelejda Muçaj deklaroi nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 50 viteve më parë, por qeveria po harton një projektvendim për auditimin teknik për të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar, qofshin ato objekte private ose ndërtesa publike.

Zv/ministrja u shpreh se ky proces do të kryhet në mbështetje të interesit më të lartë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për të jetuar në ambjente të sigurta.

“Ky projekt nuk ka të bëjë me shembje banesash por ka qëllim të rregullojë procedurat ligjore për një auditim të gjendjes së tyre fizike dhe të qëndrueshmërisë së tyre fizike. Bëhet fjalë për një proces tërësisht ligjor, të nisur pas tërmetit të vitit 2019”, tha ajo.

Zvministrja Enkelejda Muçaj (Foto Atsh)

Zvministrja Enkelejda Muçaj (Foto Atsh)

Projektvendimi, vuri në dukje zv/ministrja, është ende në fazën e konsultimit.

Edhe Artan Shkreli, drejtor i Institutit të Ndërtimit, siguroi se nuk do të ketë prishje banesash, por evidentim të gjendjes së tyre, në mënyre që aty ku është e domosdoshme, të kryhen ndërhyrjet e duhura, për t’i sjellë ndërtesat brenda standardeve të sigurisë teknike.

“Auditi ka për qëllim evidentimin e gjendjes së objekteve. Nëse objekti nuk garanton jetën e qytetarëve, shteti ka detyrimin për të ndërhyrë dhe sjellë atë në normat e sigurisë. Në rastin konkret normat sizmike”, tha Shkreli.

Ai rikujtoi se qeveria e ka marrë këtë angazhim 2 muaj pas tërmetit të 2019-ës, kur deklaroi se me përfundimin e procesit të rindërtimit do të nisë procesi i auditit, që të minimizohen dhe të evitohen mundësisht humbjet jetësore dhe dëmet materiale, ne rastet se do te kemi goditje te reja nga termetet.

 

“Procesi nuk është i ri, por ka filluar mbi dy vjet më parë. Eshtë miratuar në Kuvend një amendim i ligjit për disiplinimin e kontrollin e punimeve në ndertim”, theksoi Shkreli.

 Të gjitha objektet që kanë një moshë mbi gjysmë shekullore, duhet t’i nënshtrohen një auditimi teknik, që do të nxjerrë në pah çfarë patologjish kanë, dhe nëse nxjerrin në pah patologji të rënda, këto objekte shteti ka për qëllim të ndërhyjë dhe t’i sjellë në normat e sotme teknike.  Jemi në një proces ku aktet nënligjore po përfundohen. Me përfundimin e procesit të rindërtimit që pritet të përmbyllet brenda këtij viti, i hapet rrugë nisjes së auditimit, që i shërben rritjes së cilësisë së stokut të banesave. Ne nuk e dimë se në çfarë gjendje fizike ndodhen. Ka mjaft objekte në Tiranë dhe ne si Institut i Ndertimit kemi mjaft ankesa të njerëzve, që nuk kanë siguri si rezultat i ndërhyrjeve në katet e para të banesave të paautorizuara”, tha ai

Sipas Shkrelit, ky proces është i panjohur për një pjesë të administratës sonë publike. Ka patur mjaft ndërhyrje nga përdorues të paautorizuar, në katet e poshtme të banesave të vjetra mbi 5 dekada, edhe mbi mure mbajtëse. Këto ndërtesa duhet të kontrollohen për standardet e sigurisë së tyre teknike.

Nuk ka të dhëna zyrtare, por shoqata dhe institucione të studimeve ekonomike të shoqërise civile flasin për një stok rreth 3 mijë ndërtesa banimi pallate, që datojnë periudhën e ndërtimit në vitet 50-70-të të shekullit të kaluar, pra kanë mbi 5 dekada jetë. Janë me dhjetra mijëra që banojnë në to sot, shumica të kthyera në pronarë të apartamenteve dhe një pjesë e vogël me qira.

Drejtori i Institutit të Ndërtimit Artan Shkreli (Foto Shqiptarja.com)

Drejtori i Institutit të Ndërtimit Artan Shkreli (Foto Shqiptarja.com)

Shkreli deklaroi se nuk dihet gjendja e sigurisë teknike të ketyre ndërtesave, sipas standardeve të sigurisë tektonike, ndaj goditjes së tërmeteve, prandaj dhe është detyrë e qeverisë në nivel vendor dhe qendror, që të sigurohet se ndërtesat janë brenda standardeve të kërkuara. 

Ai theksoi se procesi i kontrollit teknik do të udhëhiqet nga qeverisja vendore, e cila do të merret me ekspertimin, ndërsa Instituti i Ndërtimit do të merret me çertifikimin e këtij auditimi te qeverisjes vendore.

Ky do të jetë një proces që do të vijojë në kohë dhe do të bëhet kontroll rutinë. Për shembull, në vitin 2024, do të hyjnë në stokun e ndërtesave të vjetra mbi 5 dekada edhe ndërtesat e ngritura në vitin 1973, duke iu nënshtruar kësisoj auditimit teknik nga ana e njësive të qeverisjes vendore, pra bashkive. Kur kosto e riparimeve të mundshme është e vogël, kjo kosto do të përballohet nga fondet e bashkive.

Në rast se kostot do të jenë të medha, shpenzimet do të përballohen nga fondet e buxhetit qendror. Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për prishje të ndertesave.   

“Jemi të vonuar në këtë proces. Procesi duhet të kishte nisur më parë, kur kanë filluar shenjat e degradimit, gjë të cilën Europa e bën rregullisht. Ne kemi një stok që duhet marrë i gjithi në konsideratë“, u shpreh ai.

“Në fazën e dytë”, theksoi drejtori i Institutit të Ndërtimit, “do të implementohet mirëmbajtja nga ana e bashkisë, e rregulluar kjo me akte normative ligjore, ku përgjegjës do të bëhen administratorët e pallateve”.

“Ky nuk është një proces, i cili ka për qëllim shembjen e objekteve”, ritheksoi edhe Shkreli. Dalja ne publik e zëvendësministres se Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj dhe Drejtorit te Institutit të Ndërtimit Artan Shkreli, erdhi pas disa lajmeve ne media, të cilat theksonin mundësine që një pjesë e ndërtesave të vjetra mbi pesë dekada do të shembeshin, si rezultat i një procesi të kontrollit teknik të tyre, që do të iniciohej nga një projekt-vendim i qeverisë.

Auditimi teknik i ndërtesave të vjetra mbi 5 ose 7 dekada zhvillohet rregullisht në të gjithë vendet e Evropës, nga njësi të qeverisjes vendore të këtyre vendeve, të çertifikuara nga institucione të specializuara të vendeve përkatëse.