Kryeministrja daneze në Tiranë: Shqipëria, zë i fortë për vlerat europiane dhe integrimin e plotë të Ballkanit në BE
2023-03-07 09:38:18

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, vizitoi të hënën Tiranën, ku u prit nga homologu i saj shqiptar, Edi Rama. Ajo e vlerësoi Shqipërinë si një zë të fortë për vlerat europiane dhe integrimin e plotë të Ballkanit në BE, shkruan “RTSH”.

Kryeministri Rama e vlerësoi si një vizitë me një rëndësi gjeopolitike mes Europës dhe Ballkanit, ndërsa përshëndeti rolin e Danimarkës në mbështetjen e Shqipërisë në të gjitha proceset e integrimit.

“Mes Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha edhe politikisht dhe diplomatikisht duke mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në procesin e integrimit në BE”,- tha Rama.

“Mendoj se jeni një nga zërat më të fortë në Europë kur bëhet fjalë për integrimin e plotë të Ballkanit me BE. Shqipëria është një partner mjaft i vlerësuar për Danimarkën dhe një aleat i besuar i NATO-s. Ne do të ndërtojmë një partnerittet edhe më të fortë”,- tha Frederiksen.

Një nga temat e diskutimit ishte bashkëpunimi në fushën e turizmit, ku Shqipëria po preferohet gjithnjë e më shumë nga danezët.

Të tjera fusha bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë edhe në arkitekturë, planifikim urban e rindërtim, ku partneriteti mes Danimarkës dhe Shqipërisë do të forcohet më shumë në të ardhmen. (Fatosi)