Rigjallërimi i trashëgimisë kulturore jomateriale për një të ardhme të re dhe të gjallë
2023-03-07 11:51:13

foto nga

Vizitorët qendruan përpara pavijonit të pikturës së Vitit të Ri Jiaonan në Ekspozitën e parë mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Shaanxi/ foto nga “Minsheng Xinwenfang”

Tian Sheng, një trashëgimtar i pikturës së Vitit të Ri Jiaonan, u ndje i vlerësuar kur u rrethua nga vizitorët e rinj, të cilët po admironin krijimet e tij të mrekullueshme në një ekspozitë të hapur së fundmi.

"Vitet e fundit, kemi përfshirë disa prej elementëve më të veçantë nga piktura e Vitit të Ri Jiaonan në produktet tona dhe ato janë mirëpritur pa masë.” – thotë ai, duke marrë një komplet çaji prej porcelani i dekoruar me skena të gjalla nga mbjelljet dhe korrjet.

Ekspozita u organizua në kuadër të konferencës së parë vjetore mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale, që u zhvillua në qytetin Xian të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore. Piktura e Vitit të Ri Jiaonan është një trashëgimi nga Qingdao e provincës Shandong të Kinës Lindore. Ajo bazohet në tiparet e pikturave tradicionale kineze të Vitit të Ri, si dhe prekjet artistike të vizatimeve realiste tradicionale kineze "Gongbi" dhe letërprerjes.

foto nga

Vepra e Tian Sheng-ut rreth 24 fazat stinore të Kinës/ foto nga “ep.ycwb.com

Të gjitha këto elementë karakteristikë bashkohen për të krijuar një stil arti me tone të gjalla dhe figura të shkëlqyera. Ky stil i veçantë u jep veprave të artit një nuancë elegante, duke i bërë ato të njohura. "Trashëgimia kulturore jomateriale mund të vlerësohet me të vërtetë dhe t’u transmetohet brezave të ardhshëm vetëm kur ai integrohet me estetikën moderne dhe jetën e përditshme të njerëzve." - thotë Tiani.

Sipas Chai Zhanzhu, ruajtës dhe zhvillues i "Jiaotai Ci" (porcelan argjili me dredha), gjallërimi i trashëgimisë kulturore jomateriale qëndron në risinë teknologjike. "Jiaotai Ci", e renditur në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale në nivel kombëtar, përfshin argjilë porcelani me dy ose më shumë ngjyra dhe njihet për teknikat e saj delikate të gërshetimit dhe të pjekjes. Kjo teknikë e prodhimit të porcelanit pothuajse po zhdukej, por u rigjallërua nga përpjekjet e zejtarëve dhe studiuesve të aftë.

foto nga VCG

Vepra porcelani "Jiaotai Ci" nga Chai Zhanzhu/ foto nga VCG

"Risia është fokusi ynë për të çuar përpara teknikën," - thotë Chai. “Për shembull, në të kaluarën kishte vetëm modele pendësh dhe krizantemash. Por tani fotografitë e peizazhet, figurat, lulet dhe zogjtë mund të pasqyrohen gjithashtu në porcelan." Chai dhe kolegët e tij zejtarë kanë bashkëpunuar edhe me universitete për të përmirësuar teknikat e argjilës dhe lustrimit, duke marrë një sërë patentash.

Sipas Chait, fshati i tij Dang Yangyu tani ka gjashtë kompani, një kooperativë profesionale dhe mbi 20 punishte familjare të anagazhuara me prodhimin, përpunimin, shitjen dhe kërkimin teknologjik të "Jiaotai Ci", me një vëllim vjetor shitjeje prej 300 mijë kompletesh porcelani.

foto nga Xinhua

Qiao Lin punon për një vepër të artit "Fahua"/ foto nga Xinhua

Qiao Lin punon në punishten e saj të artit "Fahua"/ foto nga Xinhua

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë zejtarë të rinj kanë trashëguar mjeshtrinë tradicionale, duke tërhequr mjaft admirues me artin e tyre. E lindur në një familje punëtorësh qeramike në provincën Shaanxi të Kinës Veriore, Qiao Lin u kthye në vendlindjen e saj pasi studioi në ShBA, për të punuar me veprat e artit "Fahua", një lloj i veçantë porcelani tradicional të qelqtë. "Kur pashë entuziazmin e të huajve për artizanatin 'Fahua' në ShBA, nisa të mendoja për vijimin e mjeshtrisë dhe madje për rigjallërimin e saj." - tregon ajo. Qiao ka eksploruar dizajne të reja të qeramikës "Fahua", duke përfshirë risitë në lustrimin me ngjyra dhe veprat e saj të artit janë veçanërisht të njohura mes të rinjve. "Kemi integruar teknikat e traditat e lashta me jetën moderne." -  shpjegon ajo.

foto nga Xinhua

Chang Yangyang demonstroi veprën e tij të letërprerjes me rastin e Vitit të Ri Kinez / foto nga "People Daily"

Chang Yangyang demonstroi veprën e tij të letërprerjes me rastin e Vitit të Ri Kinez / foto nga "People Daily"

Në provincën Henan të Kinës Qendrore, 32-vjeçari Chang Yangyang është një trashëgimtar i artit të prerjes së letrave dhe njëherësh një bloger me mbi 340 mijë ndjekës në platformën sociale "Douyin", versioni kinez i "TikTok"-ut. "Mediat sociale kanë krijuar një urë lidhëse midis të rinjve dhe kulturës tradicionale për të cilën ata kanë interes të fortë." - tregon Chang. Krahas trasmetimit të drejtpërdrejtë të krijimeve përmes prerjes së letrës, Chang shet gjithashtu edhe modele të ndryshme nga veprat e tij në internet, duke përfshirë figura tradicionale kineze, deri te yjet e futbollit ndërkombëtar. "Arti i çmuar popullor i letërprerjes nuk duhet të zbehet nga jeta jonë moderne. Shpresoj të bëj që më shumë të rinj të njohin dhe ta duan letërprerjen dhe ta promovojnë më tej këtë art." - përfundon Chang.