Shqipëria dhe Mali i Zi, memorandum bashkëpunimi për linjat e interkoneksionit
2023-03-07 15:07:11

Foto nga OTS

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe operatori i Malit të Zi (CGES) do të bashkëpunojnë për realizimin e përbashkët të planifikimit dhe zhvillimit të dy projekteve të rëndësishme të linjave të interkoneksionit mes dy vendeve, njofton “ATSH”.

Administratori i OST-së, Skerdi Drenova, si dhe homologu malazez, Vladimir Bojicic, nënshkruan të hënën në Tiranë memorandumin e mirëkuptimit.

Ndër projektet që palët angazhohen të bashkëpunojnë janë rehabilitimi i linjës së interkoneksionit ekzistuese 220 kV Vau Dejës - Koplik - Podgoricë me gjatësi totale rreth 160 km, si dhe linja e re e interkoneksionit 110 kV Ulqin-Velipojë, me gjatësi totale rreth 16 km.

“Nëpërmjet këtyre investimeve krijohet një korridor shtesë për transmetimin e energjisë elektrike mes dy vendeve dhe rritet ndjeshëm siguria dhe cilësia e furnizimit me energji e rajonit të Veriut duke shfrytëzuar plotësisht edhe potencialin turistik të zonës”, bën të ditur OST-ja.  (Fatosi)