Mimoza Leskaj është poete e njohur, e cila jeton prej 28 vitesh në Itali. Ajo ka sjellë disa botime për lexuesit shqiptarë në poezi dhe tregime si dhe po përgatit një botim tjetër në prozë. Mimoza është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Itali, si dhe anëtare e lidhjes së arsimtarëve të gjithës shqipe në shtetin fqinj. Para pak kohësh ajo organizoi promovimin e një prej botimeve të saj në qytetin e lindjes, Shijak mes shumë miqve dhe dashamirësve të saj. Në një intervistë për Radi Ejani Znj.Leskaj tregon për integrimin e saj në Itali, rrugëtimin e saj me krijimtarinë letrare si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Kur ikët nga Shqipëria dhe cila ishte arsyeja kryesore e largimit tuaj në Itali?
Mimoza Leskaj: Zakonisht unë kur jap intervista nuk para ndalem shumë tek tema familjare, megjithatë për ju do e them. Unë kam ikur në vitin 1995, mbas disa kohësh e fejuar dhe arsyeja e vërtetë ishte martesa. Unë jam martuar përtej Adriatikut, në Itali.
CMG: Si kanë qenë ditët e para të integrimit tuaj në Itali?
Mimoza Leskaj: Për kuriozitetin tuaj dhe të atyre që na dëgjojnë, pas dy muajsh unë i ndaja dy botët e mia, e quaj dy botë gjithmonë, plot 28 vjet në Itali dhe kur kam ikur plot 28 vjet në Shqipëri. Natyrisht ditët e para të integrimit, dhe jo vetëm ditët e para por dhe shumë kohë të para ishin të vështira për shkak të shumë arsyeve, zakonet dhe mënyra e jetesës së të menduarit. Përgjithësisht në tërësi e gjitha e të jetuarit, kështu që u gjenda me dialektin sepse unë vetë flisja një italishte të pastër dhe për mua ishte i panjohur dialekti abrucesk. Kështu që vështirësitë dhe integrimi ishin, është e kotë të thuash që ishte fushë me lule.
CMG: Cili është ndryshimi midis vendit tuaj dhe Italisë që ju priti para 28 vitesh?
Mimoza Leskaj: Ajo që më bëri më tepër përshtypje ishtë thjeshtësia, gjërat e bëra pa zhurmë, gjëra të thjeshta, sjellje të thjeshta. Kjo na ndan shumë ose në atë kohë sidomos na ndante shumë me vendin fqinj. Ne shqiptarët jemi pak më të ndërlikuar.
CMG: Ju jeni tashmë një poete e njohur dhe keni botuar shumë libra. Nga të gjitha librat që keni sjellë për lexuesit cilat kanë qenë motivet kryesore që ju kanë frymëzuar për t’i shkruar në letër përpara se t’i nxirrni në dritë?
Mimoza Leskaj: Në serinë e librave poetikë gjenden edhe dy libra me tregime për të cilën zakonisht flitet më pak. Është botimi i vitit 2016 “Kronikë e një dashurie të përjetëshme” dhe realizimi “Qiell pa banorë” i këtij viti. Motivet janë nga jeta e përditëshme, atë që më sheh syri dhe ma ndjen shpirti, dora ma shkruan. Jeta është e mbushur plot jetë them unë dhe motive ka plot. Por unë shquhem për një sensibilitet shumë të madh, gjë që më bën edhe të vuaj. Nuk është ndonjë gjë e mirë të kesh ndjeshmërinë të një shkalle goxha të lartë, edhe duke qenë kështu marr shkas nga gjithçka që më bën përshtypje, më prek, më lëndon ose më gëzon.
CMG: Pra ju përveç pozisë keni lëvruar dhe tregimet në krijimtarinë tuaj letrare. Dy librat me tregime i keni sjellë vetëm në gjuhën shqipe apo i keni përkthyer dhe në italisht?
Mimoza Leskaj: Unë e dua shumë gjuhën shqipe, e kam dashur gjithmonë dhe preferoj shumë të shkruaj në shqip, edhe pse kam dy botime të fituara në një konkurs të një shtëpie botuese dhe në dy vite rresht kam qenë fituese midis 3-4 autorëve të huaj. Librat me tregime mbajnë vetëm ngjarje të vërteta, punoj shumë me personazhin, i cili mbetet top-sekret. Unë i kushtoj shumë vëmendje, shumë orë dhe më në fund realizoj atë që më ka prekur mua si ngjarje.
CMG: Flasim për promovimin tuaj të fundit, që e realizuat në vendlindjen tuaj në Shijak mes shumë miqve tuaj të pranishëm. Pse zgjodhët Shijakun si vendin për të promovuar librin tuaj?
Mimoza Leskaj: Unë me shumë kënaqësi e realizova promovimin në qytetin tim të lindjes, Shijakun. Të them të drejtën unë gjatë viteve kam bërë dhe dy promovime në Tiranë. Nuk është se shquhem shumë apo e mendoj që në çdo libër të bëj një promovim, por zakonisht kam mbledhur dy libra në një kohë të caktuar ose mbas disa vitesh. Zgjodha Shijakun për disa arsye, por juve do ju them vetëm njërën, atë që për mua është arsye shpirtërore. Unë në fëmijëri i kam bërë vetes një betim dhe në premtimin e heshtur që i kisha dhënë Mozës më në fund e realizova. Ishte dita më e lumtur për mua dhe u ndjeva sikur atij qyteti që më rriti, më lindi, më mbajti dhe më deshi i detyrohesha diçka dhe ajo ditë ka qenë një ditë si për të gjithë miqtë që u ndodhën aty një ditë shumë e bukur.
CMG: Sa shpesh e vizitoni Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë kur jeni larg?
Mimoza Leskaj: Unë e vizitoj shpesh Shqipërinë, të paktën dy ose tre herë në vit sipas mundësive dhe impenjimeve që kam. Ajo për çfarë më merr malli më tepër janë njerëzit, edhe pse ata kanë pësuar një ndryshim kolosal. Më merr malli për detin, më merr malli për rrugicën time dhe për çdo gjë që kam prekur dhe jetuar. Gjithësesi nga karakteri jam nostalgjike dhe e ndjej mallin katërfish më tepër, edhe pse kur vij gëzoj, kur iki qaj. Janë dy vargje që i kam të shkruara dikur “qesh sa herë vij, qaj sa herë të lë”, dhe kjo do më ndjekë gjithë jetën sigurisht.
CMG: Keni menduar ndonjëherë ta lini Italinë për të shkuar në një shtet tjetër?
Mimoza Leskaj: Absolutisht jo, një gjë që nuk pretendoj ta mendoj sepse Italia më është bërë atdheu i dytë. Kështu që nuk mendoj kurrësesi të largohem, por nësë do bëja një ndërrim shtetesh do rizgjidhja përsëri Shqipërinë.
CMG: Sa i organizuar është komuniteti shqiptar në Itali?
Mimoza Leskaj: Komuniteti shqiptar këtu është i organizuar sepse organizohen grupe të ndryshme, ka persona të cilët merren pikërisht me këtë gjë. Në zonën e Abrucios ndihen organizime, ku unë vetë kam qenë disa herë e ftuar nëpër festa të organizuara me rastin e ditës së flamurit apo festa të tjera. Pra janë të organizuar gjithmonë brenda mundësive.
CMG: Cili është angazhimi juaj tani në Itali?
Mimoza Leskaj: Unë për të dytën herë në sistemin zgjedhor online më kanë zgjedhur Zv.Presidente të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve në Itali. Gjithashtu prej disa vitesh jam një nga gjashtë anëtarët e lidhjes së mësuesve të gjuhës shqipe në Itali dhe impenjimet janë goxha. Jam dhe mbetem në dispozicionin e këtyre detyrave që më kanë caktuar dhe përpiqem të jap më të mirën përsa pëfaqësoj.
CMG: Cilat janë projektet tuaja që parashikoni t’i realizoni në të ardhmen në fushën e botimeve?
Mimoza Leskaj: Proza, kam vite që e lëvroj prozën pavarësisht që e kam nxjerrë pak, por mendoj që proza në momentin që duhet të dali duhet të jetë e pjekur, e lëvruar dhe e përpunuar. Ky është i vetmi qëllim që kam, pra përfundimi i prozës me të cilën kam vite që punoj dhe do të më falte një kënaqësi të madhe të punës së bërë.
CMG: Së fundmi një mesazh për dëgjuesit tanë dhe lexuesit tuaj.
Mimoza Leskaj: Në radhë të parë i falenderoj që më ndjekin, por mbi të gjitha i falenderoj që më duan sepse ka shumë vite që më ndjekin dhe kjo tregon njëfarë respekti dhe dashurie. Nëse do doja të thosha diçka, do të ishin këto fjalë. Duajeni njëri-tjetrin sepse pa dashurinë asgjë e bukur nuk vjen. Në këtë jetë ku thejshtë jetojmë me misionin që na është dhënë, ilaçi i vetëm është dashuria, të tjerat quhen përditshmëri.
Intervistoi: Gazmend Agaj