Veprimtari kulturore me rastin e 120 vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit shqiptar më të madh romantik, Jeronim de Rada
2023-03-06 11:32:00

Kur flasim për etërit e kombit shqiptar nuk ka sesi të mos bjerë në sy fakti se shumë nga frymëzuesit e një Shqipërie të pavarur ishin poetë me shpirt të bukur dhe patriotik, sic ishte poeti Jeronim De Rada, arbëreshi i Makies së Kalabrisë, më i madhi poet romantik i letërsisë shqipe.

De Rada ndërroi jetë më 28 shkurt 1903.

120-vjetori i ndarjes nga jeta të shkrimtarit e poetit, Jeronim De Rada, ka bërë bashkë Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, të cilat kanë organizuar një veprimtari kulturore, pranë ambienteve të Qendrës së Librit.

Në fokus të veprimtarisë ishte botimi i librit “Vepra historiko-filologjike e De Radës”, “In memoriam”, kuruar nga prof. Jup Kastrati botuar nga QSPA, e cila u prezantua në këtë përvjetor, duke nxjerrë në pah kontributin e rrallë të J. De Radës.

Njëkohësisht, në sallën “Kostandin Shpataraku”, në kuadër të ciklit me leksione të hapura me temë trashëgiminë kulturore dhe historinë, Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së Jeronim de Radës organizoi bisedën me temë "Erdhi dita e arbërit". I ftuar nderi në këtë leksion ishte prof. dr. Sadik Bejko, personalitet i shquar i letrave shqipe.

Jeronim De Rada lindi më 19 nëntor 1814 në fshatin në Makia të Kalabrisë. Mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës.

Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes der! në fillim të viteve 60 të shek. XIX.

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Radës nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (Principii di estetica, 1861) botoi veprat “Lashtësia e kombit shqiptar” (Antichità della nazione albanase, 1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (Rapsodie d’un poema albanese, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

Ai hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit” , që botoi në vitet 1883-1885.

Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve. Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi vëmendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur lashtësinë e tyre.

De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose të panjohura.

Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me karaktere latine. Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari  në 1895 dhe I dyti 1897. Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq me 28 shkurt 1903.

E gjerë është edhe krijimtaria poetike e De Rada. Nisi të botojë që herët por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos” që e publikoi në Firence të Italisë (1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Këtë vepër  de Rada e botoi kur ishte 22 vjec.

Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj.

Më 1840 botoi poemën “Serafina Topia“, e cila më tepër se një himn dashurie është një himn për bashkimin e shqiptarëve.

Veprën e fundit Jeronim de Rada e shkroi në vitin 1900 në moshën 86 vjeçare. Jeronim de Rada u martua më 1850 me arbëreshen Madalena Melkji, me të cilën pati katër djem. Fatkeqësitë familjare, vdekja e gruas dhe e djemve nuk e mposhtën atë, por dhimbjen e ktheu në forcë duke vazhduar veprimtarinë krijuese. Në këtë kohë shkroi poemën “Skënderbeu i pafat“. Jeronim De Rada vdiq me 28 shkurt 1903 dhe nuk e pa pavarësinë e Shqipërisë. Mban titullin “Mësues i Popullit”.

Neritana Kraja