Sondazhi i CGTN: Mbi 90% ndihen pesimistë për gjendjen aktuale të mbrojtjes së fëmijëve në SHBA
2023-03-06 15:32:33

Foto nga VCG

Sipas një sondazhi të “CGTN” të përdoruesve globalë të internetit, 91.2 për qind e të anketuarve ndihen shumë pesimistë për situatën aktuale të sigurisë së fëmijëve dhe mbrojtjen e të drejtave në SHBA dhe 90.8 për qind e të anketuarve janë të zhgënjyer me performancën e qeverisë amerikane në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Përveç kësaj, 92.6 për qind e të anketuarve pajtohen se SHBA-ja tregoi një shpërfillje të qartë për sigurinë e fëmijëve, ndërsa 91.7 për qind e të anketuarve besojnë se problemi i abuzimit me punën e fëmijëve ka ekspozuar një të metë të madhe në sistemin aktual ligjor të vendit.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Departamenti i Punës i SHBA-së tregojnë se numri i fëmijëve punëtorë të punësuar ilegalisht nga kompanitë në të gjithë vendin është rritur me 69 për qind që nga viti 2018. Vetëm gjatë vitit të kaluar fiskal, Departamenti i Punës zbuloi se ka 835 kompani që punësojnë mbi 3800 fëmijë, gjë që ka shkelur ligjet e punës. Këta fëmijë punëtorë punojnë në një sërë industrish në të gjithë SHBA-në, duke përfshirë në kantiere ndërtimi, në punë pastrimi me rrezik të lartë në thertore, ose në prodhimin e pjesëve të automobilave.

Sondazhi u publikua në platformat angleze, spanjolle, franceze, arabe dhe ruse të CGTN-së, me 22.935 përdorues që votuan në 24 orë dhe mbi 1.53 milionë shikime kumulative.

Kina i kërkoi SHBA-së të ndërmarrë veprime praktike për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.

Mao vuri në dukje se shkeljet e punës së fëmijëve janë rritur në SHBA vitet e fundit, duke cituar një raport të fundit nga “New York Times”.

Zëdhënësi kinez tha se vetëm në vitin 2022, më shumë se 6000 fëmijë u vranë ose u plagosën në incidente me të shtëna në Shtetet e Bashkuara.

“Realizimi i mbrojtjes së plotë të të drejtave të fëmijëve në nivel global mbetet një betejë e vështirë. Kina do të vazhdojë të marrë pjesë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të punojë për përparim më të madh në kauzën globale për të përmirësuar mirëqenien e fëmijëve”, tha zëdhënësi. (Fatosi)