Shefi i OKB-së mirëpret marrëveshjen mbi tekstin e traktatit të OKB-së për oqeanin
2023-03-06 10:53:50

Foto nga VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mirëpret finalizimin e një teksti të Traktatit të Oqeanit të Kombeve të Bashkuara për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksioneve kombëtare, deklaroi zëdhënësi i tij, citon “Xinhua”.

“Sekretari i përgjithshëm përgëzon delegatët për finalizimin e një teksti për të siguruar ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar. Ky përparim, i cili mbulon gati dy të tretat e oqeanit, shënon kulmin e gati dy dekadave të punës dhe bazohet në trashëgiminë e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit”,- tha zëdhënësi i Guterres në një deklaratë.

Sipas tij, ky veprim është një fitore për multilateralizmin dhe për përpjekjet globale për të kundërshtuar tendencat shkatërruese me të cilat përballet shëndeti i oqeanit, tani dhe për brezat që do të vijnë.

“Është thelbësore për adresimin e krizave të trefishta planetare të ndryshimit të klimës, humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes. Është gjithashtu jetike për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të lidhura me oqeanin të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Kornizës Globale të Biodiversitetit Kunming-Montreal. Shefi i OKB-së lavdëron të gjitha palët për ambicien, fleksibilitetin dhe këmbënguljen e tyre dhe pret të vazhdojë punën me të gjitha palët për të siguruar një oqean më të shëndetshëm, më elastik dhe më produktiv, duke përfituar brezat aktualë dhe të ardhshëm”,- thuhet në deklaratë. (Fatosi)