Kina kërkon një botë me prosperitet
2023-03-06 10:49:44

Presidenti i Kinës Xi Jinping ka theksuar shpesh vitet e fundit se bota ka hyrë në një periudhë ndryshimesh dhe zhvillimi njerëzor përballet me kriza të shumta, përballë të cilave Kina do përbëjë një shembull të marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri, në mbrojtje të multilateralizmit, duke forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik dhe të partneriteteve në një nivel më të lartë me vendet e tjera, duke mbrojtur sistemin ndërkombëtar të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar, mbrojtjen e sigurisë dhe të stabilitetit strategjik global, me në thelb OKB-në, me synim prosperitetin e përbashkët.

Kina është një vend në zhvillim me të ardhura në rritje që ka patur sukese të padiskutueshme në luftën kundër varfërisë, duke garantuar një rritje ekonomike, e cila i shërben jo vetëm popullit të Kinës, por është në mbështetje të tërë ekonomisë botërore dhe të garantimit të zinxhirit të furnizimit me mallra dhe shërbime në mbarë botën. Republika Popullore e Kinës, me një popullsi rreth 1.4 miliardë banorë, me një sipërfaqe e tokësore rreth 9.6 milionë km², ku rreth 250 milionë km² është sipërfaqe ujore, vendi më i madh në Azi dhe vendi i tretë i madh në botë, radhitur pas Rusisë dhe Kanadasë, një nga qendrat më të vjetra të civilizimit njerëzor, popullsia e së cilës ka ndërtuar mijëra vite më parë Murin e Madh për t’u mbrojtur dhe jo për të sulmuar, me një vijë bregdetare të gjatë 14.500 km. me një klimë të shumëllojshme, me reliev të mrekullueshëm me male e rrafshnalta, me fusha të gjera e pjellore, me shumë pasuri natyrore si qymyre, hekur, merkur, kallaj, tungsten, mangan, molibden, vadium, bokside, plumb, zink, uran, etj, si dhe prurjet më të mëdha ujore në botë, përbën një pasuri botërore.

Ekonomia e Kinës është ndër ekonomitë më të mëdha në botë së bashku me ekonominë e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, etj. Rritja ekonomike e Kinës prej vitesh ka qenë rreth 8 – 10% dhe edhe gjatë periudhës së pandemisë pasi rritjen ekonomike më të madhe në botë me rreth 5%. Degët kryesore të ekonomisë kineze janë bujqësia, blegtoria, industria, transporti, tregtia, etj. Partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Kinës janë Japonia, Australia, Britania e Madhe Franca, Rusia, Italia, Gjermania dhe SHBA-ja. Si e tillë, Kina tashmë është një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar në një botë që po përballet me idenë e transnacionalizmit, nën të cilin tregtia tradicionale ndërkombëtare duket se nuk është më e përshtatshme.

Është fakt gjithashtu se rendi global është vënë në pikëpyetje, pasi ngjarjet e viteve të fundit kanë treguar se balancat e brishta të vendosura në traktatet dhe marrëveshjet e mëparshme ndërkombëtare kanë filluar të prishen. Një faktor tjetër me shumë rëndësi në arenën ndërkombëtare është edhe çështja e klimës dhe problematikës së mjedisit, ujërave, ajrit, tokës, florës dhe faunës dhe problematikës që lidhet me to.

Pothuajse të tëra qeveritë e vendeve të globit kanë shfaqur shqetësimet e tyre në lidhje me problematikën në arenën globale transnacionale, por të pakta janë ato qeveri që kanë treguar largpamësi për sa më lart. Edhe angazhimi konkret i qeverive të vendeve të ndryshme të botës për zgjidhjen e situatave të këtyre natyrave gjithashtu le shumë për të dëshiruar, ndërkaq është Kina që është angazhuar në mënyrë të spikatur në këto çështje me veprimtarinë e saj si brenda ashtu dhe jashtë vendit, duke e kthyer zërin e Kinës në një zë që ka ndikim përherë e më të madh në arenën ndërkombëtare dhe që po vlerësohet pozitivisht si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu dhe në ato shumëpalëshe.

Qëndrimet e përfaqësuesve të popullit dhe qeverisë kinezë dhe vendimet e marra nga Kina në lidhje me aspektet e luftës dhe paqes, pandemive dhe katastrofave natyrore, ndryshimeve klimatike, investimeve të huaja dhe projekteve madhore ndërkombëtare, etj, paralelisht me arritjet dhe sukseset brenda vendit në lidhje me forcimin e demokracisë së brendshme, luftën kundër korrupsionit, forcimin e sektorit privat, etj, e kanë kthyer Kinën në një pikë referimi dhe modeli të shëndetshëm.

Iniciativa “Një brez, Një rrugë”, qasja bashkëpunuese dhe bashkërenduese midis Kinës dhe Bashkimit Evropian, hapja e Kinës ndaj botës dhe qasja e Kinës ndaj vendeve dhe rajoneve të ndryshme në glob si në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme, Ballkan, etj., mbështetja dhe ndihma financiare e Kinës për shumë vende në zhvillim, etj, e kanë hedhur prapa krahëve tashmë pikëpamjen se Kina synon revansh. Kjo pasi Kina ka theksuar prej kohësh se ajo operon mbi interesa dhe veprime strategjike shumëpalëshe, mbështetur në parimin e partneritetit ndërkombëtar, për prosperitet të përbashkët.

Në këto kushte pikëpamjet se Kina po kërkon dominim dhe penetrim ekonomik dhe tregtar duket se janë jo fort reale, aq më tepër kur bëhet fjalë për hapje të tregjeve dhe konkurrencë të lirë në tregtinë ndërkombëtare dhe kur edhe vetë qeveria e Kinës ka deklaruar hapjen e vendit ndaj kapitaleve, bizneseve dhe investimeve të huaja. Në këtë këndvështrim Kina është logjikisht një partner potencial dhe real për këdo që kërkon bashkëpunim, mbështetje dhe ndihmë dhe është fakt se Kina e kohëve moderne ka shprehur se kërkon marrëdhënie më të ngushta me vende të ndryshme pasi synon projekte të mëdha dhe të shumta zhvillimore dhe infrastrukturore në mbarë globin, pasi ajo ka një qasje të deklaruar tashmë për prosperitet të përbashkët.

Në arenën ndërkombëtare marrëdhëniet e Kinës me vendet e tjera janë shumë të rëndësishme dhe në këtë aspekt edhe marrëdhëniet Kinë – SHBA janë të tilla. Tashmë duket se marrëdhëniet Kinë – SHBA kanë një natyrë tjetër.  Ato nuk janë më marrëdhënie si ato të periudhës së “Luftës së Ftohtë”. Prej vitesh të dy shtetet dhe qeveritë marrin pjesë në forume dhe veprimtari e grupime ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare, duke njohur e vlerësuar arritjet dhe sukseset e secilës pale, por masat që po merren së fundmi për moslejimin e ushtrimit në Kinë nga ana e bizneseve amerikane të disa veprimtarive ekonomike si për shembull mos lejimin e prodhimit të mikroçipeve në Kinë, apo të mallrave dhe shërbimeve të tjera, nuk janë gjë tjetër veçse pengesa të panevojshme jo vetëm në aspektet industriale e tregtare, por edhe në aspektet e mundësive për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe të natyrave të tjera midis këtyre vendeve dhe qytetarëve të këtyre vendeve dhe të pjesës tjetër të botës.

Tashmë bota po bëhet përherë e më e vogël dhe përherë e më shumë kozmopolite dhe transnacionale, dhe, në këtë formatim të ri të një rendi të ri botëror, të një ekonomie ku ekonomitë e vendeve të veçanta po ndërthuren edhe më shumë, banorët e globit, individualisht, po mësojnë të pranojnë që të bashkëjetojnë me njëri tjetrin edhe pse vijnë nga qytetërime dhe kultura të ndryshme. Pritet që këtë qasje të ketë edhe vendim marrja kolektive.

Duket se Kina, edhe pse është konkurrente me SHBA-në, Bashkimin Evropian, vendet e G7, etj., në fakt, përbën një faktor shumë të rëndësishëm për paqe, partneritet, investime, kërkim shkencor, veprimtari sportive dhe kulturore, etj., pasi priret nga parimet e dialogut dhe bashkëpunimit, parimet e objektivitetit dhe logjikës, parimet e të drejtave të njeriut, parimet e paanësisë, parimet e universalitetit, etj., me synim zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e qëndrueshmërisë në rang global, forcimin e rigjallërimit të ekonomisë globale pas periudhës së pandemisë, angazhimin edhe të vendeve të pazhvilluara në proceset integruese globale, etj., me synim prosperitetin e përbashkët.