Projektligji për energjitë e rinovueshme. Kërkesa nga vetëprodhuesit
2023-03-06 15:35:23

Panelet fotovoltaike (Foto Solaris)

Panelet fotovoltaike (Foto Solaris)

Qeveria ka propozuar një ligj të ri për energjitë e rinovueshme, që synon diversifikimin e burimeve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian. Ndërsa do të garantohet edhe tregtimi i tepricës së energjisë së vetëprodhuar, nga ato biznese që kanë instaluar panele diellore. Por si shihet kjo nga vetëprodhuesit e energjisë me anë të paneleve fotovoltaike?

Në një intervistë për mediat Armand Skuqi Administratori i Kompanisë Solares, një nga kompanitë e para të impianteve fotovoltaike në Shqipëri, thotë se në projektligj janë bërë disa përmirësime, por ka ende vend për rregullime të rëndësishme.

“Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për energjinë e rinovueshme sidomos sektorit ku neve operojmë dhe disa nga gjërat që ne kemi kërkuar janë marrë parasysh. Kjo është shumë me rëndësi dhe janë bërë disa përmirësime në ligj, për pjesën e vetëprodhuesve që është dhe grupi më i madh i interesit në fushën tonë. Një nga përmirësimet kryesore është që për vetë prodhuesit mund të operojnë dhe mund të instalojnë impiante jo vetëm në objektet e veta që mund të menaxhohen nga një palë e tretë. Kjo do sjellë një përmirësim shumë të madh dhe të rëndësishëm për ata prodhues që nuk kanë hapësirat e nevojshme për të instaluar impiantet për nevojat e veta. Pjesa tjetër është edhe pjesa e instalimit për komunitetet, pallatet, banesat që kanë shumë apartamente të cilat mund të instalojnë impiante fotovoltaike dhe  të ndajnë sipas formës së investimeve apo sipas proporcionit të energjisë së prodhuar. Gjerat që u diskutuan në seancën dëgjimore që ka rëndësi është pjesa e matjes ne bazë vjetore dhe shtimi i kapaciteteve të instaluara që sot është i kufizuar në 500 kilovat. “- thotë Skuqi.

ArmandSkuqi (Foto Monitor )

ArmandSkuqi (Foto Monitor )

Sipas sipërmarrësit në fushën e fotovoltaikëve, pjesa më e rendësishme në projektligj është metodologjia e matjes.

“Ndoshta në projektligjin që është apo që do miratohet së shpejti, pjesa e kapaciteteve të instaluara, sfumohet pak duke patur parasysh pjesën e matjes vjetore që të gjithë po e prisnim. Ajo që është më e rëndësishme se metodologjia e matjes ndryshon nga ajo që kemi deri tani. Pas këtij ligji, normalisht duhet të kalohet nga matja neto, në faturimin neto. Unë besoj që kjo do ta frenonte pak investimin me impiantet fotovoltaike për vetë-prodhuesit. Kjo sepse matja neto konsiston në kompensimin e kilovatëve, në kompensimin e energjisë që ti prodhon, kilovat për kilovat, ndërsa faturimi neto, konsiston në kompensimin e vlerës së atyre kilovatëve që ti hedh në rrjet. Për sa kohë kjo vlerë do të përcaktohet nga ERE ku do të merren parasysh parimet e transmetimeve të gjithë kostove të tjera që ka disbalancat e kësaj energjie, do të thotë që ky çmim do të jetë më i ulët se çmimi i kilovatit që klientët kanë paguar. Kompensimi i energjisë në këtë rast me metodologjinë e faturimit do të rriste kohën e shtyrjes së investimit për këto biznese.”-  thekson Armand Skuqi.

Edhe në Shqipëri ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe individëve për ta garantur vetë energjinë elektrike është rritur ndjeshëm.

“ Në vitet e fundit kjo lloj teknologjie apo gjenerimi i energjisë elektrike nga impiantet fotovoltaike ka patur zhvillim dhe të gjithë e dimë dhe e kemi parë. Një nga shkaqet ka qenë kriza e energjisë, një shkak ka qenë rritja e çmimeve të energjisë në tregjet botërore dhe sidomos në tregjet tona. Në metodologjinë e nuhatjes neto, pjesa e rritjes së çmimit shkurtonte dhe kohen e shlyerjes së impiantit. Ndërkohë nëse do të kalohej në metodologjinë e faturimit neto, kjo vetëshlyerje do të zgjatej. Në seancën dëgjimore na u kërkua që të japim sugjerimet tona si për argumentime të rritjes së kapacitetit të kufirit të kapacitetit të instaluar, si për probleme të tjera që neve hasim me atë pjesën që na takon ne. Por koha në fakt është e shkurtër, sepse pritet që pas një jave ligji të kalojë për miratim nen për nen, dhe kështu që nuk e di a do të ishte e mjaftueshme për ti sqaruar këto detaje teknike. Dhe a do mund të merreshin masat e duhura për t’i përmirësuar”-  tha Skuqi.

Pamje nga impiantet (Foto  Solaris)

Pamje nga impiantet (Foto  Solaris)

Ai i mëshon faktit se duhet të shihet me kujdes metodologjia e matjes që mos të shkohet në boomerang.

“Ne si operatorë kemi qenë pjesë e disa seancave dëgjimore, që kanë qenë të rralla por  kërkesat që ne kemi parashtruar, jo të gjitha janë marrë parasysh. Faturimi ka qenë një pjesë që ne e kemi kontestuar që në ligjin që është bërë në 2018 dhe në metodologjinë e matjes që është vendosur në 2019. Nga ajo periudhë deri tani kjo i dha një shtytje shumë të madhe investimeve e impianteve fotovoltaike sidomos për sektorin e vetëprodhimit. Ndërkohë që ndryshimi i kësaj metodologjie në radhë të parë do i konfuzojë pak klientët, sepse nuk do të dinë si të llogarisin me precizion kthimin e investimit për atë impiant. Në radhë të dytë do të ketë një varësi nga enti rregullator. Pjesa llogaritëse e këtij çmimi do të jetë e variueshme.”- shprehet Administratori i Kompanisë Solares.

Projektligj të ri “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, që pritet të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2017 do të shqyrtohet sërish në komisione për të kaluar më pas për votim në Kuvendin e Shqipërisë.