Dy sesionet vjetore të sivjetshme janë të parat që mbahen pas Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Raporti mbi punën e qeverisë, që iu paraqit për shqyrtim të dielën organit më të lartë ligjvënës, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës, e vë theksin se duhet përqendruar puna në parimin e kërkimit të përparimit ndërkohë që ruhet qëndrueshmëria, të nxitet përmirësimi i përgjithshëm i qarkullimit ekonomik dhe të arrihet përmirësimi efektiv në cilësi dhe rritja e arsyeshme në sasi. Në të njëjtën kohë, raporti njoftoi objektivat kryesore për zhvillimin e Kinës këtë vit. Në sfondin e shtimit të presionit të rënies së ekonomisë globale, ky raport i ka shtuar besimin botës.
Foto nga VCG
Arritja e zhvillimit me cilësi të lartë është një ndër kërkesat thelbësore të rrugës kinez të modernizimit. Në pesë vitet e fundit, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës është rritur në 121 trilionë juanë, me një rritje mesatare vjetore prej 5.2 %, duke u shtuar pothuajse me 70 trilion juanë në dhjetë vjet, me një rritje mesatare vjetore prej 6.2 %. Duke u nisur prej një baze të lartë krahasimi, Kina ka arritur një rritje me shpejtësi të mesme në të lartë dhe ka ecur drejt zhvillimit me cilësi të lartë. Në vitin 2022, nën ndikimin e shumë faktorëve të papritur brenda dhe jashtë vendit, ishte jashtëzakonisht e vështirë për ekonominë kineze të arrinte rritjen 3%, duke treguar rezistencë të fortë dhe potencial të madh.
Këtë vit Kina ka përcaktuar objektivin e rritjes së PBB-së prej rreth 5%, duke marrë plotësisht parasysh gjendjen e brendshme e të jashtme me të cilën ndeshet zhvillimi ekonomik i saj, duke përmbushur nevojat e procesit të modernizimit të vendit dhe duke ndihmuar për të stabilizuar shpresat e besimin.
Për ta analizuar këtë objektiv rritjeje, ai duhet të vendoset në një sfond global. Sipas parashikimit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike globale në vitin 2023 do të jetë 2.9 %, 0.5 pikë përqindjeje më e ulët se vitin e kaluar. Banka Botërore, OECD dhe institucione të tjera kanë ulur gjithashtu parashikimet e tyre për rritjen e ekonomisë botërore sivjet. Vazhdimi i konflikteve gjeopolitike, inflacioni i lartë global dhe efekti shtrëngues i rritjes së shpejtë të normave të interesit në ekonomitë e mëdha të zhvilluara do të ndikojnë që të gjitha në rritjen ekonomike botërore.
Foto nga VCG
Në këtë sfond, objektivi i rritjes ekonomike të Kinës prej rreth 5 % është një vendim i arsyeshëm, dhe është në thelb në përputhje me shpresat e tregut. Në një intervistë me CMG-në, disa përfaqësues vunë në dukje se, me optimizimin e vazhdueshëm të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, veprimtaria e tregut është rritur ndjeshëm dhe konsumi e prodhimi janë rimëkëmbyer në mënyrë të rregullt.
Nga një perspektivë globale, besimi në ekonominë e Kinës po shtohet gjithashtu. Kohët e fundit, një numër institucionesh ndërkombëtare kanë ngritur parashikimin e tyre për rritjen ekonomike të Kinës këtë vit. Shumë ekzekutivë të kompanive shumëkombëshe, të tilla si "Volkswagen", "Apple", "Mercedes-Benz" dhe "Pfizer", kanë ardhur në Kinë ose kanë planifikuar të diskutojnë për investimet në Kinë. "Wall Street Journal" komentoi se ekonomia kineze e filloi Vitin e Lepurit me një rikthim, duke rritur mundësinë e rritjes më të fortë ekonomike botërore këtë vit.
Foto nga VCG
Përveç parashikimeve të rritjes ekonomike, objektivat kryesore të zhvillimit të propozuara në raport përfshijnë gjithashtu shtimin e rreth 12 milionë vendeve pune të reja urbane dhe mbajtjen e papunësisë urbane në 5.5%. Po ashtu, çmimet e konsumit do të rriten me rreth 3 %, import-eksporti do të nxitë stabilitetin e cilësinë dhe konsumi i energjisë për njësi të PBB-së dhe lëshimi i lëndëve kryesore ndotëse do të vazhdojnë të bien. Mund të shihet se vendosja e këtyre objektivave pasqyron vendosmërinë e qeverisë kineze për "stabilizimin e rritjes, punësimit dhe çmimeve" dhe rëndësinë e madhe që i jep ajo cilësisë së zhvillimit.
Raporti përcjell mesazhin e hapjes së mëtejshme dhe rrit besimin e investitorëve të huaj në tregun kinez. Në pesë vjetët e fundit, vlera e përgjithshme e import-eksportit të mallrave të Kinës është rritur me 8.6 % në vit, duke kapërcyer nivelin 40 trilion juanëve dhe duke zënë vendin e parë në botë për shumë vjet radhas. Edhe tërheqja e investimeve të huaja dhe niveli i investimeve kineze jashtë vendit dhe i shfrytëzimit të investimeve të huaja nga Kina janë renditur në krye të botës, ndërsa niveli i përgjithshëm i tarifave u ul nga 9.8% në 7.4%... Në janar të këtij viti, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina arriti në 127.69 miliardë juanë, me një rritje prej 14.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. "Forcimi i hapjes së industrisë moderne të shërbimeve", "zbatimi i trajtimit kombëtar për ndërmarrjet me financim të huaj", "zgjerimi i vazhdueshëm i hapjes institucionale"... Një seri masash të propozuara në raport do të sigurojnë një hapësirë më të gjerë dhe më të sigurt zhvillimi për investimet e huaja në Kinë.
Foto nga VCG
"Hedhja e hapave të duhur për ndërtimin e një vendi modern socialist", kjo është kërkesa e përgjithshme e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kinës këtë vit. Aktualisht, pasiguria e mjedisit të jashtëm po rritet, themeli i rritjes ekonomike të brendshme duhet ende të konsolidohet dhe Kina duhet të bëjë shumë përpjekje për të nxitur zhvillimin me cilësi të lartë. Themelet e zhvillimit ekonomik afatgjatë të Kinës nuk kanë ndryshuar. Kinezët kanë besim të plotë që do të krijojnë një të ardhmen të bukur me përpjekje konkrete dhe do të ndajnë mundësitë me botën.