Kina zgjedh drejtuesit e rinj
2023-03-06 10:09:17

Në datën 5 Mars 2023 u hap në Pekin sesioni vjetor i Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. Ky është një sesion që merr një rëndësi dhe kuptim shumë të madh për Kinën dhe përtej, pasi gjatë zhvillimit të këtij sesioni do të zgjidhen edhe liderët e rinj të kabinetit të qeverisë së Kinës.

Sistemi i Asamblesë Popullore është sistemi themelor politik i Kinës. Kjo asamble është organi suprem i pushtetit të shtetit. Ai përbëhet nga deputetët e zgjedhur nga gjithë vendi dhe ushtron pushtetin legjislativ të shtetit, duke marrë vendime të rëndësishme për shtetin, kombin dhe vendin.

Funksionet kryesore të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës janë: (1) rishikimi i kushtetutës, (2) kontrolli i zbatimit të kushtetutës, (3) hartimi dhe rishikimi i kodeve penale e civile, të ligjeve të institucioneve shtetërore si dhe ligje të tjera themelore, (4) shqyrtimi dhe ratifikimi i planeve të ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit shoqëror si dhe i raporteve mbi gjendjen e zbatimit të këtyre planeve, (5) shqyrtimi dhe miratimi i ndarjeve administrative të shtetit të tilla si vendosjes së provincave, rajoneve autonome dhe të qyteteve të varura direkt nga qendra, vendimi i krijimit të rajoneve të posaçme administrative si dhe i sistemit të tyre, (6) vendimet për çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare, (7) zgjedhja dhe emërimi i personaliteteve drejtuese të organeve të pushtetit të shtetit, (8) zgjedhja e kryetarit të shtetit, të nënkryetarit të shtetit, zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të tjera kryesore, si dhe shkarkimi nga detyra e funksioni për pozicionet sipërpërmendura, etj.

Asambleja Kombëtare Popullore që zgjidhet njëherë në 5 vjet për një legjislaturë, i mban sesionet një herë në vit. Në periudhën midis dy sesioneve vjetore të kësaj asambleje, pushtetin suprem të shtetit e ushtron Komiteti i Përhershëm i kësaj asambleje, që përbëhet nga kryetari, nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm dhe anëtarët.

Në këtë sesion, që do zgjasë më shumë se 8 ditë, shqyrtohen raporti i punës së qeverisë, raportet mbi zbatimin e planeve të zhvillimit dhe buxhetit për vitin 2022 dhe projektplanet përkatëse për vitin 2023, projektamandamenti i Ligjit të Legjislacionit, raportet e punës së parlamentit, të Gjykatës së Lartë Popullore e të Prokurorisë së Lartë Popullore, plani për reformën e qeverisë, si dhe do të zgjidhen e caktohen anëtarët e organeve shtetërore.

Në punimet e sesionit të parë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, që u parapri nga sesioni i parë i Komitetit Kombëtar të Legjislaturës së 14-të të KKPPK-së më 4 mars, kryeministri i Kinës,  Li Keqiang, ekonomist me profesion, në emër të qeverisë që përfaqëson, mbajti raportin mbi veprimtarinë e saj përpara rreth 3000 deputetëve të kësaj asambleje, që janë përfaqësues të mbarë popullit kinez.


Kryeministri kinez Li Keqiang

Disa nga pikat kryesore të raportit të punës së qeverisë kineze lidhen me ruajtjen e ritmeve të rritjes së ekonomisë kineze, forcimin dhe zgjerimin e e demokracisë brenda vendit, rolin e Kinës në rajon dhe më gjerë, etj.

Në vitet e fundit, ekonomia kineze ka qenë e orientuar drejt inovacionit. Kërkesa e brendshme është zgjeruar dhe paralelisht është nxitur dhe bashkërenduar zhvillimi rajonal dhe sektorial, duke i dhënë mbështetje urbanizimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Paralelisht, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, mbështetur nga bujqësia dhe agrobiznesi do përbëjnë një ingranazh edhe më të rëndësishëm për ekonominë kineze në të ardhmen e afërt dhe të largët. Së bashku me këtë ingranazh, edhe sektorët e tjerë të ekonomisë kineze do mbajnë peshën kryesore të hapjes së vendeve të reja të punës, duke shtuar punësimin, kryesisht të të rinjve, si dhe do garantojnë krijimin edhe të më shumë mundësive për bërjen e biznesit. Vetëm përgjatë periudhës së pandemisë numri i bizneseve në Kinë u rrit nga 120 milionë në 150 milionë dhe kjo përbën një forcë shumë të madhe të aftësisë sipërmarrëse të popullit kinez. Sa më lart përbëjnë një siguri edhe më të madhe për një rritje ekonomike më shumë se 5% për vitin 2023 dhe për një rritje edhe më të madhe ekonomike më tej dhe duke konsoliduar arritjen më të madhe të Kinës në vitet e fundit, që është lufta për zhdukjen e varfërisë, një betejë tashmë e fituar. Kryeministri Keqiang theksoi se përgjatë vitit 2022, përballë faktorëve të ndryshëm si pandemia dhe faktorë ndërkombëtarë, nëpërmjet zbatimit të politikave e masave të vendosura, u arrit që rritja ekonomike, niveli i punësimit dhe çmimet të stabilizoheshin, duke përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien e qytetarëve.

Konkretisht, gjatë vitit 2022 ekonomia e Kinës u rrit me 3%, norma e papunësisë urbane ra në 5.5%, indeksi i çmimeve të mallrave të konsumit u rrit me 2%, import-eksporti i përgjithshëm i mallrave u rrit me 7.7%, deficiti fiskal u mbajt në kontroll në 2.8%, të ardhurat e shpenzimet e qeverisë qendrore ishin në përputhje me buxhetin dhe monedha kineze, RMB, ishte një ndër monedhat më të rëndësishe të botës që ruajti qendrueshmërinë e saj. Sukses të pakontestueshëm pati edhe sektori i bujqësisë dhe prodhimit të mallrave industrial, që mbajtën edhe një peshë shumë të madhe në qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit me mallra dhe shërbime brenda dhe jashtë vendit. Viti 2023 do jetë një vit ku kërkesa e brendshme do zgjerohet edhe më tej, do vazhdojë ndërtimi dhe zgjerimi i një sistemi industrial modern, mbështetja e sektorit privat, tërheqja e investimeve të huaja, parashikimi dhe parandalimi i rreziqeve ekonomiko-financiare, stabilizimi i prodhimit të drithërave, nxitja dhe rigjallërimi i zonave rurale, zhvillimi i gjelbër, etj.

Më konkretisht, objektivat kryesorë për vitin 2023 janë: rritja 5% e PBB-së, shtimi i 12 milionë vendeve të reja të punës, mbajtja e papunësisë në nivelin 5.5%, mbajtja në nivelin rreth 3% të çmimeve të mallrave të konsumit, ruajtja e të njëjtit ritëm shtimi të të ardhurave të banorëve me atë të rritjes ekonomike, ngritja e cilësisë dhe e qëndrueshmërisë të import-eksportit, mbajtja e ekuilibrit të bilancit ndërkombëtar të pagesave, ruajtja e nivelit të prodhimit të drithërave prej 650 miliardë kilogramë, ulja e vazhdueshme e konsumit energjetik dhe e lëshimit të lëndëve kryesore ndotëse për njësi të PBB-së, kontrolli i përdorimit të energjive fosile dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit ekologjik, etj.

Në lidhje me forcimin dhe zgjerimin e demokracisë, në ditën e parë të kësaj veprimtarie me rëndësi politike për vendin u theksua se në Kinë fuqia e vërtetë e fjalës dhe e veprimit është në duart e popullit, që zgjedh me procedurë transparente të përcaktuar ligjërisht drejtuesit e tij si në pushtetin qendror ashtu dhe në atë vendor. Për këtë , në këtë veprimtari u vu në dukje përmirësimi i cilësisë së konsultimit midis institucioneve të administratës publike, pushtetit qendror dhe atij vendor me qytetarët, që janë themeli i qëndrueshmërisë dhe vitalitetit të qeverisjes së vendit.

Kërkesave të qytetarëve për luftën kundër korrupsionit, ruajtjes së mjedisit dhe thellimit e zgjerimit të demokracisë dhe të të drejtave, qeveria e Kinës u është përgjigjur me eficiencë dhe efektivitet, duke kërkuar që në vijim në vitet që vijnë forcimi i rendit publik dhe i institucioneve që japin drejtësi të garantohet dhe të jetë sa më transparent, nëpërmjet një procesi që do drejtohet nga njerëz me aftësi, njohuri dhe kompetenca, që në themel të punës së tyre do aplikojnë metodat e menaxhimit shkencor.

Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare, Li Keqiang theksoi se Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe do të ecë me vendosmëri mbi rrugën e zhvillimit paqësor, duke iu përmbajtur zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me vendet e tjera në bazë të parimeve të bashkëjetesës paqësore dhe zbatimit me vendosmëri të një strategji të hapur me përfitime të ndërsjella, sepse Kina ka qenë, është dhe do jetë gjithmonë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale dhe për të çuar përpara vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit, duke nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe duke ruajtur paqen globale dhe qëndrueshmërinë e rajonit,” tha kryeministri kine.