Foto: VCG
Në raportin e punës të mbajtur të dielën, kryeministri Li Keqiang renditi disa pika kryesore të punës së sivjetshme të qeverisë kineze.
Së pari, do të bëhen më shumë përpjekje për të zgjeruar kërkesën e brendshme. Kina do ta vërë rigjallërimin dhe zgjerimin e konsumit në një vend parësor, duke shtuar rrugët e rritjes së të ardhurave të banorëve. Do të inkurajohen dhe tërhiqen më shumë investime private për të marrë pjesë në projekte të mëdha shtetërore, duke çliruar gjallërinë e investimeve shoqërore.
Së dyti, do të shpejtohet ndërtimi i sistemit industrial modern, duke nxitur arritjet në studimin e teknologjive kyçe dhe transformimin digjital të industrive tradicionale dhe të ndërmarrjeve të mesme e të vogla.
Foto: Xinhua
Së treti, do të thellohet reformimi i ndërmarrjeve shtetërore, duke mbështetur zhvillimin e ekonomisë private.
Së katërti, do të bëhen më shumë përpjekje për të tërhequr dhe shfrytëzuar investimet e huaja. Kina do të lehtësojë standardet e hyrjes në treg, do të zgjerojë hapjen e sektorëve të shërbimeve moderne dhe do t’u ofrojë ndërmarrjeve të huaja trajtim të njëjtë si atyre kineze, duke marrë pjesë në marrëveshjet ekonomiko-tregtare ndërkombëtare si CPTPP-ja me hapjen e qëndrueshme të sistemit dhe duke shfrytëzuar në vazhdimësi rolin mbështetës të import-eksportit në zhvillimin ekonomik.
Së pesti, do të merren masa për të parandaluar rreziqet e mëdha ekonomiko-financiare, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të pasurive të patundshme dhe parandalimin e zgjidhjen e rreziqeve të borxheve të pushtetit vendor.
Foto: VCG
Së gjashti, do të stabilizohet prodhimi i drithërave dhe do të nxitet rigjallërimi i zonave rurale. Kina do të ruajë përmasën e sipërfaqes së tokave të mbjella me drithë, duke forcuar ndërtimin e veprave ujore dhe krijimin e tokave bujqësore cilësore. Po ashtu, do të mbështetet zhvillimi bujqësor me anë të teknologjisë dhe të pajisjeve, duke zgjeruar kanalet e shtimit të të ardhurave të banorëve ruralë.
Së shtati, do të nxitet më tej transformimi i gjelbër i zhvillimit. Kina do të forcojë më tej parandalimin dhe kontrollin e ndotjeve mjedisore, do të përmirësojë politikat e zhvillimit të gjelbër e do të nxitë zhvillimin e ekonomisë qarkulluese, kursimin e përdorimit të burimeve natyrore dhe uljen e lëshimit të karbonit, për të mbrojtur qiellin e kaltër, ujin e kthjellët dhe tokën e pastër.
Foto: VCG
Së teti, do të bëhet më shumë punë për të shtuar mirëqenien e banorëve me anë të garantimit të strehimit, barazisë arsimore, shërbimeve mjekësore cilësore, përkujdesjes për të moshuarit, mbështetjes së lindjes së fëmijëve, kontrollit të sigurisë në punë dhe parandalimit e pakësimit të pasojave të fatkeqësive dhe përmirësimit të punëve të shpëtimit.