Foto: VCG
Kryeministri kinez Li Keqiang vuri në dukje në raportin mbi punën e qeverisë të mbajtur të dielën që duhet të zbatohen me vendosmëri politikat “Një vend, dy sisteme”, “Qeverisje e Hong-Kongut nga banorët e Hong-Kongut” e “Qeverisje e Makaos nga banorët e Makaos”, si edhe politika e autonomisë së nivelit të lartë. Ai tha se duhet të qeverisen Hong-Kongu e Makao sipas ligjit, duhet të ruhet rendi kushtetues i Rajonit të Posaçëm Administrativ i përcaktuar me Kushtetutë e Ligjin Themelor dhe duhet të zbatohen parimet “Qeverisje e Hong-Kongut nga patriotët” dhe “Qeverisje e Makaos nga patrotët”. “Ne do të mbështetim Hong-Kongun e Makaon që të zhvillojnë ekonominë e të përmirësojnë jetën e banorëve dhe do të ruajmë begatinë e qëndrueshmërinë afatgjatë të Hong-Kongut dhe Makaos,” tha kryeministri.
Foto: VCG
Më tej Li shtoi që duhet të këmbëngulet te parimi i “Një Kine” dhe "Konsensusi i vitit 1992", duhet të kundërshtohet me vendosmëri “pavarësia e Tajvanit” dhe të nxitet bashkimi, duke promovuar zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës dhe procesin e bashkimit paqësor të vendit. Duhet të promovohet bashkëpunimi dhe shkëmbimet ekonomike e kulturore ndërmjet dy brigjeve të ngushticës dhe të përmirësohen sistemi e politikat për të shtuar mirëqenien e bashkatdhetarëve të Tajvanit.
Foto: VCG
Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe do të ecë me vendosmëri mbi rrugën e zhvillimit paqësor, theksoi më tej kreu i qeverisë kineze. Kina i përmbahet zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me vendet e tjera në bazë të Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe zbaton me vendosmëri një strategji të hapur me përfitime të ndërsjella. Kina gjithmonë është ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. “Ne jemi të gatshëm të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale dhe për të çuar përpara vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit, duke nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe duke ruajtur paqen globale dhe qëndrueshmërinë e rajonit,” tha Li Keqiang-u.