Kina synon një rritje ekonomike rreth 5 % për vitin 2023, tha kryeministri Li Keqiang në raportin e punës së qeverisë, që do të diskutohet nga organi më i lartë ligjvënës, Asambleja Kombëtare Popullore.
Foto: VCG
Foto: XInhua
Kryeministri kinez vuri në dukje në raport se, vitin e kaluar, para goditjeve nga faktorë të shumtë të papritur, të tillë si epidemia etj., qeveria e Kinës, nëpërmjet zbatimit të politikave e masave të vendosura, realizoi stabilizimin e rritjes ekonomike, të punësimit e të çmimeve, duke nxitur në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien e banorëve.
Vjet PBB-ja e Kinës u rrit me 3 %, norma e papunësisë urbane e anketuar ra në 5.5 % në fund të vitit dhe treguesi i çmimeve të konsumit u rrit me 2 %. Import-eksporti i përgjithshëm i mallrave u rrit me 7.7 %, deficiti fiskal u mbajt në kontroll në 2.8 % dhe të ardhurat e shpenzimet e qeverisë qendrore ishin në përputhje me buxhetin, me një balancë të vogël nga shpenzimet. Norma e shkëmbimit të RMB-së ishte relativisht e qëndrueshme ndër monedhat kryesore të botës. Prodhimi i drithërave arriti në 685 miliardë kilogramë.
Foto: VCG
Meqë 2022-shi ishte viti i fundit i mandatit pesëvjeçar të kabinetit të tanishëm, kreu i qeverisë kineze përgjithësoi edhe arritjet në pesë vjetët e kaluar, si fitorja në betejat kundër varfërisë dhe COVID-19, rritja ekonomike mesatare vjetore 5.2 % në vit, shtimi i 12.7 milionë vendeve të reja të punës në vit, optimizimi i strukturës industriale, përfshirja e 1.05 miliard banorëve në skemën e pensioneve të pleqërisë, përmirësimi i mjedisit ekologjik etj.
Foto: VCG
Për punën e sivjetshme, Li Keqiang-u renditi disa pika kryesore, duke përfshirë zgjerimin e kërkesës së brendshme, ndërtimin e sistemit industrial modern, mbështetjen e zhvillimit të ekonomisë private, tërheqjen dhe shfrytëzimin e më shumë investimeve të huaja, parandalimin e rreziqeve të mëdha ekonomiko-financiare, stabilizimin e prodhimit të drithërave, nxitjen e rigjallërimit të zonave rurale, transformimin e gjelbër të zhvillimit etj.
Foto: VCG
Më konkretisht, objektivat kryesorë për vitin 2023 janë: rritja 5 % e PBB-së, shtimi i 12 milionë vendeve të reja të punës, një normë prej 5.5 % e papunësisë së anketuar në zonat urbane, rritja afro 3 % e CPI-së, ruajtja e të njëjtit ritëm shtimi të të ardhurave të banorëve me atë të rritjes ekonomike, ngritja e cilësisë dhe e qëndrueshmërisë të import-eksportit, mbajtja e ekuilibrit të bilancit ndërkombëtar të pagesave, ruajtja e nivelit të prodhimit të drithërave prej 650 miliardë kilogramë, ulja e vazhdueshme e konsumit energjetik dhe e lëshimit të lëndëve kryesore ndotëse për njësi të PBB-së, kontrolli i përdorimit të energjive fosile dhe përmirësimi i vazhdueshëm i mjedisit ekologjik.
Lidhur me punët e jashtme, Li Keqiang theksoi se Kina do të ndjekë me vendosmëri një politikë të jashtme të pavarur paqësore dhe do të ecë me vendosmëri mbi rrugën e zhvillimit paqësor, theksoi më tej kreu i qeverisë kineze. Kina i përmbahet zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me vendet e tjera në bazë të Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore dhe zbaton me vendosmëri një strategji të hapur me përfitime të ndërsjella. Kina gjithmonë është ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar. “Ne jemi të gatshëm të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale dhe për të çuar përpara vlerat e përbashkëta të të gjithë njerëzimit, duke nxitur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe duke ruajtur paqen globale dhe qëndrueshmërinë e rajonit,” tha kryeministri kinez.
Foto: VCG
Gjithashtu, në raportin ai ritheksoi angazhimin e vendosur të qeverisë qendrore për politikën “Një vend, dy sisteme” dhe parimet “Qeverisje e Hong-Kongut nga patriotët” dhe “Qeverisje e Makaos nga patrotët”, duke shprehur kundërshtim të fortë ndaj “pavarësisë së Tajvanit”.
Sesioni i parë plenar i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (parlamenti) filloi të dielën në Pekin me pjesëmarrjen e gati 3 000 deputetëve nga mbarë vendit. Gjatë tetë ditëve e gjysmë të zhvillimit të tij do të shqyrtohen raporti i punës së qeverisë, raportet mbi zbatimin e planeve të zhvillimit dhe buxhetit për vitin 2022 dhe projektplanet përkatëse për vitin 2023, projektamandamenti i Ligjit të Legjislacionit, raportet e punës së parlamentit, të Gjykatës së Lartë Popullore e të Prokurorisë së Lartë Popullore, plani për reformën e qeverisë, si dhe do të zgjidhen e caktohen anëtarët e organeve shtetërore.