Moz, pas suksesit në Greqi sjell përvojën e tij në Shqipëri
2023-03-05 09:56:39

Moz (Foto personale)

Moz (Foto personale)

Producenti dhe këngëtari me emrin e artit Moz, ka lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1982, por në moshën 16 vjeçare ka emigruan në Greqi. Ai ka përfunduar studimet me rezultate shumë të mira dhe ka  punuar për Music Sound Inxhinier. Moz ka bërë mësime private për kanto dhe harmonikë. Ndonëse ka kryer punë të ndryshme, ai e nuk e shihte muzikën  si profesion, por si pasion. Tashmë ka ardhur koha që pas shumë vlerësimeve, çmimeve dhe bashkëpunimeve me artistë të famshëm në Greqi, puna me muzikën përveç pasionit, të jetë dhe profesioni i tij primar.

Në vitin 2017 me këngëtarin e mirënjohur grek Sakis Rouvas me këngën me titull “Dio Theoi”, që në shqip do të thotë “Dy Zota”, fituan çmim në “Mad Award’s”. Moz është producent i disa artistëve, por tashmë ka vendosur të ndjekë dashurinë e tij për këngën dhe së fundi ka sjellë materialin më të ri muzikor, një këngë e cila sipas artistit, është krijuar me shumë ndjenjë.

Kënga “Dashuria ime” është krijuar në shqip në greqisht, por momentalisht është bërë publike vetëm në versionin shqip. Në intervistë për Radio Ejani Moz tregon për planet e tij në të ardhmen si këngëtar, por njëkohësisht edhe si producent i studios muzikore “New Global Music”, ku menaxhon artistë të rinj të talentuar.

Moz e arriti suksesin  jashtë vendlindjes, por tashmë ndodhet në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij tek artistët e rinj të talentuar shqiptarë.

Moz në intervistë për CMG

Moz në intervistë për CMG

CMG: Përse Moz?

Moz: Sepse kur punoja në Greqi për “Universal Music”, duhet të përdorja një pseudonim.  Atyre u pëlqeu dhe emri im Gramoz, por më  mirë do ishte të përdorja një shkurtim emri që të mbahej mend më lehtë, kështu vendosa tre gërmat e fundit të emrit tim, Moz.

CMG: Ti ke vite që merresh me muzikë në Greqi, ku ke realizuar këngë dhe për artistë shumë të njohur aty.Tashmë vjen për publikun shqiptar edhe si këngëtar me këngën “Dashuria ime”. Si lindi dëshira që pas produksionit, të hysh në tregun  muzikor shqiptar edhe si këngëtar?

 Moz: Dëshira ime ka qenë që në moshën 5 vjeçare kur unë këndoja nëpër shtëpi, në një lagje të Vlorës ku kishim shtëpi me bahçe. Prapa bahçes time jetonte një zonjë e cila e pëlqente shumë zërin tim. Ajo kishte pemë me shegë shumë të mira, të cilat unë nuk i arrija dot. Ajo më  kërkonte që t’i këndoja këngën “Ta marr moj nëne”, unë e këndoja  këngën e më pas zonja më jepte shegë. Ajo ishte fansja e parë dhe pagesat e para që i merrja  me fruta.

CMG: Që në moshën 5 vjeçare ke ditur mirë të menaxhosh veten.

Moz: Nuk kisha mënyrë tjetër. (Qesh)

Artisti shqiptar Moz (Foto nga instagrami)

Artisti shqiptar Moz (Foto nga instagrami)

CMG: Gjithmonë ka qenë dëshira ime të këndoja dhe në moshën 6 vjeç gjithmonë më vinte një vegim, një vizion, që unë në një ambjent shumë të vogël, poshtë shkallëve të pallatit do bëja studio. Në fakt ne nuk kishim as televizior  në atë kohë dhe nuk e dija se si më vinte kjo ide, por gjithmonë e mendoja se do kem një studio dhe do krijoj muzikë. Me instrumentat e parë që ishin enët e kuzhinës, e kjo u shndërrua më vonë që unë të bëj gjithë produksionin, mbi 99 -100 % të veglave muzikore që i luaj në tastjerë. Gjatë shkollës në Vlorë merrja pjesë në aktivitete të ndryshme.

CMG:  Ndërkohë ti sapo ke sjellë materialin më të ri muzikor që mban titullin “Dashuria ime”. Do na tregosh më tepër për këtë këngë, fabulën e saj, etj?

Moz: Do ishte shumë mirë që për tekstin të jepje përgjigjen tekstshkruesja.

CMG: A e ke realizuar edhe ti një pjesë të tekstit?

Moz: Gjithsesi, kjo flet për një dashuri reale që unë besoj se çdo njeri thellë -thellë e ka, pavarësisht sa tregon, sa e jeton, ndoshta nga ato dashuritë që s’janë afër, janë me një njeri tjetër, por është ajo dashuri që është thellë brenda vetes. Do i uroja dëgjuesve që të jenë me atë që me të vërtetë ata e duan. Teksti është i pastër në gjuhën letrare, u mundova ta këndoja edhe në gegënisht por nuk më shkonte. Dhe mendova se teksti është mirë që të vijë pastër tek dëgjuesit, të jetë i lidhur me shpirtin, mendjen dhe me shprehjen e  tij, pra jo thjesht t’i bëhet marketing sipas modës. Jam shumë kundër muzikës që kopjohet apo  deri dikur vidhet. Dua që njeriu atë që ta shprehë dhe muzikën të bëj të influencohet, të studiojë padiskutim artistë të tjerë, por artisti duhet të krijojë. Çdo material që do vijë, pra këngët tona, dua që të kenë diçka origjinale nga shpirti i njeriut, përndryshe është e kotë. Të jetë komerciale, të jetë e bukur, të jetë për njerëzit, publikun, në efekt të çdo gjëje të mirë, por dua që të jenë origjinale, të burojnë nga shpirti. Të ketë një lidhje qoftë edhe me trupin e njeriut, edhe me vibe-n, energjinë, me ëndrrat që ka, edhe me arritjet që i ka vënë synimit vetes. Në këtë tekst flitet për dashurinë e fortë që nuk ka kompromise. Që do të thotë se shkon kundra me veten, me kohën,  për një dashuri. Ndoshta me fjalë nuk mund ta shpreh më bukur se ç’mund ta shpreh në këngë, sepse në këngë lind emocioni qoftë edhe nga një kitarë, mbyll sytë dhe imagjinon diçka, pra çdo gjë në këngë është thënë me zemër e me shpirt.

Artisti shqiptar Moz (Foto nga instagrami )

Artisti shqiptar Moz (Foto nga instagrami )

CMG: Nga dëgjimi i parë mua kënga më jep përshtypjen se ngjan me këngët greke, ndoshta ngaqë  ke jetuar andej prej vitesh në Greqi. Por a do jetë kënga edhe në gjuhën greke?

Moz: Kjo këngë është edhe në gjuhën greke, por unë jam ende në mendime, nëse do e transmetoj në Shqipëri apo jo.

CMG: Por si tingëllon më mire, në cilën gjuhë?

Moz: Sinqerisht, ajo është krijuar si fillim në gjuhën greke, por unë  me shpirt e këndoj më mirë në gjuhën shqipe, kjo është reale.

CMG: Çfarë të bëri që të ktheheshe pas shumë vitesh në tregun muzikor shqiptar, por edhe si këngëtar këtë herë, paraelisht punës si producent? A do të kesh vazhdimësi si këngëtar?

Moz: Në panet e mia  mendoj se po, sepse e dua shumë këngën, por janë edhe njerëzit që më rrethojnë që nuk më lënë që ta lë këngën. Janë  miqtë ata që më kanë shtyrë që ta bëja publike këtë këngë sepse në këngët e mia këndon shpirti, imagjinata ime, gjithë vetja ime dhe kësaj gjëje nuk mund t’i shmangem, nuk iki dot nga ajo.

Kam plane për këngë të tjera dhe besoj e shpresoj që t’i pëlqejë publikut, si edhe në performanca live, sepse jam realist edhe në këngë, ndoshta jam edhe më mirë live.

CMG: Cili është repertori muzikor që ti do të interpretosh live?

Moz: Do të them një sekret, por besoj se shumë persona e kanë përjetuar. Ne në kohën tonë jemi rritur me muzikën popullore dhe me muzikën e lehtë të festivaleve. Kur emigrova në Greqi pas viteve ’90 u futa në muzikën pop, dance, tekno, e të gjitha këto, pasi donim të modernizoheshim. Unë duke jetuar jashtë, kudo ku ndodhesha, por kryesisht me eventet shqiptare më rrihte zemra dhe gjaku ndryshe, më rrihte kaq shumë pulsi sa më ngrohte shpirtin. Edhe nëse isha i veshur hip- hop apo ndryshe, përsëri ngrihesha e kërceja valle me të gjitha. Që do të thotë se muzika popullore me fjalët e thjeshta të popullit, në fund të ditës ato janë më të bukurat, janë reale.

Duke u rritur njeriu e kupton pjesën që është “fake” pra fallco, nuk krahasohet me një verë të mirë shtëpie, sado që një tjetër mund të serviret me një shishe shumë të bukur, përmbajtja nuk është aq e mirë. Që do të thotë se padiskutim muzika popullore, baladat sepse unë besoj tek repertori i dashurisë, këngët e huaja si greke, italiane, etj, të të gjitha trevat shqiptare më pëlqejnë shumë, më pëlqen muzika pop, etnik, influencohem shumë dhe nuk vë tabela, cila këngë të dalë nga shpirti , se mund të jetë një këngë e bukur, me një kitarë e me një piano dhe mund të bësh një super produksion, por kënga nuk kap.

CMG: Në sa instrumenta luan?

Moz: Unë të gjitha produksionet që i bëj vetë pothuajse 95 % janë të miat, të cilat nuk i luaj me instrumenta, i luaj me piano, por ndërmjet programeve tashmë kemi akses ku mund të vëndosësh edhe violinat, kitaren edhe bateri, bass e shumë të tjera, pikërisht si i kam patur  mendimet e mia i vogël në mendjen time, ku si fëmijë analizoja produksionet në detaje.

CMG: Ti ke punuar për shumë vite në Greqi me produksione të ndryshme, e me artistë të njohur grekë ndër të cilët do të veçoja bashkëpunimin shumë të suksesshme me këngëtarin Sakis Rouvas.  Na trego disa detaje rreth ketyre bashkëpunimeve?

Moz: Me artistët grekë kam punuar kryesisht “në hije”, por kam qenë gjithmonë pjesë e studiove ku bëja orkestrime, programime, back vokale, thjesht nuk dilte emri im. Me Sakis Rouvas ka qenë periudha që unë isha shumë i fokusuar në muzikë dhe vetëm krijoja. Kënga e Sakis me titull “Zitima Zois” që përkthehet "Çështje jete” në gjuhën shqipe, aty kam qëndruar 18 orë pa ndërprerje duke bërë orkestracionin  bashkë me tekstshkruesen, sepse po atë ditë e regjistruam. Ishte një këngë që nuk e dija se deri ku do shkonte, thjesht më mori dhe s’po ndaloja dot, të nesërmen kam fjetur. Këtë këngë ma kërkuan 3 shtëpi diskografike, por Sakis e mori i pari. Ai kishte shkuar në disa emra shumë të njohur kompozitorësh në Greqi për të dëgjuar këngët më të përzgjedhura, sepse është pop-star-i më i njohur grek, është imazhi i “Coca-colës” dhe “Mercedesit” në Greqi. Madje kur zgjidheshin këngët e tij ishin 13 persona në takim për të  vendosur se cila këngë do hynte në album. Kur u zgjodh kënga tjetër që mori Sakis, “Dio Theoi”, ishin po 13 persona që po zgjidhnin këngën që do hapte albumit e tij dhe ata zgjodhën këngët e mia. Por s’kisha dalë asnjëherë me emrin tim deri në ato momente nga ana diskografike. Bëhet fjalë për “Universal music” dhe për këngëtarin Sakis Rouvas, që koncertet e tij i ndjekin mbi 30 mijë persona. Të gjithë të pranishmit, si përfaqësuesit e “Coca-colës”, menaxheri i Sakis, drejtorët e “Universal music”, menaxheri i gjithë përfaqësuesve, ngritën dorën dhe  zgjodhën këngën time, gjë  që mua më dha një përgjigje brenda vetes që, besimi dhe puna që kisha bërë gjithë këto vite, më në fund po më shpërblehej. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, kam patur një leje absolute nga Sakis, mori edhe një këngë tjetër dhe kënga u luajt për një serial në Greqi, gjithashtu kënga u desh edhe për disa reklama, gjë që ishte shumë e mirë nga të gjitha anët. Kam patur bashkëpunim edhe me emra të tjerë, por nuk jam prezantuar me emrin tim nëpër projekte të ndryshme, thjesht bëja punën si pjesë e një produksioni.

Artisti shqiptar Moz  dhe këngëtari grek Sakis Rouvas (Foto nga instagrami)

Artisti shqiptar Moz  dhe këngëtari grek Sakis Rouvas (Foto nga instagrami)

CMG: Tashmë je në Shqipëri, dhe po merresh me produksione dhe menaxhimin e artistëve të rinj. Cilat janë planet e tua dhe materialet e reja muzikore që i ke gati për t’i publikuar së shpejti?

Moz: Planet e reja janë për të publikuar disa këngë të miat, të cilat janë pothuajse gati në studio, gjithashtu së shpejti del edhe kënga e re e këngëtarit Dylan, por edhe një këngë e këngëtares Xhes të cilët unë i kam në menaxhim në kompaninë time “New Global Music”. Mendoj që çdo muaj do të nxjerrim nga një këngë në tregun muzikor si “New Global Music”. Rrymat janë të ndryshme, ka pop, baladë, ka dance, afro, muzikë etnike, popullore, më të modernizuara më komerciale. Nuk kemi menduar diçka fikse, por shoh atë çfarë mund të nxjerr artisti më të mirën nga ana e rrymës muzikore, e tekstit, e vibe-t, energjise e stilit, pra do mundohemi të sjellim më të mirën e të mirave.

CMG: Do keni edhe artistë të tjerë që do i afroni në “New Global Music” ?

Moz: Kemi patur kërkesa për t’u futur në Labelin tonë, por jemi në diskutime, sepse aq sa e lehtë është që të thuash një “po”, por ka aq shumë përgjegjësi. Gjithashtu  aq edhe e lehtë është që të thuash një “jo”, por edhe ajo prapë ka përgjegjësi. Kështu që gjithmonë duhet të jesh i mirëmenduar në hapat që duhen bërë dhe vendimet që duhen marrë.

Moz (Foto personale )

Moz (Foto personale )

CMG: Çfarë do shtoje?

Moz: Së pari uroj që njerëzit të kenë shëndet, të jenë mire. Ju falenderoj ju si media, e shijova shumë këtë intervistë, sinqerisht.

CMG: Kënga jote tjetër kur do jetë dhe kur do nisësh me interpretimet live?

Moz: Së shpejti do jem me interpretimet live, jam në bisedime. Ndërsa kënga e re do të jetë, sapo të vendos se cili do jetë materiali i radhës se kam shumë që presin, po ashtu nga kompania jonë “New Global Music” së shpejti vjen edhe kënga e re e Dylan, që nuk dua ta them tani titullin, por është një këngë që i kushtohet dashurisë. Përsëri nga kompania jonë në muajin mars, do të publikojmë edhe këngën e parë të këngëtares së re Xhes, e cila është ritmike shumë potenciale. Uroj që publiku t’i pëlqejë dhe të kemi sukses.

Intervistoi: Sava Lena