Eurostat: Inflacioni në Eurozonë pati rënie në shkurt
2023-03-05 15:02:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Norma vjetore e inflacionit të Eurozonës parashikohet të bjerë në 8.5 për qind në shkurt nga 8.6 për qind në janar, njoftoi Zyra Statistikore e Bashkimit Europian (Eurostat), në një vlerësim paraprak, cituar nga “Xinhua”.

Sipas Eurostat, rritja e çmimit të energjisë duhet të ngadalësohet në 13.7% muajin e kaluar nga 18.9% në janar. Çmimet e ushqimeve, duhanit dhe alkoolit u rritën me 15% në bazë vjetore në shkurt, krahasuar me 14.1% muajin e kaluar.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Çmimet e mallrave dhe shërbimeve industriale joenergjetike ishin gjithashtu në rritje. Norma vjetore e inflacionit për mallrat industriale joenergjetike parashikohet të arrijë në 6.8 për qind në shkurt, krahasuar me 6.7 për qind në janar. Shifrat përkatëse për shërbimet janë 4.8 për qind në shkurt dhe 4.4 për qind në janar.

Kostoja e energjisë ka qenë shtytësi kryesor i inflacionit në Eurozonë që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 dhe konflikti në Ukrainë. Çmimet e energjisë arritën kulmin në tetor të vitit të kaluar në një rekord prej 41.5 për qind. Në shkurt të këtij viti, rritja në bazë vjetore parashikohet të jetë 13.7 për qind.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Vendet baltike parashikohet të regjistrojnë normat më të larta vjetore të inflacionit muajin e kaluar, me 20.1 për qind për Letoninë, 17.8 për qind për Estoninë dhe 17.2 për qind për Lituaninë. Vendet me inflacionin më të ulët nga viti në vit në shkurt përfshijnë Belgjikën me 5.5 për qind, Spanjën me 6.1 për qind dhe Greqinë me 6.5 për qind. (Irma)