Zef Beka duke interpretuar (facebook)
Zef Beka është një nga artistët e muzikës popullore ndër më të kërkuarit në veriun e Shqipërisë, por edhe në diasporën shqiptare. Ai ka 35 vite karrierë në interpretimin e muzikës së mirëfilltë popullore, duke arritur që të ketë shumë adhurues në të gjithë trevat shqiptare. Zef Beka është këngëtari i shumë hiteve në muzikën popullore dhe vazhdon të jetë artisti më i kërkuar në dasmat shqiptare. Zefi ka mbajtur koncerte në vende të ndryshme të botës deri në SHBA dhe Australinë e largët, ku është pritur mjaft mirë nga publiku atje. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e karrierës së tij, aktivitetet muzikore si dhe projektet në të ardhmen.
Zef Beka (Facebook)
CMG: Kur ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore?
Zef Beka: Unë jam nga Tropoja dhe kam një karrierë muzikore prej 35 viteve. Jam nga fshatrat e Nikaj Mërturit, por prej 35 vitesh që jetoj në qytetin e Lezhës.
CMG: Si kanë qenë këto vite të karrierës muzikore dhe të jeni më i suksesshmi në tregun e muzikës popullore të veriut?
Zef Beka: Unë karrierën muzikore e kam filluar që në moshën fëminore, ku rreth viteve 90-të ne ishim në Tropojë dhe kam punuar në pallatin e kulturës “Dardania”. Fillimet e mia në muzikë kanë qenë që në moshë të vogël, por koha bën të vetën kështu që kemi zbritur nga Tropoja në qytetin e Lezhës, ku prej 35 vitesh kam vazhduar suksesshëm karrierën time muzikore.
CMG: Jeni vlerësuar si zëri më i bukur i këngës popullore të trevës së veriut. Si ndjeheni për këtë vlerësim?
Zef Beka: Faleminderit të gjithë adhuruesve të mi prej të cilëve kam gjetur një përkrahje që nga fëmijëria, por falë zërit tim dhe talentit kam ardhur këtu ku jam sot. Dua t’i falenderoj të gjithë adhuruesit e mi të këngës popullore.
CMG: Keni realizuar mjaft bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore. Kë do të veçoni si bashkëpunimet më të suksesshme?
Zef Beka: Unë kam pasur shumë bashkëpunime me këngëtarë dhe këngëtare të njohura nga Shqipëria dhe Kosova. Kam bashkëpunuar me këngëtaret kosovare Nazife Bunjaku, Flora Gashi, këtë kohët e fundit me Remzie Krasniqin, Merita Spahiun dhe shumë të tjerë. Ndërsa me këngëtarët nga Shqipëria kam pasur bashkëpunime me Fatmira Breçanin, Dava Gjergjin, Vida Kunorën, Elizabeta Markun, me Gjeto Lucën dhe shumë këngëtarë të tjerë të muzikës popullore.
Zef Beka gjate realizimit te nje videoklipi (Facebook)
CMG: Cila ka qenë kënga më e suksseshme në krijimtarinë tuaj muzikore, që ndoshta dhe publiku e ka pëlqyer më shumë?
Zef Beka: Nuk mund të veçoj ndonjë këngë, por të gjitha kanë qenë të suksesshme, por nuk mund të them që të gjitha janë në një nivel. Këto kohët e fundit kam pasur një bashkëpunim me një këngëtare nga Shkodra Elvira Fjerza, një kolazh këngësh që ka shkuar 17 milion klikime në kanalin YouTube dhe mund ta vlerësoj si një nga duetet më të mira. Gjithashtu një duet tjetër i suksesshëm ka qenë me këngëtaren Govi Reka.
CMG: Ju keni udhëtuar për koncerte në shumë vende të botës, deri përtej oqeanit në SHBA dhe Australi. Cilat kanë qenë emocionet e përjetuara kur keni performuar para publikut të diasporës?
Zef Beka: Unë kam 10 vite që shkoj në SHBA për koncerte me shumë këngëtarë të njohur. Gjithashtu kam qenë dhe në Australi, por të them të vërtetën sa më larg të shkosh aq më shumë ndihet atdhedashuria. Kështu që në Australi ka qenë një publik shumë i mrekullueshëm sepse janë dhe të përmalluar ngaqë jetojnë shumë larg. Në koncertet për shqiptarët që jetojnë në SHBA dhe Angli, ku shumë shqiptarë kanë shkuar për një jetë më të mirë dhe sa më larg të jetosh, aq më shumë ndihet malli për vendlindjen.
Zef Beka me kengetarin Gezim Nika (Facebook)
CMG: Flasim për pjesëmarrjen tuaj në dasma dhe gëzime të tjera familjare, sepse jeni mjaft i preferuar në dasmat shqiptare. Si është një dasëm kur performon Zef Beka?
Zef Beka: Unë me thënë të drejtën e ndjej veten shumë të privilegjuar dhe mjaft me autoritet në dasma. I falenderoj nga zemra sepse gjatë gjithë vitit mund të bëj rreth 100 dasma këtu në Shqipëri dhe jashtë vendit. Dasmën e vlerësoj shumë sepse është një gjë e shenjtë, dasma është diçka që vlerësohesh dhe këngëtari duhet të prezantohet bukur.
CMG: Përveç këngëve të trevës së veriut keni interpretuar dhe këngë nga trevat e tjera të vendit?
Zef Beka: Unë nuk shkoj në dasma nga jugu, por edhe këngët e jugut që na lidhin me dasmate veriut i realizojmë, jo ndoshta ashtu siç i këndojnë këngëtarët e jugut por këngë si pogonishtja apo këngë të tjera besoj se i përcjell mirë.
Zef Beka me veshje popullore (Facebook)
CMG: Keni në plan të publikoni ndonjë këngë të re këtë vit?
Zef Beka: Unë kam disa ditë që kam realizuar një duet në bashkëpunim me një këngëtare nga Prishtina, Merita Spahiu dhe besoj se së shpejti do të dalë në treg.
CMG: Çfarë emocioni keni përjetuar kur keni veshur kostumin tradicional popullor të veriut?
Zef Beka: Xhubleta ka hyrë në UNESCO dhe veshjet kombëtare të krahinës sonë janë veshje që vlerësohen sepse jemi lindur dhe rritur me to. Unë krenohem kur dal në një spot televiziv apo një videoklip të këngëve të mia me veshje kombëtare, është një pasqyrë e bukur e veshjes tonë veriore.
CMG: Gjatë karrierë artistike ju e keni ruajtur të pastër muzikën popullore të mirëfilltë, duke e përcjellë mjeshtërisht te publiku dhe kjo është një vlerë për këngëtarin.
Zef Beka: Koha ka evoluar dhe muzika është ndryshe, por ne jemi lindur dhe rritur me këtë folk, kështu që nuk mund të largohemi prej tij. Unë kur marr çiftelinë ndonjëherë dhe më shikon djali im, më thotë që nuk të duhet çiftelia tani. Unë dua të them se ne jemi rritur me këtë folklor dhe do vdesim me atë.
Zef Bka me kengetarin Bujar Qamili (Facebook)
CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar muzikën nga ju?
Zef Beka: Të them të vërtetën jo. Ata kanë ecur më shumë nga muzika moderne, por nuk kanë ku të shkojnë sepse e kanë babain të lindur dhe rritur me çifteli. Duhet ta marrësh jetën ashtu siç vjen.
CMG: Kush kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?
Zef Beka: Unë kam pasur fatin e mirë të bashkëpunoj me poetët Gjovalin Dushaj, Frank Kodra nga Shkodra, Ramazan Çeka si dhe me kompozitorë të mirë si Edmond Zhulali dhe në Prishtinë Burim Krasniqi. Jam ndjerë mirë dhe ka ecuar mjaft mirë puna ime në lidhje me bashkëpunimet e tyre.
CMG: Gjatë karrierës suaj e keni pasuruar foklorin me krijimtari të re muzikore, pra nuk keni interpretuar vetëm këngë të vjetra popullore.
Zef Beka: Unë mundohem që ta pasuroj folklorin, por siç e përmenda dhe më lart jemi përpjekur që ta mbajmë trevën tonë, vlerat që ka zona ku jam lindur dhe rritur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Zef Beka: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit e mi kudo që ndodhen.
Intervistoi: Gazmend Agaj