BSH prezanton politikën ekonomike të të 3 mujorit të parë të 2023
2023-03-03 17:43:31

E gjithë bota po lufton me rritjen e çmimeve, që nisi pas zhbalancimeve të krijuara nga pandemia dhe u përkeqësua, edhe më tej, nga konflikti Rusi-Ukrainë. Në Shqipëri, inflacioni arriti në 8.1% në muajin shtator, niveli më i lartë që nga viti 1998.Së fundmi Banka e Shqipërisë ka prezantuar politikën ekonomike të 3 mujorit të pare të vitit 2023. Ekspertja e ekonomisë Ada Hoxholli komenton këtë raport të bankës qendrore.

Politikat monetare (Foto monitor.al)

Politikat monetare (Foto monitor.al)

CMG: Në terma të përgjithshëm çfarë përmban politika monetare?

Ada Hoxholli: Politika Monetare përmban disa masa apo instrumente me anë të cilave Banka Qëndrore ndërhyn në tregje financiare dhe ekonomi. Objektivi kryesor i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Stabiliteti i çmimeve nënkupton arritjen e normave të
ulëta, por pozitive të inflacionit dhe ruajtjen e tyre në këto nivele për një periudhë
relativisht të gjatë

Ajo përfshin ndërhyrjen dhe/ose qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tregjeve financiare për të arritur objektivin e saj kryesor.

Në tërësinë e saj, politika monetare përmbledh bazën ligjore në të cilën mbështetet, kuadrin teorik që përdoret për modelimin e saj, objektivin operacional të politikës monetare dhe kuadrin e instrumenteve, të cilat përdoren për përmbushjen e tyre.

CMG: Pse është e rëndësishme të njohim politikën monetare?

Ada Hoxholli: Njohja me politikën monetare është shumë e rëndësishmë pasi me anë të saj ndikohet drejtëpërdrejtë mbi çmimet e konsumit dhe të tregut.

Me ruajtjen e stabilitetit të çmimeve bëhet i mundur krijimi i një ambienti monetar të qëndrueshëm që i vjen në ndihmë familjeve dhe bizneseve për të planifikuar konsumin dhe investimet e tyre.

Raporti i politikës monetare publikohet çdo 3 muaj për të mbajtur një marrëdhënie transparence mes Bankës Qendrore dhe publikut.

Mbi këtë raport ne arrijmë të bëjmë një analizë mbi ndryshimet e tregut dhe situatës financiare krahasuar mes muajsh

CMG: Gjatë muajit shkurt u publikua raporti i radhës mbi politikën monetare, çfarë na u prezantua në të?

Banka e Shqiperise (Foto Monitor)

Banka e Shqiperise (Foto Monitor)

Ada Hoxholli: Ekonomia dhe tregjet financiare shqiptare vijojnë të jenë nën ndikimin goditjes së huaj, të shfaqur me inflacion të lartë në vend dhe në botë, pasiguri të shtuar të agjentëve ekonomikë dhe shtrëngim të kushteve financiare.

Aktiviteti ekonomik botëror i tremujorit të fundit të vitit të shkuar rezultoi më i mirë se pritjet.

Në terma makroekonomikë, ecuria e inflacionit pasqyroi rënien e inflacionit të importuar dhe dobësimin e ndikimit direkt të saj në ekonominë shqiptare.Por presionet e brendshme inflacioniste mbeten të larta, të ushqyera nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime, nga përcjellja e rritjes së kostove të prodhimit tek çmimet finale.

Banka Qendrore Evropiane ka vijuar të normalizojë qëndrimin e politikës monetare, në përgjigje të normave të larta të inflacionit dhe të një tregu pune të fortë.Ndonëse në reduktim, pasiguriapër ecurinë e ekonomisë botërore mbetet e lartë si pasojë e ngjarjeve negative dhe fatkeqësive ndodhur së fundmi.

Bankat qendrore pritet të shtrëngojnë më tej qëndrimin e politikës monetare gjatë vitit 2023.Çmimet e larta, reduktimi i hapësirës fiskale dhe shtrëngimi i kushteve monetare pritet të përkthehen në ngadalësim të shpenzimeve dhe të investimeve në periudhën afatshkurtër.

CMG: Çfarë vendi zenë në tregje mallrat e konsumit dhe a kemi sinjale pozitive për rritje ekonomike?

Ada Hoxholli: Në terma të shportës, ecuria e inflacionit pasqyroi rënien e çmimeve të naftës dhe të disa artikujve të ushqimeve, të diktuara nga reduktimi i këtyre çmimeve në tregun ndërkombëtar. Rritja e Prodhimit te Brendshëm Bruto-së u përshpejtua në 4 % gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022, si pasojë e rigjallërimit të aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe e vijimit të trendit pozitiv të sektorëve të shërbimeve. Nga pikëpamja e kërkesës agregate, rritjes ekonomike u mbështet nga ecuria pozitive e konsumit dhe e investimeve pozitive, si dhe nga rritja e eksportit të mallrave e shërbimeve, ndërkohë që zgjerimi I importeve dhe ritmi i ulët i realizimit të investimeve publike vepruan në kahun frenues. Këto dinamika pasqyruan bilancet e shëndosha financiare të bizneseve e familjeve, rritjen e pagave e të punësimit, si dhe mbështetjen e vazhdueshme me kredi bankare. Sektori i shërbimeve dha kontributin kryesor në rritje për tremujorin e tretë të vitit 2022.

Eksportet neto vazhduan të japin kontribut negativ në rritje edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit. Kjo ecuri pasqyroi, nga njëra anë, ngadalësimin e ritmit të rritjes së eksporteve reale (në 0.8%). Kjo lidhet si me një rritje të ngadalësuar të çmimeve ndërkombëtare ashtu edhe me zgjerim të lehtë të sasive të tregtuara.

Politika monetare (Foto monitor.al)

Politika monetare (Foto monitor.al)

CMG: Si shfaqet leku ne krahasim me monedhat e tjera përsa i përket tregut valutor?

Ada Hoxholli: Edhe pse normat e interesit kanë ardhur në rritje, tregjet financiare mbeten likuide dhe me prime të përmbajtura rreziku. Tregu valutor është karakterizuar nga një tendencë mbiçmuese e lekut kundrejt valutave kryesore, si pasojë e prurjeve të larta valutore gjatë këtij viti. Kjo ecuri pozitive e lekut ka ndihmuar në absorbimin e një pjese të goditjeve të huaja në inflacion. Në muajt tetor dhe nëntor, kursi eur/lek qëndroi pranë nivelit mesatar të tremujorit të tretë të vitit, prej 117.1 lekë/euro. Kursi eur/lek zbriti në 114.9 lekë/euro në muajin dhjetor, me një mbiçmim vjetor të lekut prej 4.9%. Në tre javët e
para të muajit janar, euro është kuotuar me mesatarisht 116.4 lekë/euro, duke regjistruar një prapësim të pjesshëm të mbiçmimit të lekut gjatë muajit dhjetor.

Leku është mbiçmuar edhe kundrejt dollarit amerikan duke zbritur në nivelin 108.5.

CMG: Si paraqitet gjendja mbi pagat apo normën e papunësisë?

Ada Hoxholli: Norma e papunësisë vijoi të bjerë në minimum. Papunësia ka rënë në nivelin 10.6%, norma më e ulët e regjistruar. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ky tregues u tkurr me 0.5%  Paga mesatare në sektorin privat ka vazhduar të zgjerohet me ritme dyshifrore gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022. Rritja vjetore arriti nivelin 12.3%, nga 11.9% një tremujor më pare. Ndër kontributet sektoriale, spikatën në mënyrë të veçantë degët e “Tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, “Industrisë”, “Administratës publike” dhe “Informacionit dhe komunikacionit”.Efekti nga paga është më i fortë se ndikimi nga rritja e produktivitetit, ashtu sikurse në tremujorin e
mëparshëm.

CMG: Me këto ritme cfarë parashikohet për 2023 mbi stabilitetin e çmimeve apo ndryshimet ne tregjet financiare?

Ada Hoxholli: Aktiviteti ekonomik në vend pritet të zgjerohet gjatë viteve në vazhdim. Megjithatë, ritmi i rritjes pritet të vijë në ngadalësim gjatë vitit 2023 dhe t’i kthehet gradualisht normalitetit gjatë vitit të ardhshëm. Në afatin e shkurtër, ngadalësimi pritet të reflektojë një rritje më të dobët të kërkesës së huaj për mallra e shërbime, pasiguritë ende të larta të agjentëve ekonomikë, si dhe ndikimin negativ që inflacioni i lartë ka në fuqinë blerëse të familjeve.

Inflacioni parashikohet të ulet gradualisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024. Rënia e inflacionit përgjatë vitit 2023 faktorizon rënien e pritur të inflacionit të ushqimeve dhe të naftës në tregjet botërore, si pasojë e efektit bazë dhe e stabilizimit të çmimeve të lëndëve të

para. Në të njëjtën kohë, normalizimi i politikës monetare në vend do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për një balancim më të mirë midis kërkesës dhe ofertës në ekonominë vendase.”

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar mesatarisht me 0.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike gjatë pesë viteve të fundit. Banka e Shqipërisë e realizon vlerësimin e efektit të politikës monetare në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe treguesit e tjerë makroekonomikë duke kryer disa prova ushtrimore.