Shoqata Papa Xhovani XXIII së bashku me Qendrën Ditore të Rehabilitimit “Frederik Prenga” zhvillojnë kurse teatri për grupmoshat nga 18 -70 vjeç, pranë ambjenteve të Kishës Françeskane në Tiranë. Drejtori i qendrës Marcello Requirez dhe kjo shoqatë, ftojnë të gjithë personat që kanë pasion artin e interpretimit, për të marrë kurse falas me artisten, aktoren dhe regjisoren Klodiana Kadillari, fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare. Kjo është një ftesë e hapur për të gjithë ata që kanë dëshirën për të aktruar, interpretuar dhe për të mësuar bazat e regjisë së dokumentarit. Për këtë nismë flet për Radio Ejani aktorja, regjisorja njëherësh psikologia Klodiana Kadillari.
Posteri i projektit (Foto personale)
CMG: Jeni pjesë e projektit të Kompanisë Teatrale "Mund të bëhet". Si nisi kjo nismë?
Klodiana Kadillari: Kompania Teatrale "Mund të bëhet" fton të gjithë ata që kanë dëshirë të bëhen aktorë dhe ketë mundësi e ofron Shoqata Papa Xhovani XXIII në Tiranë. Një vit më parë patën fatin që përfituesit e Qëndrës Ditore të Rehabilitimit Frederik Prenga, erdhën me një shfaqje teatrale, ku kjo shfaqje pati një sukses shumë të madh. Ndjehem e lumtur bashkë me përfituesit pasi e kemi dhënë shfaqjen në Tiranë, Maqedoni dhe pretendimi im këtë herë është që të vihet një shfaqje teatrale edhe jashtë Shqipërisë, ku pretendohet Italia. Ne e ftojmë publikun shqiptar që të bëhet pjesë e Kompanisë Teatrale "Mund të bëhet", të marrin pjesë në kursin e teatrit, që është një kurs falas dhe këtë mundësi e jep kjo Shoqatë. E falenderoj Drejtorin e Qëndrës "Frederik Prenga" Marcello Requirez, për këtë mundësi që i jep publikut shqiptar.
Klodiana Kadillari (Foto personale)
CMG: Pra ky është një kurs i hapur për këdo që ka dëshirë aktrimin edhe pse nuk është marë asnjeherë me të. Sa do të zgjasin mësimet e këtij kursi?
Klodiana Kadillari: Kursi do të zgjasë rreth një vit, ku i jepet mundësia grupmoshave nga 18 deri më 70 vjeç. Mund të jenë persona që i përkasin profesioneve të ndryshme, mund të vijnë edhe shtëpiake që e kanë pasur ëndërr, por nuk i është dhënë mundësia asnjëherë të merren me aktrim, të gjithë janë të ftuar të afrohen pranë qendrës tonë që të marrin mësime për një vit me radhë. Kur ata të jenë gati, do të realizojmë një shfaqje teatrale, të cilën do e japim jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë saj.
CMG: Nuk është kurrë vonë për të bërë realitet dëshirat.
Klodiana Kadillari: Edhe unë nga eksperienca ime, pasi kam konkuruar disa herë në Akademinë e Arteve dhe nuk më jepej mundësia, sot jam këtu ku jam. Me këtë nismë menduam që t’u japim mundësinë edhe njerëzve që kanë bërë përpjekje, por nuk kanë patur mundësi për të studiuar artet, të vijnë të bëhen pjesë e Kompanisë Teatrale "Mund të bëhet”. Kursi do të zhvillohet pranë ambjenteve të Kishës Françeskane Tiranë, Rruga; Ali Pashë Gucia.
Klodi Kadillari (Foto personale)
CMG: E keni vendosur se cilën shfaqje do vini në skenë?
Klodiana Kadillari: Ende jo, sepse duhet të shohim se kush do paraqitet. Do merret formimi didaktik, proceset mësimore, ku do të jetë diksioni, fjala artistike, përqëndrimi, relaksimi, kostumografi, skenografi, pra të gjithë elementët që mund të duhet të marë një student dhe më pas e vendosim bashkarisht. Mund të jetë një komedi, mund të jetë dramë, në bazë të gjykimit të karaktereve të personazheve, pra është një proces i gjatë për t’u menduar deri në fund të këtij cikli.
CMG: Sa studentë do të pranohen?
Klodiana Kadillari: Kemi menduar deri në 10 persona, sepse një shfaqje nuk mund të ketë më shumë se aq.
CMG: Paralelisht me këta persona që do të afrohen për kursin e aktrimit falas, ti po punon edhe me persona të tjerë pranë kësaj qëndre?
Klodiana Kadillari: Po është e vërtetë, do punoj me dy grupe paralele. Grupi i parë do jetë grupi i Qendrës "Frederik Prenga", të cilët më pas do bashkohen me grupin tjetër që do të afrohet pranë qendrës.
Veprimtari të qendrës (Foto personale)
CMG: Faleminderit dhe suksese të gjithëve!
Klodiana Kadillari: Faleminderit për intervistën! Uroj që Radio Ejani të jetë një ogur i mirë edhe për këtë nismë. Ndjehem shumë e lumtur që e ndava këtë projekt në këtë intervistë me ju.
- Kanë qenë të shumta aktivitetet e formimit pranë kësaj qëndre, të cilat në këto tre vite, nëpërmjet projektit "Mund të bëhet", kanë gjallëruar jetën e personave të ndryshëm pranë Qendrës "Frederik Prenga". Tashmë përveç tyre, do të kenë mundësinë që individë të ndryshëm t’i bashkangjiten kursit të aktrimit që do të zgjasë rreth një vit dhe pas finalizimit do të zhvillohen disa shfaqje teatrale në Shqipëri jashtë kufijve, në Itali.
Intervistoi: Sava Lena