Erdogan: Turqia do të zhvillojë zgjedhje më 14 maj pavarësisht tërmeteve
2023-03-02 16:59:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, njoftoi të mërkurën se qeveria e tij planifikon të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 14 maj, ndërsa vendi është ende duke u rikuperuar nga dy tërmete shkatërruese që goditën një pjesë të madhe të rajonit të tij jugor në fillim të shkurtit.

“Po vjen koha. Ky komb do të bëjë atë që është e nevojshme më 14 maj. Asnjë meritë nuk do t'u jepet atyre që flasin bosh”,- deklaroi presidenti Erdogan para anëtarëve të partisë së tij në Parlament, shkruan “Xinhua”.

Presidenti turk më herët kishte thënë se zgjedhjet do të mbaheshin më 14 maj për të shmangur migrimet sezonale të votuesve dhe provimet universitare në fillim të verës.

Në vazhdën e dy tërmeteve të mëdha të 6 shkurtit që vranë më shumë se 45.000 persona në vend dhe shkaktuan humbje të mëdha pronash, Turqia filloi të diskutojë nëse zgjedhjet e planifikuara për maj ose qershor duhet të shtyhen apo jo.

Tërmetet masive, me qendër në Turqinë juglindore, prekën 10 provinca, ku banonin më shumë se 13 milionë njerëz. Lëkundjet shkatërruan gjithashtu dhjetëra mijëra ndërtesa, duke lënë të pastrehë dhjetëra mijëra turq.

Më shumë se 11.000 pasgoditje kanë tronditur rajonet e goditura nga tërmeti që nga lëkundjet e 6 shkurtit, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave.

Rreth 2 milionë njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti, sipas agjencisë së fatkeqësive. (Elona)