Rama: Universitetet shqiptare synojnë të integrojnë programet me universitetet italiane dhe europiane
2023-03-02 11:30:44

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar përpjekjet për të integruar programet e universiteteve shqiptare me ato europiane.

Deklaratën e tij kryeministri shqiptar e bëri në Peskara, ku u ftua për të marrë pjesë në nisjen e vitit akademik me ftesë të universitetit të njohur, “Gabriele d’Annunzio”. Kryeministri Rama vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë me Italinë, që sipas tij, është thelluar kohët e fundit, bën të ditur “RTSH”.

“Është një bashkëpunim që është intensifikuar kohët e fundit, sepse ne po përpiqemi që të mund të integrojmë universitetet tona sa më shumë në Shqipëri, programet tona me universitetet dhe programet evropiane dhe italiane kryesisht, sepse Italia është e veçantë për ne dhe vjen natyrshëm”,- tha Rama.

Kryeministri tha se Italia është ajo që imagjinon për të ardhmen e Shqipërisë.

“Për mua Italia është gjithmonë një rikthim në të ardhmen, sepse Italia është ajo që unë imagjinoj për të ardhmen e Shqipërisë, jo ajo e Gjermanisë apo ajo e Francës, edhe pse janë shumë të bukura, të mëdha, por unë preferoj gjenialitetin dhe shkujdesjen italiane. Gjithashtu, sepse ne nuk mund të bëjmë si gjermanët edhe nëse duam”,- shtoi kryeministri Edi Rama. (Elona)