Kina kërkon bashkëpunim më të fortë të G20-s për të nxitur multilateralizmin dhe zhvillimin global
2023-03-02 20:59:25

Kryediplomati kinez Qin Gang në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s(Foto:CGTN)

    Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang u bëri thirrje të enjten anëtarëve të Grupit 20 (G20) të zhvillojnë bashkëpunim më të ngushtë për të nxitur multilateralizmin e zhvillimin global.

    Në fjalimin e tij në Mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të G20-s, që u mbajt më 1-2 mars në Nju-Delhi, kryeqytetin e Indisë, vendit kryetar të radhës të kësaj organizate,     kryediplomati kinez u kërkoi anëtarëve të G20-s të angazhohen për të nxitur multilateralizmin, arritjen e konsensusit, globalizimin dhe sigurimin e rezultateve të Samitit të G20-s të mbajtur në nëntorin e vjetshëm në Bali.

    Qin tha se përballë një situate të paqëndrueshme ndërkombëtare dhe sfidave globale në rritje, G20-a duhet të rrisë bashkëpunimin dhe të kontribuojë në zhvillimin dhe lulëzimin global.

Foto:VCG

Foto:VCG

    Sipas tij, anëtarët e G20-s duhet të praktikojnë multilateralizmin e vërtetë, të mbështesin sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e normave bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare sipas parimeve të Kartës së OKB-së.

    Ai theksoi parimet e zhvillimit të dialogut në mënyrë të barabartë dhe të arritjes së konsensusit përmes konsultimeve mbi çështje globale.

    "Askush nuk duhet të synojë politikën e forcës apo kundërvënien në grup," vuri në dukje kreu i diplomacisë kineze.

Anëtarët e G20-s duhet të promovojnë globalizmin, të refuzojnë unilateralizmin e proteksionizmin dhe të sigurojnë funksionimin e qëndrueshëm të zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit, tha ministri i Jashtëm kinez.

Sipas tij, Nisma e Zhvillimit Global e propozuar nga Kina ka ofruar një alternativë të re për vënien në jetë të Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.

    Kryediplomati kinez bëri thirrje njëkohësisht për rritjen e koordinimit të politikave makroekonomike, ruajtjen e sigurisë ushqimore e energjetike, përmirësimin e qeverisjes ekonomike globale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim.

Foto:VCG

Foto:VCG

    "Kina është vendi që ka pezulluar më shumë pagesa të borxheve ndër anëtarët e G20-s. Ne shpresojmë që institucionet financiare shumëpalëshe dhe kreditorët komercialë do të përfshihen aktivisht në trajtimin e borxheve të vendeve në zhvillim", tha ministri Qin.

Lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë, Kina ka paraqitur Nismën e Sigurisë Globale dhe ka publikuar një dokument qëndrimi mbi zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë, tha Qin Gang, duke shtuar se “do të qëndrojmë gjithmonë në anën e paqes, do të promovojmë në mënyrë aktive bisedimet e paqes dhe do të luajmë një rol konstruktiv”.(Zhang Yan/Artan)