Zëdhënësja: Kina mirëpret kompanitë e huaja në tregun e vet
2023-03-02 16:36:21

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kina mirëpret kompanitë e huaja, duke përfshirë ato amerikane, që të hyjnë në tregun e saj, të ndajnë përfitimet e zhvillimit dhe të nxisin së bashku rritjen e ekonomisë globale, theksoi të mërkurën në një konferencë të rregullt shtypi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

Ajo u bëri këto komente në përgjigje të raporteve të medias se shumë ndërmarrje amerikane planifikojnë të zgjerojnë biznesin e tyre në Kinë, si edhe të sondazhit më të fundit Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinën Jugore, sipas të cilit mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të pyetura e vlerësojnë Kinën ndër destinacionet më të rëndësishme të investimeve.

Mao tha që faktet kanë provuar se Kina është një treg premtues për investimet e huaja, falë madhësisë së tij dhe zinxhirit të plotë industrial e të furnizimit, si edhe përpjekjeve të Kinës për të nxitur hapjen e nivelit të lartë, për të përkrahur sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe për t'u ofruar investitorëve të huaj një mjedis biznesi më të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj dhe të ndërkombëtarizuar.

Ajo vuri në dukje se në janar, investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kinë arritën në 127.69 miliardë juanë (rreth 19 miliardë dollarë), duke u rritur me 14.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vjetshëm, çka shënon një fillim të mbarë për investimet e huaja në Kinë këtë vit.

Investitorët e huaj, duke përfshirë kompanitë amerikane, kanë qenë optimistë rreth tregut të Kinës dhe planit për të rritur investimet e tyre në Kinë, tha zëdhënësja e diplomacisë kineze, duke shtuar që të dhënat nga Departamenti i Tregtisë i ShBA-së tregojnë që tregtia e mallrave ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës arriti një rekord prej 690.6 miliardë dollarësh amerikanë vitin e kaluar.

Të gjitha këto dëshmojnë se bashkëpunimi në fushën e tregtisë dhe të investimeve ndërmjet Kinës e ShBA-së është me dobi të ndërsjellë, ndërsa "shkëputja" është e dëmshme, jopopullore dhe e pazbatueshme, tha zëdhënësja Mao Ning.