Të rinjtë, të cilët guxojnë dhe futen në botën letrare janë të rrallë në Shqipëri sepse vetë kjo fushë kërkon një bagazh të madh dhe një botë të pasur.
Megjithatë ata që shkruajnë, lexojnë dhe promovojnë librin janë frymëzim për të gjithë të rinjtë e tjerë, të cilët duhet të marrin inicativën për të dëgjuar zërin e tyre të brendshëm dhe për ta pasqyruar atë nëpërmjet penës. Brajan Sukaj përdor një stil unik, me fjalor të përzgjedhur e të pasur dhe figura stilistike të panumërta, të cilat i shtojnë dozën artistike romanit të tij.
Brajan është vlerësuar si fitues i çmimit për Librin më të mirë në Panairin e 21 të librit. Disa nga librat e tij janë: “Viti i elefantit”, “Ciklopi” dhe së fundmi “I pushtuari dhe nata”.
Dy vjet më parë romani i tij në dorëshkrim “Viti i Elefantit” doli në short-listën e Çmimit Kadare. Ky roman i pazakontë, në të cilin nuk përcaktohet drejtpërdrejt as koha e as hapësira, e aq më tepër personazhet mbeten të paemërtuar, duke e humbur kështu nevojën e përshfaqjes, por duke i dhënë rëndësi ngjarjeve dhe përmbajtjes së vërtetë. Për librin “Viti i elefantit”, janë shkruar kritika të ndryshme, të cilat autori i ri i cilëson të vlefshme për vijimin e punës së tij.
Brajan Sukaj
Dr. Durim Çaça, ka thënë për këtë libër se : Koha e historisë, e këtij miti të fortë, është dhe koha e romanit. Por karakteri përrallor, energjia mitike e ngjarjes dhe rrëfimit, duket se po humbin gjthnjë e më shumë në artin e sotëm të letraritetit, prej logjikës demonstrative të performancës, në emër të ngulitjes së historisë si formë e dukshme “objektive”, në dëm të miteve që e përshkonin thellësisht tronditshëm. Por ndodh që rikthehet herë pas here ky shpirt historik kumti, ky vrundullim mitik, si në romanin e ri “Viti i elefantit”, (Ombra GVG, Tiranë, 2020), të prozatorit të talentuar, Brajan Sukaj.
“Letërsia për mua është një proces njohje. Një shkrimtar i njohur portugez shprehej se si nëpërmjet letërsisë autori bëhet nxënësi i personazheve te vet. Pra nëpërmjet veprës dhe personazheve të saj, autori mëson, kupton, njeh më mirë, si mjedisin që rrethon, ashtu edhe veten e tij”, thotë Brajan Sukaj.
Në intervistë për Radio Ejani autori Brajan Sukaj rrëfen jetën dhe karrierën e tij letrare.
Romani Viti i elefantit (Foto Bukinist)
CMG: Kur ka lindur për ju pasioni për shkrimin dhe leximin, një proces që po e përsosni me kalimin e viteve?
Brajan Sukaj: Unë kam qenë një fëmijë i urtë. Kam lindur në Kavajë dhe kam jetuar aty për katër vite dhe më pas emigrova drejt Italisë ku po ashtu kam jetuar katër vite të tjera. Në profesion jam jurist dhe kam nisur të shkruaj vonë, në moshën 28-vjeçare. Unë mendoj që njeriu duhet të pjekë mendimet dhe idetë që ka dhe më pas të punojë fort për t’i zbatuar ato. Libri “Ciklopi” është vepra ime e parë e botuar.
CMG: “Ciklopi” ka pasur kritika, por dhe shumë vlerësime, apo jo?
Brajan Sukaj: Po ka pasur dhe është pritur mirë si libër. Unë mendoj që bërthama e librit “Ciklopi”, ashtu si çdo vepër tjetër buron nga nëndija, më pas vazhdoi sipas ligjësisë së shkak-pasojës. Bërthama është një grua që sjell në jetë një fëmijë ndryshe nga të tjerët. Si do të pritej kjo gjë nga shoqëria? Është një pyetje që ngrihet vetvetiu, sepse njeriu është i lidhur ngushtësisht me mjedisin që e rrethon. Është një temë e njohur më parë, por siç thotë një autor bashkëkohor amerikan “Librat përbëhen nga libra të tjerë”. Ka pasur shumë komente për këtë liber dhe pati shumë jehonë duke i hapur rrugën librit tim të dytë, pra shtroi shumë baza ky libër.
CMG: Libri juaj është cilësuar si “një galeri pikturash ku degjohet ai që flet për to dhe ato ndërtohen në përfytyrimin e lexuesit”
Brajan Sukaj: Letërsia është para së gjithash një art dhe në këtë pikë ka shumë pika të përbashkëta me pikturën. Në të parën gjërat përcillen me fjalë, në të dytën me ngjyra, por duke qenë se letërsia disponon edhe figurat letrare, ironinë, mbivendosjen, kjo gjë e bën letërsinë me efikase se piktura në përçimin e ndjesive, gjendjes emocionale dhe botës së brendshme të personazheve në vepër. Përshkrimi i natyrës, i motit dhe i qytetit, i cili bëhet vazhdimisht ne vepër, sillet me qëllim që të përshkruajë paralelizmin e tyre me botën e brendshme të personazheve dhe të rrëfyesit i cili, nuk duhet harruar se është një entitet i pavarur nga autori. Mundohem të pikturoj me fjalë atë që përfytyroj në mënyrë që të bëj sa më konkrete atë që dua të shpreh.
Libri Ciklopi nga B. Sukaj (Foto Bukinist)
CMG: Libri juaj “I pushtuari dhe nata”, pse ka pasur kaq shumë impakt tek lexuesit?
Brajan Sukaj: Nuk di të shkoj përtej asaj që shoh, thjesht mendoj që kanë gjetur veten sepse është bashkëkohës. Ndoshta ngaqë dy librat e parë janë edhe më abstraktë.
CMG: Çfarë keni dashur të sillni përmes kësaj vepre?
Brajan Sukaj: Do ndalesha tek të tre librat e mi, të cilët kanë një sfond të ndryshme nga njëri-tjetri. “I pushtuari dhe nata”, tregon se si kjo shoqëri konsumiste ndikon tek ndërgjegjet e njerëzve.
CMG: Nëse mund të ndalemi tek dilemat tuaja në këtë botë artistike, cilat janë ato?
Brajan Sukaj: Jeta e një shkrimtari të ri është e mbushur me sfida. Si do të pritet nga një lexues që anon gjithnjë e më shumë nga autorët e huaj? Çfarë impakti do ketë vepra e tij midis një morie librash të tjerë? A do të vazhdojë të shkruajë në të ardhmen vepra të tjera, apo do të harrohet siç janë harruar plot autorë të tjerë që e kanë nisur me vepra shumë të mira, por më pas nuk kanë shkruar më?
Leximet që më tërheqin janë më tepër romanet klasikë, por lexoj edhe nga proza bashkëkohore. Shkruaj çdo ditë nga një faqe dhe e lë shkrimin aty ku e di se si do të vazhdojë më tej, në mënyrë që të shmang atë që quhet bllokimi i shkrimtarit.
Romani I pushtuari dhe nata (Foto Bukinist)
CMG:Pse duhet t’ju lexojnë ?
Brajan Sukaj:Kjo është tepër e vështirë për ta thënë një autor, por mendoj që e ndihmon që botën ta shohë në një formë tejtër shumë më ndryshe. Mendoj që romani është për të gjithë grupmoshat, sepse, duke qenë se ka një strukturë të thjeshtë dhe konkrete është lehtësisht e kapshme për çdo lexues.
CMG:Cilët janë autorët shqiptarë, të cilët ju i vlerësoni tepër?
Brajan Sukaj: Autori im i preferuar është Agron Tufa, një nga njerëzit me mendesi dhe penë shumë të rëndësishme.
CMG: A keni një mesazh për të rinjtë që sapo kanë nisur të shkruajnë?
Brajan Sukaj: Vazhdoni në këtë rrugëtim të gjatë dhe të bukur, mos i ndaloni ëndrrat tuaj dhe mos dyshoni tek ato.
Intervistoi Megi Latifi