Aksident tragjik hekurudhor në Greqi, dhjetëra viktima nga përplasja e dy trenave
2023-03-02 11:40:04

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përplasja e dy trenave, njëri me pasagjerë dhe tjetri mallrash, rezultoi fatal në Greqinë qendrore, duke u marrë jetën të paktën 36 personave, plagosur dhjetëra të tjerë, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë në njësitë e kujdesit intensiv, njoftoi Shërbimi grek Zjarrfikës, citon “Xinhua”.

Më shumë se 150 zjarrfikës, duke përfshirë njësi speciale, u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Vasilios Vathrakogiannis.

Përpjekjet janë përqendruar në tre vagonët e parë të trenit të pasagjerëve që u përplas me një tren mallrash afër mesnatës e së martës në komunën e Tempit, shtoi ai. Pas përplasjes janë përfshirë nga flakët.

Gjithsej 346 pasagjerë ishin në trenin e pasagjerëve, njoftoi transmetuesi kombëtar “ERT”, duke cituar operatorin hekurudhor “Hellenic Train”.

Policia greke ka nisur hetimin për shkaqet e aksidentit.

Treni i pasagjerëve ishte nisur për në qytetin port të Selanikut në Greqinë veriore nga kryeqyteti Athina, ndërsa treni i mallrave ishte nisur nga Selaniku për në Athinë.

Kryetari i Shoqatës së Makinistëve, Kostas Genidounias, tha për “ERT” se ka mangësi në funksionimin e hekurudhave që duhen adresuar. Sistemet elektronike të kontrollit të trafikut që paralajmërojnë drejtuesit e mjeteve për rreziqet përpara nuk kishin funksionuar dhe rrjeti Athinë-Selanik funksiononte në modalitetin manual, tha ai.

Kryqi i Kuq Helen u ka bërë thirrje njerëzve të dhurojnë gjak në një shesh qendror në qytetin e afërt të Larisës për të ndihmuar të plagosurit. (Elona)