Ekspertët komentojnë rritjen e pagës minimale
2023-03-02 11:07:47

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është pro rritjes së pagës minimale në shkallë vendi në 40 mijë lekë. Në një intervistë për televizionin  SCAN, Kryetari i kësaj Dhome Nikolin Jaka, e konsideron këtë lëvizje të vonuar, ndërsa shprehet se fuqia punëtore e pakët nuk duhet shfrytëzuar dhe nuk duhet të jetë e keqpaguar.

Punëtor(Foto Ballkanweb)

Punëtor(Foto Ballkanweb)

“Personalisht jam i prirur të them se është një lëvizje e vonuar dhe rritja është minimaliste. Si sipërmarrës, por edhe në cilësinë e kryetarit  të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë mendoj se Shqipëria nuk e ka as luksin, as komoditetin që të ofrojë për sipërmarrjet shqiptare krahun e punës si të vetmin objektiv për të dalë bilanci pozitiv. Pra bilanci i një kompanie, përpara se të fillojë biznesin duhet të hartojë në një mënyrë të tillë që krahu i punës të jetë vlerë e shtuar dhe jo shfrytëzim maksimal. Nëse ne do të shkojmë drejt këtij objektivi, unë jam i bindur që paga minimale në Shqipëri do rritet shumë shpejt dhe do jetë e kënaqshme për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm kaq, por do sjellë dhe një qarkullim të ndjeshëm në shërbimet dhe produktet e konsumit vendor. Nëse ne duam të konkurrojmë aktualisht i vetmi konkurrent ngelet Bangladeshi dhe Pakistani sepse Indonezia, India dhe Kina kanë dalë tashmë nga kërkesat e bizneseve ku e shohin pagën si mjet fitimi për kompanitë. Atëherë ne duhet të bëjmë një analizë që e kemi të pamundur t’i konkurrojmë këto vende. Sepse kemi Bangladeshin me një popullsi miliona dhe po ashtu dhe Pakistanin me një popullsi që përballon pagat e tilla”, u shpreh Jaka

Sipas tij, Shqipëria i ka mundësitë për paga të larta.

“Duke patur parasysh resurset dhe potencialet që vendi ynë ofron për sipërmarrjen private, realisht është mëkat që të ketë paga të ulëta. Kemi Malin  e Zi, një vend që jeton vetëm nëpërmjet turizmit dhe shumë pak nëpërmjet produkteve dhe shërbimeve apo industritë e tjera dhe paga minimale është 520 euro. Pra është shumë e thjeshtë. Unë mendoj që më shumë mungojnë analistët për të bërë një analizë të saktë dhe të thelluar se si mundet ekonomia shqiptare të gjenerojë vlerë të shtuar, jo vetëm për sipërmarrjen private por edhe për kapitalin human apo për qytetarin shqiptar, i cili duhet të përfshihet në ekonominë vendore. Ndërkohë nga ana tjetër është mëse normale dhe i bëj thirrje qeverisë shqiptare, që të rrisë produktivitetin e krahut të punës, produktivitetin e kapitalit human në Shqipëri.”- tha Jaka.

Qeveria, sipas Jakës duhet të hartojë politikat dhe instrumentet e duhura për të arritur në përshtatjen profesionale të kapitalit human.

Nikolin Jaka (Foto Dhoma e Tregtise dhe Industrise Tirane)

Nikolin Jaka (Foto Dhoma e Tregtise dhe Industrise Tirane)

“Rritja e produktivitetit do të thotë, organizimi i një skeme të mirëfilltë të trajnimit për përshtatjen për punësim. Në punën më të rëndomtë, unë ju siguroj që kapitali human në Shqipëri, që mund të jetë i angazhuar nuk e di dhe nuk e ka parasysh protokollin e asaj pune. Sepse çdo punë sado e rëndë, apo e lehtë të jetë ka një protokoll në bërjen e saj. Këtu ne çalojmë tek pjesa që çdo punonjës ka për t’u përballur dhe për ta kthyer punën e vet në vlerë të shtuar për kompaninë. Këtu jam dakord dhe qeveria do të ketë kujdes nëpërmjet instrumenteve dhe institucioneve përgjegjës të hartojë politikat dhe instrumentet e duhura sesi duhet të arrijë në përshtatjen profesionale të kapitalit human. Një tjetër fenomen që sot kemi ne aktualisht në punësimin në Shqipëri, është edhe dembelizmi. Ndodh pasi dikush fillon punë në një kompani, prezantohet në punën dhe shikon se në këtë kompani punohet dhe jo vetëm vihet në punë, por punohet. Atëherë që në ditën e parë apo të dytë paraqet reklamimin e vet që unë nuk vij nesërmen, qoftë për halle familjare etj etj. Shumica e përdorin për të marrë asistencë sociale”, theksoi ai.

Ka dhe një mungesë vullneti nga qytetarët për të punuar, ndërkohë punë ka sipas Nikolin Jakës.

“ Vërtetë mund të ketë një shifër papunësie në Shqipëri, por realisht kjo shifër është jo në përputhje me realitetin. Sepse shumica e punonjësve nuk duan të punojnë, jo se nuk kanë punë. Nuk duan të punojnë. Ky është një problem tjetër që edhe në këtë rast, qeveria shqiptare duhet të ketë organet e hetimit, të inspektoriateve apo të zyrave të punës për njerëzit që refuzojnë punën. Sepse nuk mundet që nga taksat tona t’i jepet asistencë sociale për të gjithë atë shtresë të caktuar njerëzish që janë të aftë të punojnë, por nuk punojnë, dhe nxjerrin 500 mijë pretendime për të mos të qenë në punë. Kjo na kthehet në një kosto që është rreth 10 apo 11 % numri i papunësisë në Shqipëri. Pra është pothuajse sa gjysma e pensionistëve.”, bën të ditur ai

Paga në lekë (Foto Monitor.al)

Paga në lekë (Foto Monitor.al)

Qeveria vendosi të rrisë pagën minimale në 40 mijë lekë duke filluar nga data 1 prill. Biznese të sektorit të bujqësisë, peshkimit, pyjeve dhe industrisë përpunuese, do të kenë lehtësi, pasi qeveria do t’u subvencionojë koston shtesë të sigurimeve shoqërore.