Bashkëpunimi midis Kinës dhe FMN-së, me përfitime për mbarë botën
2023-03-02 11:35:13


Foto nga VCG

Përballë situatës së komplikuar ndërkombëtare dhe rajonale, bashkëpunimi miqësor ndërmjet Kinës e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është i favorshëm jo vetëm për të dyja palët, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, për përballimin e përbashkët të sfidave, tha kryeministri kinez Li Keqiang gjatë bisedës telefonike të mërkurën me Drejtoreshën Menaxhuese të FMN-së, Kristalina Georgieva.

Duke vënë në dukje se Kina është vendi më i madh në zhvillim në botë dhe një promovuese aktive e bashkëpunimit Jug-Jug, Li vuri në dukje se pala kineze përpiqet për të mbyllur hendekun Veri-Jug.

Trajtimi i problemit të borxhit të vendeve me të ardhura të ulëta kërkon pjesëmarrjen e të gjithë kreditorëve, tha kreu i qeverisë kineze, duke vënë në dukje se Kina mbetet e gatshme të luajë rol konstruktiv në zgjidhjen e çështjeve të borxhit të vendeve përkatëse brenda kuadrit shumëpalësh.

Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të gjitha palëve të punojnë së bashku dhe të ndajnë barrën në mënyrë të drejtë, për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta në tejkalimin e sfidave ekonomike dhe arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

Vitin e kaluar, faktorë të papritur, si pandemia e COVID-19, patën një ndikim të rëndësishëm në ekonominë kineze, tha Li Keqiang-u, duke vënë në dukje se qeveria u përgjigj shpejt dhe me vendosmëri, duke zbatuar përpara afatit politikat dhe masat e përcaktuara dhe duke publikuar një paketë politikash dhe masash të reja për të stabilizuar ekonominë, duke stabilizuar njëkohësisht edhe tregun makroekonomik.

Gjatë gjithë vitit, në qytetet dhe qytezat e mbarë vendit u shtuan mbi 12 milionë vende të reja pune, theksoi Li, duke shtuar se përballë inflacionit të lartë global, treguesi i çmimeve të konsumit u rrit me vetëm 2 për qind.

Në tre vjetët që kur shpërtheu COVID-19, Kina ka ndjekur rregullore makroekonomike inovative, duke u fokusuar në stimulimin e gjallërisë së tregut dhe krijueshmërisë shoqërore përmes masave të tilla si ulja e taksave e tarifave, tha Li.

Ekonomia kineze është rritur me një normë mesatare vjetore prej 4.5 për qind, më e lartë se mesatarja botërore. Aktualisht, rritja ekonomike e Kinës po stabilizohet dhe po rimëkëmbet, me potencial të madh zhvillimi në të ardhmen, theksoi kryeministri kinez Li Keqiang.

Nga ana e saj, Drejtoresha Menaxhuese e FMN-së Kristalina Georgieva tha se ekonomia kineze, e cila kohët e fundit ka pasur një ecuri të mirë, ka kontribuuar në zhvillimin ekonomik të botës dhe do të vazhdojë të jetë shtytësja kryesore e rritjes ekonomike globale, duke shtuar se FMN-ja ka rritur ndjeshëm parashikimet e saj për rritjen ekonomike të Kinës.

Georgieva falënderoi palën kineze për qëndrimin e saj pozitiv dhe konstruktiv, si edhe për përpjekjet e saj për të ndihmuar vendet në zhvillim në përballimin e krizës së borxhit, duke shtuar se FMN-ja dëshiron të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Kinën për këtë çështje. (Çang Çuo)