Rusia pezullon zyrtarisht pjesëmarrjen në traktatin “New START”
2023-03-02 17:01:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën një ligj që pezullon zyrtarisht pjesëmarrjen e Rusisë në Traktatin e Ri të Reduktimit të Armëve Strategjike (New START) me Shtetet e Bashkuara.

Ligji hyn në fuqi menjëherë dhe vendimi për të rifilluar pjesëmarrjen e Rusisë në traktat i takon kreut të shtetit, sipas ligjit të publikuar, shkruan “Xinhua”.

Në fjalimin e tij vjetor në Asamblenë Federale më 21 shkurt, Putin tha se Rusia po pezullonte pjesëmarrjen e saj në vend që të tërhiqej nga traktati “New START”. Ai gjithashtu vuri në dukje potencialin e kombinuar të sulmit të NATO-s pasi Britania dhe Franca gjithashtu kanë arsenale bërthamore që përbëjnë një kërcënim për Rusinë.

Një ditë më vonë, një projekt-ligj mbi pezullimin e traktatit u miratua unanimisht nga parlamenti rus dhe më pas iu dërgua presidentit për miratimin e tij përfundimtar.

“New START”, traktati i fundit i mbetur i kontrollit të armëve bërthamore në fuqi midis dy superfuqive bërthamore, mund të zgjatet për një maksimum prej pesë vjetësh me pëlqimin e të dy vendeve. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e zgjatën zyrtarisht traktatin me pesë vjet më 3 shkurt 2021. (Elona)