Program aftësimi për të rinjtë në agrobiznes
2023-03-01 09:28:06

Pamje nga takimi  (Frida Krifca facebook)

Pamje nga takimi  (Frida Krifca facebook)

Ministria e Bujqësisë  përmes një programi të ri me njohuri teorike e praktike, po mbështet aftësimin e të rinjve në agrobiznes me synim integrimin e tyre në sipërmarrje të reja në bujqësi. Në bashkëpunim me FAO-n dhe UBT-në, kjo ministri do të çelë nga 15 shkurti deri në 1 mars të këtij viti, aplikim në të gjithë sektorët e ekonomisë, për projekte për zhvillimin e bizneseve agroturistike. Aplikimi do të pranohet nga të rinj të sapodiplomuar apo në vitin e fundit të studimeve dhe që duan të marrin një eksperiencë të vlefshme. Rreth 25 të rinj do të përzgjidhen për të zhvilluar një program, i cili integron njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit me njohuri praktike në biznese të suksesshëm të përdorimit të administrimit te biznesit dhe digjitalizimit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, turizmit rural, eksportit dhe përpunimit të produkteve me qëllim krijimin e mundësive të tyre për të hapur biznesin e tyre  në zonat rurale. Sipas ministres së bujqësisë Frida Krifca, ky program ka dy objektiva të rëndësishme, integrimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë dhe  forcon komponentin digjital në bujqësi.

Rektori i UBT Fatbardh Sallaku (Foto facebook)

Rektori i UBT Fatbardh Sallaku (Foto facebook)

Për Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës Prof.Dr.Fatbardh Sallaku kjo është një nismë pozitive.

“Ky është një projekt i vogël, krahasuar me disa projekte të tjera që ne kemi me Ministrinë e Bujqësisë. Është një nismë pozitive, sepse ka të bëjë me nxitjen dhe tërheqjen e ndjeshmërisë së të rinjve, për sa i përket sektorit të bujqësisë, e fokusuar kryesisht në teknologjinë e informacionit. Është një projekt i financuar, dhe mbështetur nga FAO, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, por që do të implementohet në disa nga programet më praktike të Universiteti Bujqësor. Ne e kemi lancuar këtë program para 10 ditësh, permes një thirrje të hapur, çdo student është i lirë të aplikojë, kryesisht është i dedikuar për studentët e programit master. Në bazë të thirrjes dhe numrit të të interesuarve, do përzgjidhet një grup prej 35 apo 30 vetash. Do jetë një grup lektorësh të përbërë nga lektorë ndërkombëtarë dhe disa lektorë të Universitetit Bujqësor dhe është i kombinuar nëpërmjet aspekteve teorike dhe praktike. Dy ditë do jenë në klasë dhe dy ditë do jenë në fushë. Disa nga fermat më tipike shqiptare, siç është Mrizi i zanave dhe një fermë tjetër, për sa i përket aplikimit të disa teknologjive moderne në sera”, u shpreh rektori.

Kryesisht janë studentët e masterit që përfitojnë nga kjo nismë.

“Përzgjedhja është nëpërmjet shprehjes së interesit. Ne jemi të interesuar dhe për sa i përket gjuhës së huaj dhe disa programeve mësimore, që janë të lidhura ngushtë, me teknologjinë e informacionit sepse ne kemi një serë programesh, në master, siç është mbrojtja e bimëve, kemi një program marketingu digjital, apo agrobiznes të cilët janë programe e dizenjuara dhe që lidhen konkretisht me këto njohuri që ky program trajnimi synon të japi. “- tha Prof.Dr, Sallaku.

Nxitja e të rinjve në projekte të tilla i hap atyre rrugë për t’u integruar në tregun e punës.

“Këto kanë mundësinë nëse performojnë mirë, të punësohen nga kompanitë që këto kryejnë praktikat profesionale, dy ditë do jenë në fermë dhe do jenë në kontakt të vazhdueshëm në këto kompani. Përveç që të gjejnë treg pune, synimi jonë është që të aftësohen me këto njohuri dhe mbi të gjitha të tërheqin interesin e këtyre. Pra sepse vihet re një ulje e interesit të të rinjve, për këtë sektor. Nëpërmjet mekanizmave të tilla ne synojmë që ta tërheqim vëmendjen e këtij brezi”, theksoi ai.

Ministrja Frida Krifca (Foto facebook)

Ministrja Frida Krifca (Foto facebook)

Kjo ka ardhur si nevoje e dyfishtë.

“Unë do thoja të dyja faktikisht ( nevoja e sektorit të biznesit dhe për të nxitur të rinjtë), por më shumë për nxitjen e të rinjve në këtë sektor, sepse po bëjmë çmos në çdo lloj aspekti që ti nxisim të rinjtë për të studiuar në këto degë të cilat konsiderohen degë prioritare për ekonominë shqiptare dhe sektorin e bujqësisë në veçanti. Një nga këto mekanizma siç është trajnimi apo ofrimi i këtyre kurseve shpresojmë që t’i bëjë të rinjtë më të ndjeshëm dhe më tërheqës ndaj këtyre praktikave. Jemi në fazën e thirrjes për aplikime dhe nga fundi i muajit besoj ne do të kemi një panoramë të plotë se kush ka aplikuar dhe do bëhet përzgjedhja e studentëve për të filluar kurset dhe trajnimet. “- tha me tej Sallaku.

Rektori i Universitetit  Bujqësor në intervistën televizive ndalet edhe tek rëndësia e projekteve të tjera madhore me Ministrinë e Bujqësisë, siç është skema kombëtare e trajnimit.

“Synimi ynë është të bëhet traditë. Kjo është si iniciativë e parë, ne shpresojmë që me FAO-n dhe Ministrinë e Bujqësisë ta vazhdojmë këtë, por doja ta theksoja që përvec kësaj ne kemi program shumë herë më të madh me Ministrinë e Bujqësisë, për sa i përket ngritjes së skemës kombëtare të trajnimit në bujqësi, që do të thotë stafi i universitetit bujqësor, për herë të parë në Shqipëri është i përfshirë në ngritjen e kësaj skeme trajnimi. Ne sapo kemi përmbyllur vitin që shkoi trajnimin e plotë të detajuar të të gjithë specialistëve që punojnë në sistemin e bujqësisë në Shqipëri, kemi trajnuar rreth 280 agronomë që punojnë në Ministrinë e Bujqësisë, në pushtetin lokal, në kompani private. Kemi trajnuar dhe mbi 1800 fermerë. Këtë vit falë Ministrisë së Bujqësisë, ne kemi një qasje të re pra vazhdojmë përsëri trajnimin për sivjet dhe vitin tjetër, por me një ndryshim nga trajnimet në klasë, trajnimet do të spostohen në fermë. Ne jemi në fazën e përzgjedhjes së rreth 30-35 fermave pilot që do t’i quajmë pilot në të gjitha fermat e rajonit të Shqipërisë dhe përfaqësojnë sistemet më të mira të prodhimit bujqësor në produkte si sera, pemëtore, vreshtë, ferma blegtorale dhe ku ne do të bëjmë një marrëveshje me fermerët dhe pronarët, që ato të implementojnë teknologjitë që ne do ti sugjerojmë”, tha ai

Hap pas hapi Universiteti Bujqësor jep direktivat për të udhëzuar fermerët.

“ Një marrëveshje e tillë ku fermeri pranon të udhëhiqet nga ne, nga profesorët e fushave të ndryshme dhe ato do të vizitohen në mënyrë të përjavshme, për sa i përket implementimit të praktikave më të mira bujqësore. Në këtë mes ne planifikojmë të përfshijmë edhe studentë të programit master, të cilët do jenë në baza javore, ku do kryejnë dhe temat e tezës, por edhe do shohin nga afër teknologjitë e prodhimit. Jam shumë i bindur që kjo është një nga gjetjet shumë inovative dhe nga njëra anë do na vendosi dhe neve stafin akademik përballë sfidës, sepse bëhet fjalë për një aspekt që deri tani nga  stafi akademik nuk është i provuar. Ne kemi fermën dhe do ta konsiderojmë si laborator të hapur dhe do provojmë sa vlejmë. Fermeri do të pranojë të gjitha këshillat apo sugjerimet tona. Jemi në këtë fazë të diagnostikimit të fermave dhe shumë shpejt do të kemi një listë të fermave që pastaj do ti mbështesim nga pikëpamja teknologjike.” Bën të ditur Rektori i Universitetit Bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë  Frida Krifca ka theksuar potencialin e madh që ka bujqësia, e agroindustria në ekonominë e vendit dhe angazhimin e forcës në punë në zonat më të thella të Shqipërisë.