Ngjarjet zhvillohen rreth 20 vjet pas luftës së Dytë Botërore kur Europa jetonte luftën e ftohtë. Një gjeneral emërohet me një mision po aq të vështirë por edhe të ndershëm në kërkim të eshtrave të ushtarëve italian, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveritë kishin bërë një marrëveshje,sipas së cilës gjenerali i shoqëruar nga një prift do të nisnin misionin e tyre drejt një vendi për të cilin kishin dëgjuar se kishte riliev të egër dhe njerëz të zymtë.
Romani Gjenerali i ushtrise se vdekur - foto Onufri
Udhëtimi i dy të huajve shoqërohet me shqyrtime hartash, lista emrash dhe gërmime varresh, me qëllim që tu kthenin familjarëve eshtrat e familjarëve.
Ky proces u kthen banorëve dhe një herë plagët që u la lufta. Fabula e filmit fokusohet veçantërisht tek Koloneli Z, i cili kërkohet me përparësi nga Gjenerali, me kërkesën e Betit, gruas së Kolonelit të ndjerë.
Gjetja e eshtrave të kolonelit ia rrëzoi edhe më shumë Gjeneralit krenarinë që i kish mbetur.Ishin pikërisht eshtrat e Kolonelit Z ,që e përballën Gjeneralin me shumë sfida, stërmundim fizik, por edhe një shkatërrim psikologjik që e çon në humbje të vetëdijes. Kjo si pasojë e bëmave famëkeqe që Koloneli kish lënë në ato zona ku po bëheshin kërkimet, pasi ai as kishte rënë në luftë dhe, as nuk ishte i varrosur ndershmërisht. Koloneli ishte vrarë nga duart e një gruaje (plaka Nicë) dhe i ishte varrosur po nga duart e saj në pragu e shtëpisë, si shenjë hakmarrjeje për faktin se Koloneli kishte vrarë burrin dhe vajzën e saj. Fati i eshtrave të Kolonelit Z, erdhi sic ai e meritonte, ranë e humbun në lumë duke marrë mbi vete mallikimin më të rëndë që mund t’i bëhet një njeriu: humbja e eshtrave.
Ekranizimi i pare i filmit - foto revista Psikologjia
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i konsideruar si një nga veprat më të mirat të shkrimtarit Ismail Kadare, ka njohur disa vënie në skenë apo ekranizime.
Për herë të parë, vepra është vënë në skenë edhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës në vitet ‘70. Menjëherë pas kësaj vënie në skenë vepra u ekranizua në vitin 1975 nga Radio Televizioni Shqiptar, me regji të Vladimir Priftit. Filmi u prezantua me të njëtin titull që kishte edhe libri, ndërsa rolet kryesore u interpretuan nga Sandër Prosi, Pjetër Gjoka, Prokop Mima, Violeta Manushi, Ilia Shyti, etj.
Ndërkohë në vitin 1989, ishte regjisori Dhimitër Anagnosti që merr përsipër të realizojë një film, duke shkruar edhe skenarin e tij, tashtë si produkt i Kinostrudios Shqipëria e Re, bazuar mbi të njëjtin roman. Në film interpretuan aktorët Kastriot Ahmetaj, Roza Anagnosti, Rajmonda Bulku, Guliem Radoja, Bujar Lako, Ilia Shyti, Liza Vorfi, etj. Filmi u prezantua me titullin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”. Është për tu shënuar fakti se me këtë film aktori Bujar Lako u nderua me Kupën e Festivalit si aktori më i mirë në rolin e Gjeneralit.
Por fama e Gjeneralit I kaloi shumë shpejt kufijtë e vendit. Jo vetëm me përkthimin e librit në gjuhë të huaja, por edhe me një tjetër ekranizim, kësaj radhe ndërkombëtar.
Bujar Lako dhe Roza Anagnosti ne filmin Kthimi i ushtrise se vdekur - foto RTSH
Bazuar tek libri u realizua një nga produksionet filmike me interesantë të romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” të Ismail Kadaresë, kjo për faktin se dy aktorë të përmasave ndërkombëtare dhe në kulmin e shkëlqimit të tyre, Marcello Mastroianni dhe Michel Piccoli u bënë interpretues të dy roleve kryesore në film, të Gjeneralit dhe priftit.
Bëhet fjalë për një bashkëpunim italo-francez, me regji të italianit Luciano Tovoli në vitin 1983. Në atë kohë ishte entuziazëm i vërtetë që kinemaja franceze, të kthente sytë tek realitei shqiptar dhe të trajtonte një temë shqiptare. Paraprakisht, kishte një marrëveshja me Kinostudion “Shqipëria e Re” për xhirimin e filmit në Shqipëri me pjesmarrjen e disa aktorëve shqiptarë. Michel Piccoli investoi gjithë kapitalin e tij për të realizuar filmin si bashkëproducent dhe më pas erdhi në Shqipëri bashkë me regjisorin italian Luciano Tovoli për të grumbulluar materiale dhe për të parë vendet e xhirimit. Por pas prishjes së marrëveshjes mes dy vendeve pikërisht në lidhje me filmin, secila palë e përfshirë mendoi ta realizonte vecmas filmin. Kështu pala italo-franceze realizon filmin me pjesmarrjen e dy aktorëve të njohur italianë në vitin 1983. Por ky variant fatkeqësisht nuk u xhirua në Shqipëri, aty ku Kadare kishte vendosur ngjarjet, për shkak të prishjes së marrëveshjes. Filmi doli me titullin “Il Generale dell armata morta” dhe u cilësua nga kritika italiane si “një histori që shkon kundër valës së mitit të "italianëve si njerëz të mirë”.
Ekranizimi italo - francez i romanit- foto Fax
Regjisori italian Luciano Tovoli së bashku me producentët për ta bërë filmin sa më origjinal me ambientet shqiptare, u detyruan të filmonin në Jug të Italisë, në Kalabri. Për të plotësuar personazhet në film me karaktere të ngjashme me shqiptarët e romanit të Kadaresë, ata morën figurantë arbëreshë, por që e ulën shumë cilësinë e filmit, sipas kritikëve të kohës. Por falë tyre në filmin me subjekt shqiptarë, pati shqiptarë. Gjashtë vite më vonë, Kinostudioja Shqipëria e Re do të realizonte filmin e ’89-ës me regji të Dhimitër Anganostit, për të cilin folëm pak më sipër.
Neritana Kraja