Mbretëria e Bashkuar dhe BE arrijnë marrëveshje të re pas Brexit për Irlandën e Veriut
2023-03-01 14:17:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian arritën një marrëveshje të re tregtare pas Brexit për Irlandën e Veriut. Marrëveshja, e quajtur “Korniza Windsor”, u arrit mbi Protokollin e Irlandës së Veriut, duke synuar të lehtësojë çështjet tregtare të krijuara nga Protokolli, shkruan “Xinhua”.  

Pas muajsh negociatash, marrëveshja u njoftua nga kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas takimit të tyre në Windsor pranë Londrës.  

“Kam kënaqësinë të raportoj se tani kemi bërë një përparim vendimtar. Së bashku, ne kemi ndryshuar Protokollin origjinal dhe po shpallim Kornizën e re Windsor”,- tha Sunak në një konferencë të përbashkët shtypi me von der Leyen.  

Ai tha se marrëveshja siguron rrjedhën e qetë të tregtisë brenda Mbretërisë së Bashkuar, pasi mallrat e destinuara për Irlandën e Veriut do të udhëtojnë përmes një korsie të re të gjelbër, me një korsi të veçantë të kuqe për mallrat në rrezik për të kaluar në BE.  

Nëkorsinë e gjelbër, burokracia e rëndë doganore do të hiqet, që do të thotë se shitësit me pakicë të ushqimeve si supermarketet dhe restorantet si dhe tregtarët me shumicë nuk do të kenë më nevojë për qindra certifikata për çdo kamion, u tha Sunak gazetarëve.  

Të dy palët kanë ndryshuar gjithashtu tekstin ligjor të Protokollit për të siguruar që vendi mund të bëjë ndryshime kritike të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe të akcizës për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.  

Me një marrëveshje për barnat, për më tepër, barnat e miratuara për përdorim nga rregullatori i mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë automatikisht të disponueshme në çdo farmaci dhe spital në Irlandën e Veriut.  

U prezantua gjithashtu një pikë e marrëveshjes, “Stormont Brake”, që do të lejojë Asamblenë e zgjedhur të Irlandës së Veriut të ndalojë ligjet e BE-së për mallrat që do të kishin efekte të rëndësishme dhe të qëndrueshme në jetën e përditshme.  

Shumë kishin bërë thirrje që Stormont, ose Asambleja e Irlandës së Veriut, të kishte një fjalë mbi këto ligje, vuri në dukje ai. “Por Stormont Brake shkon më tej dhe do të thotë që Stormont në fakt mund t'i ndalojë ata të aplikojnë në Irlandën e Veriut”.  

Sunak e quajti Kornizën Windsor një pikë kthese për popullin e Irlandës së Veriut, duke thënë se ai rregullon problemet praktike me të cilat përballen dhe ruan ekuilibrin e Marrëveshjes së Belfastit. (Elona)