Ruzhdi Keraj ne piano (Facebook)
Ruzhdi Keraj është muzikant i njohur dhe ka një jetë mes muzikës, pikturës, shkrimit, pasionit të pashtershëm për të krijuar në dimensione të ndryshme të artit. Lindur dhe rritur në një familje tradicionale intelektuale, që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e personalitetit dhe talentit të tij, ai ka vazhduar ta përcjellë dashurinë e përkushtimin ndaj artit edhe tek fëmijët e tij, të cilët gjithashtu kanë ecur në hapat e suksesit në muzikë dhe kinematografi. Keraj është i njohur si kompozitor, shkrimtar por edhe për pikturën. Ai ka ekspozuar piktuarat e tij në Shqipëri, Bogota të Kolumbisë dhe në Gjermani. Në një intervistë për Radio Ejani artisti shumëdimensional Keraj tregon për karrierën e tij si dhe projektet në vazhdim.
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë në fushën e muzikës, ku keni nxjerrë breza muzikantësh. Çfarë kujtoni nga karriera juaj muzikore?
Ruzhdi Keraj: Unë me muzikën jam lidhur që në shkollë me studimet. Kam punuar 30 vite në Shtëpinë e Kulturës në qytetin e Laçit me një krijimtari të madhe, mirëpo fati i keq ishte ndryshe nga miqtë dhe shokët e mi në Tiranë, të cilët kishin mundësi të inçizonin krijimtarinë e tyre. Ndërsa mundësia ime për të inçizuar nga Laçi ishte shumë e paktë. Kështu që në krijimtarinë time unë kam qenë dhe drejtor i fonotekës të Radio Tiranës dhe më vjen keq se krijimtaria ime është modeste edhe në radio. Unë kam krijimtari muzikore, por prapë në atë dinamikë, mundësi dhe talent që më ka dhënë Zoti pak kanë qenë, jo aq sa unë doja të kisha. Mirëpo këtë gjë e kompensoi djali im me muzikën e filmit. Nuk e kisha provuar muzikën e filmit, por vetëm njëherë më erdhi në dorë një skenar, por mu ndërpre. Kështu që djali im këmbënguli që të bëj muzikën e filmit dhe punuam bashkë tre filma, që morën pjesë në shumë festivale në Europë dhe më tej, filma që u vlerësuan dhe treguan që djali im është një model i shkollës së filmit.
Ai është pedagog në Universitetin e filmit në Kolumbi, ku ka titullin profesor doktor dhe puna e tij tregoi jo vetëm dashurinë për kulturën, sepse për të bërë film nuk duhet vetëm të duash të bësh film, por duhet të dish të bësh film dhe ai diti shumë bukur të realizojë filma.
Ruzhdi Keraj duke luajtur ne piano (Facebook)
CMG: Muzika e filmit është një nga gjinitë muzikore të vështira sepse duhet të bazohesh dhe te skenari i filmit, por bashkëpunimi me djalin tuaj solli këto produksione profesionale.
Ruzhdi Keraj: Patjetër sepse të punosh me Sokolin është jo vetëm e vështirë se është shumë skrupuloz, nuk dëshiron të kalojë asgjë kot. Ai më thotë se muzika e filmit nuk është ilustrim, por muzika e filmit është personazh. Nëse muzika e filmit nuk bëhet personazh, nuk është më muzikë për filmin. Prandaj këmbëngulja, forca dhe dinamika e tij më bëri që të ulem në piano derisa arrita dhe fatmirësisht edhe ai mbeti i kënaqur nga muzika. Tani kemi një bashkëpunim tjetër, muzikën për një film me metrazh të gjatë, me skenarin e Bashkim Shehut si dhe një film tjetër me metrazh të mesëm, ku skenarin e ka shkruar Sokoli.
CMG: Ju e keni trashëguar artin te të dy djemtë tuaj, që sot kanë arritur të jenë në majat e artit në botë. Besoj se ata kanë pasur një mbështetje të madhe nga ana juaj në formimin profesional?
Ruzhdi Keraj: Patjetër dhe është një e vërtetuar që në ecurinë e fëmijës vendos familja. Familja është baza dhe në familje baza për ecurinë e fëmijës është nëna. Fatmirësisht fëmijët e mi kanë një nënë të jashtëzakonshme, që i ka ndjekur në çdo hap për çdo problem të tyre. Djali i madh Skeriano është profesor në Universitetin e Ahenit, në Këln. Ai është një violinist tepër i afirmuar, duke dhënë koncerte në shumë vende të botës. Përveç Skerdianos në muzikë është edhe nipi im Kristian, i cili sot studion në Gjermani për inxhinieri mekanike, por është një pianist i shkëlqyer, një njeri që e do muzikën dhe sigurisht këtë gjë ia kultivoi familja, ia kultivoi gjyshi dhe gjyshja, xhaxhallarët dhe babai i tij. Ai është një fëmijë tepër i kompletuar si nga ana muzikore, por dhe shkencore.
Pikture nga Ruzhdi Keraj (Facebook)
CMG: Pra muzika është e trashëguar në tre breza në familjen tuaj.
Ruzhdi Keraj: Kjo është një gjë e bukur. Njeriu ka frymëzimet e veta, sidomos muzika është një ngacmim i përhershëm që të godet në tru dhe patjetër duhet ta heqësh nga vetja, ta shfaqësh, të shkruash. Ndërsa kur shikon që kjo muzikë ka influencuar te djali që sot është një mjeshtër i pedagogjisë dhe i koncerteve në violinë, dhe të mendosh edhe nipin kjo është gjë tepër e bukur. Këto ditë në Ahen të Gjermanisë u hap ekspozita me pikturat e mia, një ekspozitë e madhe dhe njëkohësisht u dha dhe një koncert me muzikën time të luajtur nga Skerdiano në violinë dhe shoqëruar nga dekani i fakultetit. Këtu një ndihmë të madhe ka dhënë mjeshtri i madh Robert Radoja, një bashkëpunim i shkëlqyer i imi me Robertin që nxorri dhe vlerat e mëdha të muzikës time.
CMG: Flasim për artin pamor, ku ju keni vite që ekspozoni pikturat tuaja në ekspozita të ndryshme. Kur nisi pasioni për pikturën?
Ruzhdi Keraj: Unë kur mbarova liceun artistik konkurova për teatër dhe fitova, konkurova për flaut fitova, konkurova edhe për dirigjim dhe fitova. Doja të konkuroja dhe për pikturë, mirëpo vëllai im piktor nuk më lejoi dhe më tha se nuk mund të rrimë dy vëllezër me pikturë. Ky pasioni i pikturës ishte, por pas vitit 1990 sikur më ngacmoi më shumë. E ndjeva se kisha nevojë të punoja me ngjyrën, për peisazhin, portretin dhe kompozimin. Sigurisht me mjetet dhe mundësitë e mia një dashamirës i pikturës se unë nuk jam piktor, por megjithatë më dha një krah për t’u marrë me pikturën. Kështu që kam hapur shumë ekspozita.
Ruzhdi Keraj me djalin e tij Skerdi (Facebook)
CMG: Si janë pritur këto ekspozita ?
Ruzhdi Keraj: Ekspozitat janë pritur mjaft mirë. Unë kam hapur ekspozita aty ku punoja në Radio Tirana dhe të gjitha punimet e mia ja dhurova radios dhe nuk mora asnjë falenderim. Ekspozita të tjera kam hapur në Lidhjen e Shkrimtarëve, dy ekspozita në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, një ekspozitë në Universitetin e Filmit në Bogota dhe ekspozitën e fundit që hapa tani në Gjermani.
CMG: Cila është gjinia që preferoni më tepër të pikturoni?
Ruzhdi Keraj: Unë nuk jam i dalluar për një gjini, më pëlqen të punoj peisazhin, portretin dhe kompozimet e vogla, se unë punoj me dimensione të vogla me tempera në letër. Janë punë të vogla, por gjithësesi miqtë e mi që i kanë i mbajnë mirë dhe janë të kënaqur.
Ruzhdi Keraj me djalin e tij Sokolin (Facebook)
CMG: Një fushë tjetër e juaja është edhe letërsia, ku keni botuar disa romane. Kur nisët të shkruanit?
Ruzhdi Keraj: Çdo gjë në letërsi dhe në pikturë ka nisur pas vitit 1990. Ishte një shpërthim i pavullnetshëm dhe nuk e kisha menduar se unë mund të shkruaja roman. Mu duk një kokëkrisje, një mendjemadhësi kot që të shkruaja unë roman sepse nuk kisha shkruar një tregim apo një poezi. Mirëpo nganjëherë guximi është kokëfortë. Unë shkruajta romanin e parë “Unë jam Era”, romani tjetër ishte “Vajza që trembte dhitë”, dhe tani kam në dorë gati për botim romanin “Kush e trembi qenin”, ku ngjarjet zhvillohen në veri dhe është shkruar me dialektin më shumë geg sepse nga vetë mjedisi i shkon ky dialekt, duke e ruajtur dialektin mirë.
Përveç këtyre kam dhe një libër me poezi që doli tani i redakruar nga poetja e madhe Natasha Lako. Kam një libër prapë me poezi ku parathënien e ka shkruar i madhi Adriarik Hallulli. Parathënien e romanit “Unë jam Era” e ka shkruar Gëzim Podgorica. Pra kam pasur fatin që në librat e mi të thonë dy fjalë njerëz me peshë dhe kjo për mua është e madhe.
CMG: Një jetë me artin, besoj se jeni i plotësuar me kaq arritje profesionale gjatë karrierës artistike?
Ruzhdi Keraj: Problemi është se unë sot jam 81 vjeç dhe është një moshë që duhet të rri i qetë, është një moshë që duhet të krijoj relaks për veten. Mirëpo arti qenka një ngacmim, një gozhdë që të ngulet dhe nuk të le rehat. Unë në mëngjes përshëndetjen e parë e kam me pianon dhe më e bukura është se unë gjithë jetën nuk kam kënduar asnjëherë. Unë kam drejtuar kore, i kam mësuar këngë solistëve, por nuk kam kënduar asnjëherë. Ndërsa tani i këndoj vetë këngët e mia dhe janë bërë shumë këngë që i këndoj vetë me zërin e plakur, duke lujatur në piano dhe i këndoj për qejfin tim. Ka njerëz që i pëlqejnë dhe janë miqtë e mi, por ka dhe që nuk i pëlqejnë. Më pëlqejnë mua, që mos t’i le emocionet të më mbysin.
Intervistoi: Gazmend Agaj