Kina, rekord të ri në tregtinë me shumë ekonomi të botës
2023-02-28 15:59:27

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2022, vëllimi i import-eksportit të mallrave të Kinës me vendet dhe rajonet e tjera të botës arriti mbi 40 trilionë juanë. Shumë ekonomi kryesore të botës kanë shënuar rekord të ri në tregtinë me Kinën.

 

Ekspertët janë të mendimit që një gjë e tillë ka ardhur për arsye se masat e krahinave të ndryshme të Kinës për stabilizimin e vëllimit të tregtisë dhe përmirësimin e strukturës tregtare kanë pasur efekt. Analistët mendojnë gjithashtu që të dhënat pozitive të tregtisë do të nxisin më tej besimin e vendeve të ndryshme te rritja e ekonomisë kineze dhe bashkëpunimi i tyre tregtar me ekonominë e 2-të të botës.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Niveli rekord tregtar me ekonomitë kryesore

 

Kohët e fundit, shumë ekonomi të botës kanë publikuar raportet për tregtinë e tyre me Kinën në vitin 2022. Shumë të dhëna mbi tregtinë dypalëshe me Kinën kanë shënuar rekord të ri, çka tregon që lidhjet tregtare të këtyre vendeve me Kinën janë bërë më të ngushta dhe bashkëpunimi i tyre me zinxhirin e furnizimit të Kinës është më elastik.

 

Analistët janë të mendimit që tregtia e fuqishme e ekonomive kryesore me Kinën ka ngritur fuqimisht besimin e tyre për bashkëpunimin tregtar me Kinën, duke provuar që thëniet për “shkëputje” nga Kina të politikanëve amerikanë nuk pranohen nga tregu.

 

Të dhënat nga Departamenti amerikan i Tregtisë tregojnë që, vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave mes Kinës dhe ShBA-së arriti në 690.6 miliardë dollarë, një rekord i lartë historik. Mediat amerikane mendojnë që ky rekord i lartë është “habitës” dhe tregon që lidhjet tregtare dypalëshe janë ende të ngushta.

 

Në mes të shkurtit, “Eurostati” publikoi të dhënat tregtare, nga të cilat del që, në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë BE-Kinë arriti në 856.3 miliardë euro, 23 % më shumë se në vitin 2021, që është një rekord i ri.

 

Zyra Statistikore Federale e Gjermanisë  publikoi të dhënat e tregtisë në vitin 2022, që tregojnë që në vitin e kaluar, tregtia Gjermani-Kinë u ngrit në nivelin rekord prej 297.9 miliardë eurosh, 21% më shumë se në vitin 2021, që është më e shpejtë se rritja e përgjithshme e tregtisë gjermane. Krahas kësaj, Kina për 7 vjet me radhë është bërë partnerja më e rëndësishme e Gjermanisë në tregti.

 

Jurgen Mattes, një studiues në Institutin Gjerman për Studime Ekonomike (DIW), u shpreh që ekonomia kineze ka vëllim gjigant dhe Gjermania e Kina kanë lidhje më të ngushta ekonomike. Sipas tij, askush nuk e do e nuk mundet të arrijë “shkëputjen” nga Kina.

 

Sipas të dhënave nga Zyra për Statistikat Kombëtare e Britanisë, në vitin 2022, Kina ishte partnerja e dytë më e madhe e Britanisë në importin e mallrave dhe partnerja e 5-të në eksportin e mallrave. Studiuesi i Universitetit Durham të Britanisë, Gordon C. K. Cheung, është i mendimit që, me nxitjen e kërkesës së diversifikuar tregtare, eksporti i mallrave britanike për në Kinë shënoi rritje të dukshme. Qarqet tregtare britanike po nxisin aktivisht lidhjet tregtare Britani-Kinë dhe tregtia dypalëshe këtë vit mund të shënojë rritje të mëtejshme.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Masat mbështetëse po japin efekte

 

Nga fundi i vitit 2022, ekonomia kineze filloi të mëkëmbet shpejt dhe krahinat e ndryshme morën shumë masa për zgjerimin e biznesit në tregun ndërkombëtar. “Sipas sondazheve përkatëse, 96 % e ndërmarrjeve vendase dëshirojnë zgjerimin e biznesit në tregun ndërkombëtar dhe 85 % e tyre janë të gatshme të dërgojnë aeroplanë të posaçëm ose të marrin pjesë në fluturime të posaçme të organizuara,” u shpreh komisioni i tregtisë i bashkisë së Chongqing-ut, që është një partnere e rëndësishme tregtare e ASEAN-it.

 

Gjatë procesit të zgjerimit të biznesit në vendet e ASEAN-it, komisioni i tregtisë i Chongqing-ut ka krijuar lidhje efektive mes ndërmarrjeve kineze dhe tregut të këtyre vendeve, si Malajzia dhe Tajlanda. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve që u zhvillua në Malajzi, nëntë ndërmarrje kineze nënshkruan 11 projekte bashkëpunimi, me vlerë mbi 100 milionë juanë.

 

Drejtuesi i komisioni i tregtisë të Chongqing-ut u shpreh: “Në vitin 2023 planifikojmë që të organizojmë mbi 100 grupe të tilla dhe të mbështesim mbi 1 mijë ndërmarrje të dalin jashtë, për ekspozita, kontakte komerciale dhe vizita te klientët ndërkombëtarë.”

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Porti i Qingdaos është porti i 6-të më i madh në botë për kontejnerët dhe porti me linjat më të dendura të transportit në Kinën Veriore, me mbi 220 linja të transportit të kontejnerëve.

 

Më 19 shkurt, anija “Maritime Belge”, që transporton mallra në linjën e RCEP-it, u ankorua në zonën 105 të portit të Qingdaos, ku nuk kishte asnjë person.

 

Zv.kryemenaxheri i skelës automatike të Portit të Qingdaos, Li Qiang u shpreh që, me masat mbështetëse nga sektorët e ndryshëm, tani në skelën e tij është realizuar automatizimi i plotë. “Kjo është hera e 9-të që thyejmë rekordin botëror për skelat automatike. Këtu, kemi një sistem që punon krejtësisht në mënyrë automatike, me integrimin e internetit të mallrave, të dhënave të mëdha, inteligjencës artificiale dhe kontrollit automatik,” thotë Li Qiang.

 

Para se të mbyllet ngarkimi, procedurat në doganë kanë mbaruar. Kjo është një masë e posaçme nga dogana e Qingdao-s, sipas së cilës mallrat që prishen shpejt nga vendet e RCEP-it, me informacione të plota doganore, mund të kalojnë procesin doganor brenda 6 orësh.

 

Krahas kësaj, edhe dokumentet doganore mund të bëhen në internet. Kështu, mund të kursehet shumë kohë dhe të ulet shumë kostoja. Në janar 2022, në portin e Qingdaos u dha certifikata e parë e Kinës për origjinën e mallrave të RCEP-it dhe, në janar 2023, dogana e Qingdao-s ka dhënë 7451 certifikata të tilla, duke shënuar rritje me 62.4 %. Në këtë periudhë, për mallra të importuara me vlerë prej 430 milionë juanësh u ofruan taksa preferenciale, duke pakësuar ose hequr 24 milionë juanë taksa doganore.

 

Drejtori i tatimeve në doganën e Qingdao-s, Bi Haijun, shprehet: “Kemi vënë në përdorim sistemin inteligjent për kontroll tatimor, që mund të zbulojë me saktësi ndërmarrjet që nuk gëzojnë favorizim të plotë. Me këtë sistem, mund t’i drejtojmë ato të përfitojnë favorizimin e duhur gjatë procesit të zhdoganimit.”

 

“Qysh nga fillimi i vitit 2023, numri i kontejnerëve që kalojnë këtu është rritur me 10.4% dhe efektiviteti i zonave të ankorimit është ngritur me 9.9 %, që është niveli më i mirë në këtë periudhë,” thotë Li Qiang.

 

Këtë herë, “Maritime Belge” bëri ngarkim-shkarkimin e 1129 kontejnerëve, me një efektivitet që arriti në 111.77 kontejnerë në orë. Me këtë sistem automatik, anija u largua nga porti dy orë përpara planifikimit. (Jiang Lei)