Ditët e fundit, u hap në Muzeun Kombëtar të Kinës Ekspozita e Rezultateve të 30 Vjetëve të Projektit Hapësinor me Astronautë të Kinës. Kjo ekspozitë shfaq për herën e parë për publikun rezultatet e zhvillimit dhe të ndërtimit të projektit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës. Edhe anijet kozmike me astronautë dhe mjetet e zbritjes në Hënë ekspozohen këtu për herë të parë.
Z. Zhang, i pranishëm në këtë ekspozitë, i tha gazetarit se fëmija e tij sapo ka hyrë në universitet dhe po studion në një degë lidhur me hapësirën kozmike, prandaj mbarë familja i kushton rëndësi ndërtimit të stacionit hapësinor kinez.
"I kushtojmë shumë rëndësi, sepse po zhvillohet shumë mirë dhe ne, banorët e thjeshtë, kemi krenari për industrinë hapësinore të Kinës," shprehet ai.
Në këtë ekspozitë përfshihen modeli 1:1 i modulit themelor "Tianhe", kabina e të cilit mund të vizitohet; modeli 1:4 i kompleksit të stacionit hapësinor; modelet e raketave bartëse, si "Marshimi i Madh-2F", "Marshimi i Madh-7", "Marshimi i Madh-5B", dhe modelet e raketave të reja bartëse me astronautë. Po ashtu, janë ekspozuar edhe kostume hapësinore, kapsula e kthimit e "Shenzhou-13", motorë raketash, pajisje të kontrollit të mjedisit dhe mbështetjes së jetës, si dhe flamuri kombëtar dhe flamuri i Partisë të mbajtur nga misionet. Chen Shanguang, zv.kryeprojektues i projektit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës, tha:
"Gjatë 30 vjetëve, u ndërtua nga zeroja stacioni hapësinor "Tiangong", që ka vlerë e domethënie të madhe dhe do të nxitë më shumë njerëz të eksplorojnë shkencën hapësinore, e madje edhe shkencën në tërësi."
Mësohet se gjatë ekspozitës do të organizohen shumë aktivitete të përhapjes së njohurive mbi fluturimet hapësinore me astronautë. Ekspertët e hapësirës do të shpjegojnë procesin e zhvillimit 30-vjeçar të projektit të fluturimeve hapësinore dhe astronautët do të rrëfejnë përvojat e tyre gjatë përgatitjes dhe fluturimit. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, austronauti i parë i Kinës Yang Liwei tha në një intervistë se sivjet është 20-vjetori i fluturimit të parë të tij në hapësirë dhe se ai e mban mend ende edhe sot atë përvojë.
"Për shembull, ekspedita jonë, nisja dhe hera e parë që raketa u ndez dhe hyrja në hapësirë janë ende të gjalla në kujtesën time. Sa herë shikoj lëshimet në vend ose në sallën e komandës, ripërjetoj shumë ndjenja që duhet thënë se janë të paharrueshme për gjithë jetën.”
Projekti i fluturimeve hapësinore me astronautë i Kinës filloi në vitin 1992 dhe vjet mbaroi ndërtimi i gjithanshëm i stacionit hapësinor kinez. Tani ka nisur faza e shfrytëzimit dhe e zhvillimit të këtij stacioni. Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kinës, Wang Chunfa, tha:
"Përmes më shumë se 90 grupeve të objekteve të fluturimeve hapësinore me astronautë, të plotësuara nga një numër i madh fotografish dhe materialesh video, ekspozita rishikon sistematikisht historinë e jashtëzakonshme dhe arritjet e shkëlqyera të projektit të fluturimeve hapësinore me austronautë të Kinës gjatë 30 vjetëve të fundit dhe demonstron plotësisht që kinezët kanë arritur përparime të mëdha në rrugën e zhvillimit shkencor e teknologjik të pavarur të nivelit të lartë. Po ashtu, paraqitet koncepti i bashkëpunimit tekniko-shkencor të hapur e me përfitime të ndërsjella, duke nxitur besimin dhe vendosmërinë e kinezëve për realizimin e mbështetjes te vetja në fushat tekniko-shkencore në nivel të lartë dhe kthimin në një vend të fuqishëm në fushën e shkencës në botë." (Çang Çuo)