CMG-ja: Besueshmëria e Japonisë "ka falimentuar"
2023-02-28 12:47:51

Foto nga VCG

Në prillin e vitit 2021, qeveria japoneze shpalli se do të shkarkojë ujin e ndotur të centralit Fukushima në oqean duke filluar nga pranvera e vitit 2023, duke sjellë kundërshtime brenda e jashtë Japonisë. Në korrikun e vitit 2022, Japonia miratoi projektin e shkarkimit në situatën kur Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ende po zhvillonte hetim e vlerësim. Në janar të këtij viti, para se grupi teknik i punës i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të shkonte në Japoni, pala japoneze shpalli në mënyrë të njëanshme se do të shkarkonte ujin e ndotur në det. Pastaj Japonia shpejtoi zbatimin e planit, duke përfshirë betonimin e rezervuarëve të mëdhenj për ruajtjen e ujit të ndotur bërthamor etj., në përpjekje që ta bëjë këtë fakt të kryer. Këto veprime të Japonisë jo vetëm dëmtuan autoritetin e organizatave ndërkombëtare, por edhe janë të papërgjegjshme, thuhet në një koment të CMG-së.

Sipas rezultateve më të reja të studimit nga Instituti Korean i Shkencës dhe i Teknologjisë Oqeanike, nëse uji i ndotur bërthamor shkarkohet në zonën detare të Fukushimës në bregdetin lindor të Japonisë, elementi radioaktiv tritium në ujë do të lëvizë drejt lindjes me rrymën e fortë të ngrohtë japoneze dhe do të përhapet në të gjithë Oqeanin Paqësor Verior në 10 vjet.  Shaun Burnie, ekspert i lartë bërthamor në zyrën e Japonisë të organizatës mjedisore ndërkombëtare "Greenpeace", theksoi se, përveç tritiumit, ka shumë substanca të tjera radioaktive në ujin e ndotur bërthamor të Fukushimës që s'mund të filtrohen nga teknologjia ekzistuese e centralit bërthamor të Fukushimës. Deklarata e qeverisë japoneze në lidhje me sigurinë e shkarkimit të ujit të ndotur bërthamor nuk është e besueshme.

Në komentin e CMG-së thuhet se deti është baza e jetës dhe e zhvillimit të vendeve të ndryshme. Japonia, si vend anëtar i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ligjin Detar, ka detyrim për mbrojtjen e mjedisit të detit. Në fakt, nga viti 2013, qeveri japoneze ka propozuar pesë metoda për të trajtuar ujin e ndotur bërthamor, por në fund vendosi ta shkarkojë në det për arsye të kostos më të ulët. Nëse pala japoneze do të shkarkojë  ujin e ndotur bërthamor në det, bashkësia ndërkombëtare do të marrë masa të përbashkëta për të ruajtur interesat e përbashkët me mjete ligjore.