Dyfishohet çmimi i patentave, prej marsit në fuqi marrëveshja e re
2023-02-28 09:43:09

Leje drejtimi (Foto wikipedia)

Leje drejtimi (Foto wikipedia)

Rreth 300 autoshkolla që operojnë në Shqipëri, do të dyfishojnë tarifën për marrjen e një leje drejtimi automjeti brenda muajit mars. Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së autoshkollave Tonin Gjinaj, duke marrë shembull lejet e drejtimit të kategorisë B, pra lejet për automjetet që përdoren nga qytetarët, thotë se ato do kushtojnë 85 mijë lekë nga 45 mijë që kushtonin deri më sot.

“Leje drejtimi e kategorisë B për 15 ditë 36 orë mësim që i bie 300 mijë lekë të vjetra me gjithë pagesën e TVSH ndërsa praktika është 40 minuta dhe nga 25 seanca që bëhej, tani janë 34 seanca praktikë dhe kushton 16 mijë lekë të vjetra një seancë 55 mijë lekë, leja e drejtimit e kategorisë B do të shkojë 85 mijë lekë”, deklaroi Tonin Gjinaj.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Autoshkollave, rritja e tarifës për patentat do të bëhet edhe për shkak të rritjes së numrit të seancave të praktikës dhe rritjes së çmimit të karburantit. Gjinaj thotë se ndryshimi bëhet për të eliminuar sekserët dhe informalitetin në këtë sektor.

Tonin Gjinaj (Foto facebook)

Tonin Gjinaj (Foto facebook)

“Ky shërbim do kthehet në shërbim te qytetarit dhe nuk do futen në xhepat e sekserëve apo ata që bënin evazion fiskal. Kemi rritur orët e praktikës për të rritur standardet e sigurisë rrugore, për të aftësuar më shumë sepse ne jetojmë në Shqipëri. Çdo gjë është rritur, karburanti është rritur dhe në vendin tonë dhe kështu që çmimi i patentës nuk ka ndryshuar që nga viti 2000. Kjo është hera parë që bëhet një vlerësim teknik i lejes se drejtimit”, shprehet Gjinaj.

Sipas një përllogaritje të thjeshtë, kursantët do të bëjnë 6 orë më shumë praktikë dhe kjo do t’u kushtojë plot 40 mijë lekë të reja më shumë ose 66 mijë lekë ora.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe sqaroi se ky program është i njëjtë. Ai tha se çmimi i ri do të ketë hyrë në fuqi para zgjedhjeve të 14 majit, por ende nuk ka një datë fikse.

“25 janë seanca të plota, 9 janë manovra të veçanta. Programi është i njëjtë. Të gjitha krahasimet e çmimeve dhe tarifave bëhen mbi baza ligjore. Situata nuk është kështu. Në rast se regjistrat janë të mbushur me firma, ne nuk kemi si e kapim kursin e pakryer. Në 2021 bëhen ndryshme në Kodin Rrugor.  I kemi dhënë një faqe të re lejeve të drejtimit. Nuk ka rritje sepse është rritur çmimi, por kërkohet sepse kërkohet të bëhet programi dhe kjo kërkon kosto. Çmimi që ka bërë bujë këto, nga ato 85, gati 20% paguhen dhe sot, pjesa tjetër i mbeten kursit”, tha Gonxhe

Blendi Gonxhe (Foto facebook)

Blendi Gonxhe (Foto facebook)

Dyfishimi i çmimit të patentave vjen pas një marrëveshjeje të nënshkruar nga Shoqata e Autoshkollave, Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Me këtë marrëveshje, praktikantët do të duhet që pagesën ta bëjnë të gjithën në bankë me dy këste, çka sipas grupit të interesit është formalizim i tregut.

“Marrëveshja ndihmon që tregu të rimëkëmbët. 2 mijë veta janë të punësuar në këtë sektor dhe këta 2 mijë profesionistë përse duhet të marrin një rrogë mizerabël. Jemi vetëprogamuar. Kemi menduar që t’i shtojmë vetes një aleat të rëndësishëm që janë qytetarët.  Do të ketë kontrolle,  por qytetari merr rolin e parë. Qytetari nuk shkonte në mësim sepse nuk paguante.” u shpreh Gonxhe.

Rritja e çmimit (Foto wikipedia)

Rritja e çmimit (Foto wikipedia)

Pas paralajmërimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për rritjen e çmimit të patentave, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet, pas shqetësimeve të shprehura nga qytetarët për këtë çështje.

Marrëveshja po verifikohet për mbrojtjen e konkurrencës, pasi sipas Autoritetit, ligji ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e tregut.

Për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në tregun përkatës.