Ligji për ndërmjetësit rrit sigurinë e tregut të pasurive të paluajtëshme
2023-02-27 09:46:17

Shitja e pasurive të paluajtshme(Foto ww.rangesfn.com)

Shitja e pasurive të paluajtshme(Foto ww.rangesfn.com)

Viti që  lamë pas ka qenë i mbarë për tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas shifrave të bëra publike nga  Drejtori i Shoqatës  Kombëtare të Ndërmjetësve për Pasuritë e Paluajtshme, Reinald Pipiria gjatë një interviste  televizive “Nga të gjitha statistikat që ne kemi në krahasim me 2021, viti 2022 ka shënuar një rritje që është 15-17%. Sipas statistikave që tashmë ka INSTAT, në 2021 tregu për pasuri të paluajtshme ka qenë në nivelin e 930-950 milionë eurove, në 2022 duhet të jemi në nivelin e 1.1 miliardë eurove dhe flasim për një vit që kishte problematikat dhe turbulencat e veta”

Tashmë për këtë treg ka edhe një ligj të posaçëm.

Eksperti Reinald Pipiria (Foto Klan TV)

Eksperti Reinald Pipiria (Foto Klan TV)

“Praktikisht në 9 mars të vitit 2022 ka hyrë në fuqi ligji për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme. Është plotësuar me akte nënligjore në fund të majit të vitit 2022. Tashmë është fakt se janë emetuar 200 licencat e para dhe është një lajm për 2023 se është krijuar komisioni disiplinor për këtë profesion, ku NAREA, ka tashmë dy anëtarë, që është drejtori ekzekutiv, unë Reinaldo Pipiria, dhe Arbër Brahaj “- thotë Pipiria

Edhe ky profesion, sipas ekspertëve ka nevojë për komision disiplinor.

“Patjetër që duhet një institucion kolegjial, një autoritet kolegjial, vendimmarrës me natyrë administrative për të gjitha çështjet që do të lidhen me këtë sektor, sidomos gjatë proceseve të inspektimit që do kryejnë institucionet shtetërore por dhe për të adresuar çdo lloj ankese që mund të kenë qytetarët, të cilët janë duke marrë një shërbim tashmë nga një profesion i rregulluar”

Qytetarët kanë të drejtë të ankohen për veprime  jo korrekte nga ndërmjetësit.

“Një qytetar mund të ankohet në rastet e mashtrimit, mund të ankohet për një shërbim, i cili i ka fshehur dokumentacionin ligjor të pronësisë, ka shitur një pronë me probleme. Mund të jenë disa skenarë. Skenari më i keq të marrësh një pronë për të cilën të kanë mashtruar dhe në fund të ditës ti nuk e gëzon. Kjo mund të ndodhi dhe historia në Shqipëri ka treguar që ka patur prona që janë tregtuar me problematikën e tyre dhe duam ta shmangim këtë nëpërmjet ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme. “- thotë Reinald Pipiria.

Hyrja në fuqi e ligjit të ri ka rreguluar më shumë tregun e pasurive të paluajtshme.

“Mendoj që ka ndryshime në profesion, të cilat do të shikohen pak më tepër gjatë vitit 2023. E para, ka një ndërgjegjësim ku gjithësecili të paktën flasim për ata 550 anëtar brenda NAREA-s, që nga mënyra e identifikimit, nuk i shikon më pa emër në portale, por i shikon me emër mbiemër dhe shumë shpejt do të shohin dhe numrin e licencës dhe emrin e brendit që ata operojnë. Këtu e kupton që po merr shërbim nga një profesionist, që është nën efektin e rregullimit të ligjit dhe trajton këtë profesion në mënyrë serioze, ashtu siç duhet, duke bërë diferencën. Nuk duhet të shkosh të marrësh një shërbim tek dikush që është pa emër, që lë vetëm një numër telefoni dhe nuk është i identifikueshëm. Sipas kuadrit ligjor që ne kemi aktualisht, 4 herë në vit Ministria e Drejtësisë, të paktën 4 herë në vit duhet të hapë thirrjen për këdo që do të certifikohet dhe do të hyjë në pozicionin e ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme. Vitin e kaluar kjo stinë ka mbaruar në shtator të 2022, ndërsa nga shtatori i 2022 nuk ka patur një thirrje të re. Në 25 janar të 2023 është hapur kjo thirrje dhe është e vlefshme deri në 23 shkurt. Kushdo i cili do të hyjë në këtë profesion, do të duhet të depozitojë aplikimin pranë ministrisë së drejtësisë”, thekson eksperti.

Pasuri të paluajtëshme (Foto acp.al)

Pasuri të paluajtëshme (Foto acp.al)

Tregu i pasurive të paluajtshme (real estate) ka një numër të lartë të punësuarish dhe tashmë këtë profeson nuk mund ta bëjë më kushdo.

“Ishte një profesion që mund të ushtrohej nga kushdo, por tashmë është një profesion i rregulluar. Është një hallkë shumë e rëndësishme në transaksionin e pasurive të paluajtshme. Fillon me ndërmjetësin, vazhdon tek noterët, më pas në bankë dhe më pas në ASHK. Të gjitha këto hapa, tashmë janë të monitoruara dhe të rregulluara, sidomos, në përmbushjen e detyrave që ka shteti shqiptar në procesin e integrimit në BE dhe në luftën ndaj pastrimit të parave. Prandaj është e rëndësishme që ky profesion është i licencuar dhe tani monitorohet. Profesioni nuk përbente rrezik, por ishte pjesa më e shëndetshme dhe e pa afektuar nga fenomenet negative siç është evazioni dhe pastrimi i parave në të gjithë tregun e transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Për ta mbajtur këtë pjesë të shëndetshme patjetër që ishte e rëndësishme që të licencoheshin të regjistroheshin në një regjistër publik, siç e ka NAREA dhe siç do ta ketë Ministria e Drejtësisë dhe pastaj të monitoroheshin”, thotë ai.

Aktualisht në Shqipëri janë lëshuar afro 200 licenca në këtë sektor.

“Licencat janë personale, çdo profesionist duhet të ketë një licencë. Një subjekt nuk mund të ofrojë ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, kur nuk ka të punësuar dike që ka licencë. Deri tani janë 200 licenca të emetuara. Ne si institucion kemi udhëhequr procesin për mbi 500 licenca, kështu që presim pjesën tjetër, ta kemi brenda datës 9 mars. Në statistikat e Ministrisë së Drejtësisë dhe aq sa ne e njohim tregun, duke patur 1200 aplikime për emetim, vetem 200 janë miratuar dhe kjo ka ndodhur deri në fund të 2022”, thotë Pipiria.

Regullimi i këtij ligji sipas ekspertëve pritet të japë një kontribut edhe në nxjerrjen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave.