Biblioteka Kombëtare prezanton revistën “Les Lettres Albanaises”
2023-02-27 11:45:52

Biblioteka Kombetare- foto ATSH.

Biblioteka Kombetare- foto ATSH

Biblioteka Kombëtare prezantoi për publikun bibliografinë e një prej revistave më të suksesshme të viteve '80-'90, “Les Lettres Albanaises”. Si organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e para e këtij lloji që shfaqej në vendin tonë, revista asaj kohe botohej në frëngjisht katër herë në vit. Numri i parë doli më 1978, ndërsa i fundit më 1991.

Për përmbushjen e këtij qëllimi, revista mblodhi rreth vetes emrat më të spikatur të letërsisë, kritikës dhe fushave të tjera të artit shqiptar. Kryeredaktori i parë është Ismail Kadare, që do ta drejtonte revistën  për 12 vite, nga nr.1/1978 deri në numrin 3/1990, ndërsa grupi redaksional nismëtar përbëhej nga dhjetë personalitete: Jakov Xoxa, Llazar Siliqi, Dalan Shapllo, Shefqet Musaraj, Fatos Arapi, Kujtim Buza, Kristaq Rama, Çesk Zadeja, Violeta Manushi dhe Viktor Gjika. Me largimin e Ismail Kadaresë, vendin e tij e zuri Diana Çuli, e cila drejtoi vetëm 2 numra, sepse në vitin 1991 revista do të pushonte së botuari.

Që në krye të herës, qëllimi kryesor i saj ishte të përcillte te lexuesi i huaj arritjet më të mira të letërsisë dhe arteve shqiptare bashkëkohore si dhe të bënte sa më shumë të njohur sistemin letrar kombëtar në përgjithësi, që nga letërsia e vjetër deri tek ajo e traditës. Falë vizionit dhe frymës editoriale që e shoqëroi pandalshëm revistën, spikatën emra si: Dalan Shapllo, Andrea Varfi, Llazar Siliqi, Adriatik Kallulli, Shevqet Musaraj, Dilaver Dilaveri, Sterjo Spasse, Aleks Çaçi, Luan Qafëzezi, Spiro Dede, Adem Istrefi, Anastas Kondo, Dhimitër Shuteriqi etj.

Kjo revistë ishte pasqyra a artit shqiptar të kohës . Që në vitin 1979 u botuan për lexuesin tregime të autorit Dritëro Agolli, poezi nga liriku i madh Lasgush Poradeci, poezi të revoltës intime nga Migjeni, prozë rrëfimtare nga Mitrush Kuteli, poezi lirike nga Fatos Arapi, Drago Siliqi etj., tregime nga Faik Ballanca, novela nga Vath Koreshi etj., sikundërse në gjininë e pikturës u publikuan krijime moderne të piktorëve, si Zef Kolombi, Simon Rrota, Sali Shijaku, Abdurrahim Buza, Bashkim Ahmeti e Lumturi Blloshmi.

Nje nga numrat e revistes- foto ATSH

Një nga numrat e revistes- foto ATSH

Revista prezantoi për lexuesin frankofon që nga fillimi i saj e në vazhdimësi poezi nga autorët arbëreshë: Vorea Ujko, Zef Serembe, Giuseppe Schiró di Maggio etj. dhe prezantoi tregimet poetike, poezitë dhe prozat e gjata të autorëve shqiptarë nga Kosova: Anton Pashku, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Eqrem Basha, Esat Mekuli, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Agim Vinca, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu etj.

Thuhet, me të drejtë, se një revistë që lind është një vendtakim i ri, është një dritare më shumë, një rrugë më e gjerë, një fushë për të përtëritur kulturën e format e saj shprehëse, për t’i bërë pyetje vetes e të tjerëve, për të kërkuar përgjigje, për të përhapur kulturë, tendenca, mënyra për të nxitur krijimtarinë.

Në fakt nisma të tilla nuk kanë munguar gjatë gjithë historisë së gjatë të kulturës sonë. Shkrimtarët, artistët dhe patriotët shqiptarë shpesh kanë ndërmarrë veprime të frytshme dhe energjike për të shpalosur para botës letërsinë dhe artin e popullit tonë, si për shembull Faik Konica me gazetën e tij “Albania”, e cila në faqet e fundit të saj kishte materiale dhe tekste të ndryshme në frëngjisht.

Bibliografia per botimin e revistes Les Lettres Albanaises- foto ATSH

Bibliografia per botimin e revistes Les Lettres Albanaises- foto ATSH

Natyrshëm revista “Les Lettres Albanaises” u kthye në një “pasaportë” kulturore që e përcolli letërsinë, artet dhe një pjesë të identitetit shqiptar jo përmes një rruge të ngushtë njëkalimëshe, por në një rrugë të gjerë ku autorët, historianët, kritikët e artit, kineastët, studiuesit e folklorit, muzikantët, por më së shumti poetët dhe piktorët ecën përmes artit të tyre modern për të shpërfaqur edhe një tjetër dimension të artit mbarëkombëtar bashkëkohor në sytë e lexuesit frankofon.

Punimi i hartuar nga bibliografet Brunilda Tahiri dhe Loreta Loli, synon të sjellë një panoramë detajuese të përmbajtjes së njërës prej revistave shqiptare, e cila tërhoqi dhe u vlerësua për përhapjen e kulturës shqiptare, që promovoi autorë, piktorë, përkthyes, kritikë etj., duke shërbyer si burim informacioni për ta, për tematika të ndryshme në fushën e letërsisë, të artit, historisë, dramës, muzikës, pikturës etj. Ajo siguron një qasje të shpejtë e të lehtë nëpërmjet rubrikave, shënimeve të mundshme brenda një regjistrimi bibliografik si dhe treguesve, që ndihmojnë e drejtojnë përdoruesin në informacionin e kërkuar.

Neritana Kraja