Endrit Ahmetaj
Endrit Ahmetaj ka kryer studimet për aktor në Itali, ku dhe ka luajtur në teatër dhe kinema. Ai që në moshë të vogël ka ëndërruar të bëhet aktor dhe ja ka arritur më së miri në shtetin fqinj. Gjithashtu ai ka qenë i angazhuar si aktor edhe në Shqipëri dhe dëshiron që në të ardhmen të përfshihet në botën e kinemasë në të dyja vendet. Para pak kohësh Endriti ka vënë në skenë si regjisor dhe aktor në Tiranë dhe Prishtinë shfaqjen “Emigrantët” ku dhe është pritur mjaft mirë nga publiku. Në një intervistë për Radio Ejani Endriti tregon për rrugëtimin e tij me kinemanë dhe teatrin si dhe projektet e realizuar gjatë karrierës së tij.
Endrit Ahmetaj në intervistë për CMG
CMG: Kur emigroi familja juaj në Itali dhe sa vjeç ishit ju në atë kohë?
Endrit Ahmetaj: Babi shkoi i pari në filllim të vitit 2000, pastaj na mori dhe ne të tjerët, mua bashkë me vëllain dhe mamin. Kështu që unë kam qenë diku te 7 vjeç kur kam ikur në Itali dhe atje filloi një jetë e re, me vështirësitë e saj fillimisht sepse Italia e asaj kohe nuk ishte kaq e mësuar me të huaj, por ka pasur dhe njerëz që na kanë ndihmuar.
CMG: Klasën e parë e keni kryer në Itali apo e kishit nisur që në Shqipëri mësimin në shkollën fillore?
Endrit Ahmetaj: Klasa e parë e imja ka qenë për një muaj e gjysmë këtu në Tiranë tek shkolla “Ali Demi”, pastaj një muaj tjetër në Mullet dhe më vonë në Itali.
Endrit Ahmetaj gjate shfaqjes Emigrantet
CMG: Si u ambientuat me bashkëmoshatarët e klasës së parë në shkollë në Itali? A e mësuat shpejt gjuhën italiane?
Endrit Ahmetaj: Fëmijët janë si sfungjer, kështu që ambientohen shumë shpejt. Nga njëra anë ka qenë dhe i lehtë fillimisht sepse dhe disa mësues më merrnin duke më dhënë mësim më vete derisa unë të mësoja gjuhën. Pastja ka qenë interesante dhe ka qenë një periudhë e bukur, një jetë e re, fëmijëri e re, shoqëri e re përpos disa problemeve. Fillova të ambientohesha me shoqërinë e re.
CMG: Në atë moshë që jeni larguar nga Shqipëria e keni ndjerë mungesën e shoqërisë?
Endrit Ahmetaj: Më shumë kam ndjerë mungesën e familjarëve, gjyshërit. Ndërsa për shoqërinë jo sepse vinim nga një situatë jo e lehtë. Në Itali ishte gjithçka më e re, më e pasur dhe e bukur dhe unë isha i lumtur.
CMG: Për çfarë keni studiuar në Itali?
Endrit Ahmetaj: Unë në Itali kam mbaruar gjimnazin 5 vjeçar dhe vendosa të vazhdoja për aktor sepse ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja që tani fatmirësisht po e jetoj. Aktrimin e kam pasur qejf që kur isha fëmijë dhe më pëlqente të hyja në skenë përpara familjarëve i veshur si plak, si grua ose mbaja mend disa batuta të filmave shqiptarë të vjetër. Më vonë kalova tek muzika, bateria dhe pastaj futbolli dhe fotografia derisa në moshën 19 vjeçare i thashë prindërve që unë nuk dua të bëj universitet, por dua aktrimin. Prindërit më kanë ndihmuar duke më mbështetur, duke më thënë se nëse është ëndrra jote vazhdoje. Kështu që pashë pak nëpër Itali dhe hodha disa kandidatura, u përgatita me disa kurse paraprakisht sepse kisha thjesht pasionin dhe talentin, por që nuk kisha mjetet për ta bërë.
Më vonë më doli rasti dhe më pranuan në Firence tek Shkolla Kombëtare e Kinemasë, ku ishte një vit intensiv. Aty shkoja nga e hëna në të shtunë dhe kemi pasur aktrim teatri, aktrim kinemaje dhe pastaj diksion dublim. U diplomova te kjo shkollë dhe pastaj po në Firence hyra te Teatro della Pergola, ku vazhdova për tre vite. Pas kësaj nuk isha i kënaqur akoma sepse më pëlqente të kisha shumë stile dhe u futa në një “Hector studio”, laborator që quhet, por ndërkohë kisha filluar që të punoja si aktor. Fillimisht kam pasur një rol të vogël si fillestar dhe pastaj fillova edhe në teatër, por ndërkohë vazhdoja për tu përmirësuar akoma më shumë dhe aty them se jam rritur shumë profesionalisht.
Endrit Ahmetaj
CMG: Mendon se nëse do ishe në Shqipëri ëndrra për t’u bërë aktor do ishte realizuar?
Endrit Ahmetaj: Besoj se po, por thjesht atje kam pasur më shumë mundësi për t’u rritur sepse kam pasur fatin të bëj tre shkolla të ndryshme. Gjithashtu kam qenë me fat që të kem disa pedagogë shumë të mirë dhe të përgatitur, duke pasur mundësi që edhe të përballem nëpër workshope me artistë të ndryshëm. Mendoj se dhe këtu do ta realizoja këtë ëndërr, por në Itali kam pasur një formim më të mirë.
CMG: Pas përfundimit të studimeve për aktor si vijoi karriera juaj me kinemanë?
Endrit Ahmetaj: Me vështirësi, sepse Itala është e madhe ku ka dhe shumë njerëz por dhe shumë konkurencë. Mbaj mend që kur bënim audicionet për një film apo projekt ishim mbi 1000-2000 veta dhe të linin orarin në 10 të mëngjesit për të hyrë, dhe u fusje në orën 2 ose 5 mbasdite. Kështu që ka shumë konkurencë, por gjithësesi ja kam dalë sepse në vitin 2016 mora pjesë në një serial në Canale 5 të Mediaset me Luca Paolo, që për mua ishte shumë mirë sepse isha akoma student dhe ishte një rritje si aktor. Pastaj përsa i përket kinemasë kam pasur edhe role kryesore, por në filmat me metrazh të shkurtër. Ndërsa në teatër kam pasur role më të mira, role kryesore me regjisorë të ndryshëm. Kam pasur mundësinë në Teatro della Pergola që të jem në Milano, Torino, Firence dhe Romë.
CMG: Preferoni më shumë filmin apo teatrin?
Endrit Ahmetaj: Është pak e vështirë për mua t’i ndaj sepse të dyja kanë bukurinë dhe kënaqësinë e vet. Teatri kur je në skenë është gjithçka direkt, edhe emocionet por dhe raporti me publikun si dhe me aktorët e tjerë në skenë. Gjithçka ndodh aty dhe ti duhet të japësh, pra do prezencë, fuqi dhe zë. Teatri sot ka nevojë për shumë natyrshmëri, të jesh i natyrshëm, i besueshëm dhe jo pompoz. Ndërsa kinemaja për mua është diçka madhështore sepse aty duhet të jesh komplet i natyrshëm sepse kamera të kap, sytë nuk gënjejnë dot. Aty është më e lehtë nga një anë sepse po gabove e përsërit, por nga ana tjetër është më e vështirë sepse ti po xhiron skenën ndërkohë që ke 100 veta prapa. Kinemaja të jep më pamje dhe më popullaritet.
Endrit Ahmetaj gjate nje roli
CMG: Flasim për shfaqjen tuaj të fundit “Emigrantët”, që ju e keni përkthyer dhe përshtatur në shqip. Kjo shfaqje është dhënë kohët e fundit në Tiranë dhe Prishtinë dhe ju ishit regjisor dhe aktor. Si lindi ideja e kësaj shfaqje?
Endrit Ahmetaj: Kjo punë mu propozua nga grupi “Ata” në Kamëz në fillim të muajit tetor të vitit të kaluar, kur unë po rikthehesha në Itali sepse kisha dy muaj që nuk po gjeja diçka në Shqipëri. Kështu që e vendosa dhe kishim një mbledhje me producentët, ku vendosëm bashkarisht përsa i përket zgjedhjes së veprës sepse ata kishin nevojë për një regjisor dhe mua më kishin parë tek “Gofi” te Metropoli në vitin 2021 dhe i kisha pëlqyer shumë si aktor. Unë e pranova ftesën dhe bashkë vendosëm veprën, ku unë propozova emigrantin për dy arsye.
E para për çështje teknike sepse koha ishte pak e shkurtër dhe datat ishin vendosur në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit. Për të bërë një shfaqje për dy muaj është pak e vështirë. Kështu që thashë të vendosnim këtë shfaqje se ka substancë, por është dhe me dy aktorë dhe më e lehtë për ta menaxhuar. Kjo shfaqje nuk kishte një përkthim të mirëfilltë në shqip dhe unë vendosa ta përkthej nga italishtja. Pastaj arsyeja e dytë, por dhe më kryesorja është se kjo ishte një temë aktuale sepse sot kemi shumë njerëz që po largohen nga vendi. Kjo gjë nuk po ndodh vetëm në Shqipëri, por është në gjithë botën. Unë që jetoj në Itali e shikoj se jugu i Italisë po largohet për migracion të brendshëm apo emigracion të jashtëm. Gjithashtu kjo është një temë e lirisë së njeriut, skllavëria jonë ndaj gjërave materiale apo parasë, pra ka shumë tematika dhe është mjaft aktuale.
CMG: Si u prit kjo shfaqje nga publiku?
Endrit Ahmetaj: Kjo shfaqje u prit shumë mirë, ku unë u nisa si regjisor dhe pastaj një aktor tjetër për arsyje familjare nuk mundte dhe në moment të fundit u bëra edhe aktor. Këtë shfaqje e vendosëm në fillim në Kamëz, ku e përshtatëm duke e vendosur në një pallat jo të braktisur por në ndërtim dhe ajo ishte shumë reale sepse ngjante si kinema. Ka pasur publik, madje njerëzit që erdhën ditën e parë erdhën dhe të dytën dhe u prit shumë mirë si shfaqje.
Endrit Ahmetaj
CMG: Të ardhmen tuaj në lidhje me botën e kinemasë e shikon në Itali apo Shqipëri?
Endrit Ahmetaj: Unë e shikoj tek të dyja. Unë u ritkheva në Shqipëri rastësisht se nuk e kisha programuar kthimin këtej të paktën për tani. Në shtator-tetor 2021 me kompaninë time në Torino ishim në një turne me shfaqjen dhe ishim të ftuar në një festival tek Teatri Skampa në Elbasan. Unë kisha dy-tre vite që nuk rikthehesha në Shqipëri sepse ka qenë dhe periudha e pandemisë. Kur u ktheva shfaqja pati sukses ku filluan dhe intervistat, dhe thonin se si ka mundësi që ky djalë me origjinë shqiptare kthehet në Shqipëri, por për të përfaqësuar Italinë. Pastaj u mallëngjeva pak dhe mora dy javë kohë që të provoja për ndonjë audicion. Unë bëra disa audicione dhe më morën, dhe kështu pastaj vazhdoi puna me angazhime të ndryshme. Gjithsesi kam dëshirë që të punoj këtu, por dhe në Itali përsa i përket teatrit dhe kinemasë, dhe pse jo të kontribuoj edhe për Shqipërinë, duke sjellë kontakte apo producentë që kam në Itali për disa ura lidhjeje mes dy vendeve tona.
CMG: Keni ndonjë projekt konkret që prisni ta realizoni këtë vit?
Endrit Ahmetaj: Kam disa projekte në teatër dhe kinema, në lidhje me Italinë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Endrit Ahmetaj: Unë ju falenderoj që më ftuat dhe kam dëshirë të them që asgjë nuk është e pamundur. Mjafton vetëm të përkushtohesh sepse vetëm me dëshirë, durim dhe talent arrihet gjithçka. Rëndësi ka që t’i lemë diçka njerëzve, artin tonë, veprën tonë ta bëjmë për t’i pasuruar, jo imponuar dhe pastaj gjithsecili merr atë që do.
Intervistoi: Gazmend Agaj