Polonia e përgatitur mirë për turistët kinezë
2023-02-27 15:38:55

Foto nga VCG

Polonia pret turistët kinezë dhe është e përgatitur mirë për ardhjet e tyre, ka thënë një përfaqësuese e Organizatës Polake të Turizmit, pasi turizmi i jashtëm filloi të rimëkëmbet në Kinë në fillim të këtij muaji.

“Jam shumë e lumtur që shoh ndryshime në politikën e turizmit jashtë vendit në Kinë”,- deklaroi për “Xinhua” Malgorzata Tanska, shefja e zyrës së organizatës në Pekin, duke theksuar se Kina ka rifilluar udhëtimin në grup jashtë vendit pas pauzës së shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Kina sapo ka rifilluar udhëtimet në grup për turistët në 20 vende, përfshirë Hungarinë dhe Zvicrën në Evropë, por Polonia nuk është ende ndër destinacionet, tha ajo, duke shprehur besimin se Polonia do t'i shtohet destinacioneve së shpejti.

Rifillimi i udhëtimeve jashtë vendit, pjesë e optimizimit të masave të kontrollit të pandemisë nga Kina, është mirëpritur nga industria globale e turizmit.

Duke vënë në dukje se numri i kinezëve që udhëtonin në Poloni arriti në 130.000 në vitin 2019, Tanska tha se tregu i turizmit kinez është një nga më të rëndësishmit për Poloninë.

Ajo vuri në dukje se informacionet praktike rreth atraksioneve, hoteleve dhe restoranteve në Poloni ofrohen gjithashtu përmes “WeChat”, një platformë e njohur e mediave sociale në Kinë.

Tanska tha se natyra e Polonisë, kultura dhe kostoja miqësore e udhëtimit janë ato që u interesojnë më shumë turistëve kinezë.

Ajo tha gjithashtu se konsullatat polake në Kinë kanë rifilluar tashmë lëshimin e vizave për turistët individualë dhe se “LOT Polish Airlines” dhe “Air China” kanë rifilluar fluturimet direkte mes Pekinit dhe Varshavës me frekuencë në rritje, gjë që do të lehtësojë udhëtarët kinezë. (Fatosi)