Dalipi: Tirana është kthyer në qendër të turizmit europian
2023-02-26 11:30:05

foto/VCG

foto/VCG

Kryetari i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, e ka cilësuar Tiranën një kryeqytet që nuk ka të krahasuar sa i takon zhvillimit. Gjatë një interviste televizive, Dalipi përmendi disa nga investimet e bëra nga Bashkia dhe theksoi se Tirana ka ndryshuar si nata me ditën në një kohë shumë të shpejtë, duke u bërë një qendër e turizmit europian, citon “ATSH”.

Ai theksoi se Piramida e Tiranës do të jetë një nga qendrat më të mëdha në Europë për teknologjinë dhe inovacionin, si dhe theksoi se kryeqyteti shqiptar është sot një qendër e rëndësishme e turizmit europian.

“Zhvillimi është i pandalshëm dhe duhet ta shohim Tiranën me sytë e të ardhmes. Tirana sot po zhvillohet për gjeneratën e re. Piramida do të jetë një nga qendrat më të mëdha jo vetëm në rajon por dhe në Europë për teknologjinë dhe inovacionin. Qendra Tumo, shumë qendra të mëdha që po zhvillohen në këtë drejtim, po bëhet gjithçka që Tirana të meritojë atë që është sot, një qendër e rëndësishme e turizmit europian që i bën nder Shqipërisë”, deklaroi ai. (Irma)