Enejda Fasko: Synimi im, skena botërore
2023-02-26 11:10:45

Këngëtarja e re Enejda Fasko ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Arteve në degën e Kantos, ndërsa këtë vit do të ndjekë Masterin. Ajo ka interpretuar si soliste në disa opera gjatë periudhës së studimeve, një ndër to edhe opera e njohur shqiptare  “Mrika” e kompozitorit Prenk Jakova. Aktualisht Enejda po punon si mësuese e Kantos në Liceun Artistik në qytetin e Fierit. Në intervistë për Radio Ejani, ajo na tregon për pasionin e saj muzikën, si edhe planet për të ardhmen. 

CMG: Si nisi pasioni yt për muzikën?

Enejda Fasko: Pasioni im për muzikën lindi që në moshën 10 vjeçare. Kisha shumë dëshirë të këndoja, por pa e ditur që kisha talent. Në klasën e shtatë më pikasi mësuesja e muzikës dhe që atëherë më aktivizonte në çdo aktivitet që organizonte shkolla.

 CMG: Cili ishte personi, që insistoi se ti mund të bëheshe një këngëtare e mirë?

Enejda Fasko: Përveç mësueses ishte dhe mami im, e cila më ka mbështetur shumë në rrugëtimin tim artistik, për ta vazhduar më tej pasionin tim, muzikën. 

CMG: Cila ishte kënga e parë që ke interpretuar në një skenë?

Enejda Fasko: Kënga e parë që kam interpretuar ishte kënga e të madhes Vaçe Zela "Rritim jetën tonë".

CMG: Si vazhdoi rrugëtimi yt? 

Enejda Fasko: Pasi mbarova shkollën 9 vjeçare, më pas vazhdova Liceun Artistik "Jakov Xoxa"  në qytetin e Fierit, në specialitetin “Kanto”. Kur përfundova Liceun Artistik  konkurova në Universitetin e Arteve ku fitova dhe ndoqa studimet Bachelor me profesoren Mariana Leka, të cilën e falenderoj shumë, sepse ka qenë një mbështetje e madhe për mua dhe meqënëse më jepet rasti e përshëndes.  

CMG: Cilët janë personat që ke punuar?

Enejda Fasko: Personat me të cilët kam punuar janë mësuesit e Liceut Artistik në Fier dhe pedagogët e Universitetit të Arteve, ku ndër ta do të theksoja artisten dhe dirigjenten e madhe Suzana Turku.

CMG: Na trego për aktivitetet artistike ku ti ke interpretuar?

Enejda Fasko: Po e filloj me disa nga aktivitetet e para që organizonte Liceu Artistik dhe Bashkia e Fierit, gjithashtu kam bashkëpunuar me Ansamblin “Myzeqeja" si soliste, por edhe në grup. Aty jam angazhuar me pjesëmarrje brenda dhe jashtë vendit, ku kemi marë dhe disa çmime. Aktivitetet më të  rëndësishme për mua janë koncertet që u realizuan rreth një vit më parë në Universitetin e Arteve, në kuadër të 60 vjetorit të Fakultetit të Muzikës, një shumëllojshmëri koncertesh. Gjithçka erdhi falë punës së palodhshme të dirigjentes Suzana Turku, si dhe regjisores Rozi Kostani, ku pata mundësinë që të merrja pjesë në dy opera si soliste, por edhe në kor.  Operat që mora pjesë dhe që do të më ngelen gjatë në memorin time si kujtimet më të bukura ishin, Opera shqiptare "Mrika" e kompozitorit Prenk Jakova, e cila u rikthye në skenë pas 35 vjetësh, ndërsa opera e dytë ishte "Dido dhe Aenea" e kompozitorit anglez Henri Purcell, një eksperiencë shumë e bukur për mua.

CMG: Si e sheh orientimin tënd në të ardhmen, në cilën rrymë muzikore?

Enejda Fasko: Nga dëshira do të veçoja artin klasik, sepse më bën të ndjehem vetvetja dhe më çon në një dimension tjetër, por edhe rrymat e tjera si baladat, këngët e lehta, këngët popullore, gjithashtu dhe Musical e cila është një rrymë që më bën të ndjehem shumë komode dhe që më përshtatet më së miri.

 CMG: Momentalisht cili është angazhimi yt?

Enejda Fasko: Për mua prioritet momentalisht është masteri, të cilin e kam lënë përkohësisht pezull, sepse momentalish jap mësim specialitetin, Kanto në Liceun Artistik Fier.

CMG: Cili është synimi yt për të arritur?

Enejda Fasko: Synimi im është që të arrij skenat botërore të artit klasik, por jo vetëm, gjithashtu edhe rrymave të tjera me disa projekte këngësh apo ndonjë album muzikor.

Intervistoi: Sava Lena