Një festë me këngë dhe valle, “Sofra Tiranase” ka ardhur në edicionin e 27-të në Pallatin e Kongreseve. Ky aktivitet është kthyer tashmë një traditë që realizon një shkrirje origjinale të aspekteve të muzikës popullore të trevës së Tiranës përmes artistëve më në zë dhe po ashtu valleve më të dashura që marrin hijeshinë e kahershme shoqëruar me kostumet tradicionale. Artistēt pjesëmarrës në kētë edicion flasin ekskluzivisht për Radio Ejani, duke sjellë emocionet e përjetuara gjatë performancës së tyre në skenën e Pallatit të Kongreseve.
Këngëtarja Greta Zani ka marrë pjesë në 10 edicione te “Sofra Tiranase” dhe shprehet se gjithmonë ka përjetuar emocionet të veçanta të publikut në sallë. “Unë nuk kam emocione, por normalisht janë emocionet e publikut që të jep me duartrokitjet e tij. Ndjehem njësoj në të gjitha sofrat sepse tiranasit janë gatuar për kështu gjërash, muzikë dhe dashni. Kështu që unë ndjehem shumë mirë.”
CMG: Mendoni se publiku tiranas është më i zjarrtë se publiku i ndonjë treve tjetër?
Greta Zani: Nuk besoj se ka lidhje sepse varet nga trevat, por gjithmonë tiranasit kanë qenë më shumë tek muzika, kështu mendoj unë. Prandaj ndjehesh pak më mirë, ndjehesh sikur bëhesh njësh me ata kur të dhurojnë duartrokitje.
CMG: Cilat këngë interpretuat në këtë koncert?
Greta Zani: Unë interpretova një këngë të kompozuar nga Fatmir Lela dhe një tjetër titulluar “Ashik Tirone” dhe janë të dyja shumë të bukura.
Pjesëmarrës në këtë event ishte dhe këngëtari i njohur i muzikës popullore nga Kosova Afrim Muçiqi, i cili performoi disa këngë nga repertori i tij popullor.
“Absolutisht jam shumë i respektuar dhe i nderuar dhe mendoj se është një traditë të cilën sofra tiranase nuk e harron asnjëherë. Mendoj se kjo traditë i mungon edhe Prishtinës, po ashtu i mungon edhe Shkupit dhe Ulqinit. Kudo që ka shqiptarë mendoj se mungon ky event dhe është një nder shumë i madh për mua që marr pjesë këtu. Gjithë jetën jam munduar që me fanatizëm ta ruaj traditën e këngëve të Shqipërisë së mesme dhe i këndoj me mall e me shpirt” u shpreh këngëtari nga Kosova Afrim Muçiqi.
Këngëtarja kavajase Amarda Arkaxhiu kishte përzgjedhur për këtë koncert disa këngë të gëzueshme të Shqipërisë së mesme. Ajo ndjehet kavajase dhe tiranase.
Amarda Arkaxhiu: Unë ndjehem mrekullisht shumë mirë sepse janë të dyja qytete të Shqipërisë së mesme. Unë e kam nisur karrierën me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, kështu që nuk ndjej ndonjë diferencë. Kavaja është qytet më i vogël, por është qyteti ku kam lindur dhe rritur sepse në moshën 15 vjeçare unë kam lëvizur nga Kavaja dhe kam ardhur në Tiranë. Mamin e kam tiranase dhe ndjehem shumë mirë në të dyja qytetet, te daja, te halla e xhaja, por dhe te tezja jam ndjerë shumë mirë dhe i përshëndes. Në këtë koncert unë këndova këngën ”Napoloni” meqë është një këngë tradicionale dhe çdo dasëm hapet me të. Kështu që edhe unë si familje e madhe “Sofra Tiranase” e hapa me këtë këmgë dhe më pas interpretova këngën time “Gocë Kavaje, mbesë Tirone”, duke e mbyllur performancën time me këngën “Çifteteli” për të kënaqur të gjithë shqiptarët.
Pjesë e këtij eventi ishin dhe sopranoja e njohur Eva Golemi dhe baritoni Kreshnik Zhabjaku, të cilët interpretuan këngë të zgjedhura qytetare tiranase.
Eva Golemi: Për mua nuk është hera e pare, por e treta herë që këndoj te “Sofra Tiranase”. Jam shumë e lumtur që këndoj me shokun dhe kolegun tim baritonin Kreshnik Zhabjaku dhe publiku na priti shumë mirë. Sonte unë interpretova “Jelekun kadife” dhe duetin me Kreshnikun “Qenke veshur me të bardha”.
Kreshnik Zhabjaku: Unë këndova këngën “Kur pata një lule të bukur”, por të trija këngët që interpretuam janë këngë të mrekullueshme tiranase dhe sikur na shkojnë për shtat. Kjo ishte e veçanta që doli nga ky bashkëpunim sepse unë me Evën jemi njohur që në lice. Ne kemi kënduar bashkë në shumë role në Institutin e Arteve, por dhe në Teatrin e Operës. Sot ishte një mbrëmje e veçantë sepse kënduam këngën qytetare tiranase.
“Sofra tiranase” u mbyll me një atmosferën të zjarrtë të krijuar në sallë nga këngëtari i dashur për publikun Sinan Hoxha.
Sinan Hoxha: Është një shprehje e vjetër që thuhet se “me qenë tiranas është fat”, dhe publikun e kemi me të vërtetë shumë të mirë. Jemi me fat që i përkasim Shqipërisë së mesme, duke pasur parasysh që është publik qejfli dhe merakli të muzikës dhe ndjehem vërtetë shumë mirë. Është fat i madh që ti të bësh atë që ke dashur që në vogëli. Unë jam i lumtur që atë profesion që kam ëndërruar atë bëj, dhe e ndjej vetem shumë me fat që për 23 vjet me radhë jam akoma në skenë dhe performoj në të gjitha evenimentet dhe diskotekat në të gjithë botën ku ka shqiptarë.
CMG: Cili ka qenë urimi më i bukur që ke marrë nga një tiranas?
Sinan Hoxha: Të këndoftë zemra dhe mos vdeksh kurrë! Këtë urim bëjën tiranasit zakonisht.
“Sofra Tiranse” organizohet çdo vit nga “Shoqata Tirana” dhe familja Tafaj, ku në çdo edicion përveç këngëve dhe valleve popullore tradicionale vlerësohen dhe mjaft personalitete të artit, kulturës dhe sportit, që kanë dhënë një kontribut të çmuar në vlerat e kryeqytetit.
Gazmend Agaj