INSTAT: Inflacioni në janar u rrit me 7.1%
2023-02-25 11:12:25

foto/RTSH

foto/RTSH

Instituti i Statistikave njoftoi se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin janar ishte 7.1%. Në raportin e publikuar nga INSTAT-it bëhet e ditur se rritja me e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 11.8%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 26.4%, “vajra dhe yndyrna” me 21.4%, “bukë dhe drithra” me 15.3%, “mish” me 14.4%, “zarzavate” me 7%, përcjell “RTSH”.
Rritje gjatë janarit kanë shënuar edhe çmimet në grupet “Transporti” me 6.9%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.7%, “Veshje dhe këpucë” me 5.3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.7%, etj.

Në muajin janar 2023, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 1.1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.8%.
Krahasuar me muajin dhjetor 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 2.6%, pasuar nga grupet “Transporti” me 0.7%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.6%.

Ndërsa krahasuar me muajin janar 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13.3%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6.6%, “Transporti” me 6.5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5.6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5.1%, “Veshje dhe këpucë” me 4.1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.6%. (Irma)